Kënaqja me Caktimin e Allahut

Shkaqet për arritjen e ëmbëlsisë së besimit

Shkaku i katërt: Kënaqja me Caktimin e Allahut

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu nuk do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit derisa të dijë se ajo që e ka goditur nuk ka pasur mundësi mos ta godiste dhe ajo që i ka ikur nuk ka pasur mundësi t’i vinte (ndodhte).”

Besimi në caktimin e Allahut (kader) është prej shtyllave të besimit. Ky besim sjellë si rezultat në zemrën e njeriut qetësi, prehje dhe kënaqësi dhe gjithashtu largon prej tij brengat, shqetësimet e pikëllimet. Kjo sepse me këtë bindje e besim, e di se ajo që e ka goditur nuk ka pasur mundësi mos ta godiste (ka qenë e shkruar) dhe ajo që nuk i ka arritur nuk ka pasur mundësi t’i vinte. Duke pasur këtë bindje, do të ketë qetësi e rehati shpirtërore. Kështu, ai e di se me çdo që është sprovuar (fatkeqësi a mirësi), i ka ardhur prej Atij i Cili është më i Mëshirshëm për të sesa vetja e vet dhe të gjithë njerëzit. Atë që Allahu e ka caktuar për të, është e mirë, më e mira për të, edhe pse nga pamja e jashtme e sheh të dhimbshme, të lodhshme etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është e çuditshme çështja e besimtarit! E gjithë çështja e tij është e mirë. Kjo nuk i takon askujt përveçse besimtarit. Kur i vjen një e mirë, është falënderues ndaj Allahut dhe kjo është mirë për të. Kur e godet diçka që e dëmton, është durimtar dhe kjo është mirë për të.”

Te besimi në kader përfshihen katër gjëra:

-Dija e Allahut. Allahu me Dijen e Tij ka përfshirë të gjitha gjendjet e krijesave, furnizimin, afatin e jetës, veprat dhe çdo gjë tjetër që ka ndodhur, që ndodhë dhe që do të ndodhë. Atij nuk i fshihet asgjë.

-Shkrimi. Allahu këto (që i ka ditur) i ka shkruar në Leuhi Mahfudh.

-Vullneti, dëshira e Allahut. Ajo që do Allahu të ndodhë, patjetër do të ndodhë dhe ajo që Ai nuk do të ndodhë, nuk ka mundësi të ndodhë.

-Krijimi i çdo gjëje. Çdo gjë përveç Allahut është krijesë, qoftë vetë qenia e njeriut, apo veprat e tij, apo tiparet e tij etj.

Aliu radijallahu anhu ka thënë: “Njeriu nuk ka mundësi të shijojë ëmbëlsinë e besimit derisa të bindet plotësisht se ajo që e ka goditur nuk ka pasur mundësi mos ta godiste dhe ajo që i ka ikur nuk ka pasur mundësi t’i vinte.”

Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) kur numëron dobitë e besimit në kader thotë: “Njeriu kur është i bindur në kaderin e Allahut është i qetë, ngase e di se është prej Tij, andaj është i kënaqur. Njeriu sado që përpiqet e mendon nuk mund të ndryshojë diçka që ka ndodhur… Ka mundësi që një gjë e cila ndodhë të mos e pëlqejmë, por më vonë na zbulohet se ashtu ka qenë më mirë për ne (Allahu na mundëson ta shohim këtë), “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini”. Bekare 216.

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kurdo që njeriu arrin të fitojë këtë dije e bindje ndaj kaderit, do të qetësohet në këtë botë para botës tjetër. Ai në këtë botë hyn në një xhenet i cili nuk mund të krahasohet përveçse me kënaqësinë e botës tjetër (është xhenet i kësaj bote). Kështu, gjithmonë është i kënaqur me Zotin e tij… ai është me shpirt të qetë për çdo që i ndodh, ngase e di se ajo është zgjedhja e Allahut për të.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka porositë Abdullah ibn Abbasin i cili ka qenë i ri, me këto fjalë: “O djalosh, unë do të mësoj disa fjalë! Ruaje Allahun, Ai do të të ruajë ty. Ruaje Allahun, gjithmonë do ta gjesh para vetes. Kur të lutesh, lute vetëm Allahun dhe kur kërkon ndihmë, kërko vetëm nga Allahu. Dije se, nëse të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të sjellë diçka që të bën dobi, nuk do të munden përveçse aq sa ka caktuar Allahu dhe nëse do të mblidheshin për të të dëmtuar me diçka, nuk do të munden përveçse aq sa ka caktuar Allahu për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë (është shkruar kaderi).” Në një tjetër transmetim të të njëjtit hadith thotë: “Ruaje Allahun, gjithmonë do ta gjesh para vetes. Njihe Allahun kur je në mirëqenie, Ai do të njohë kur je në vështirësi. Dije se ajo që të ka goditur, nuk ka pasur mundësi mos të të godiste dhe ajo që nuk të ka ardhur, nuk ka pasur mundësi të të vinte. Dije se ndihma/triumfi vjen me durimin, çlirimi vjen me brengën dhe lehtësimi vjen me vështirësinë.” Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Prej sekreteve të këtij hadithi është se ka bërë bashkë brengën me çlirimin dhe lehtësimin me vështirësinë. Kjo tregon se sa më shumë që vështirësohet (rritet e shtohet) brenga, atëherë njeriu humbet shpresat se dikush prej krijesave mund t’ia largojë atë dhe lidhet vetëm me Allahun- ky është realiteti i mbështetjes tek Ai- dhe ky është shkaku kryesor përmes të cilit kërkon plotësimin e nevojave prej Tij, ngase Ai i mjafton atij i cili i mbështetet Atij, “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai” Talak 3.

Kur njeriu arrin këtë ëmbëlsi të besimit atëherë do t’i lehtësohen brengat, vështirësitë, vuajtjet e fatkeqësitë që e godasin. Ajo bën që njeriu të harrojë hidhësinë e sprovave. Sa më shumë që shtohen ato, shtohet besimi i tij dhe bëhet më i qëndrueshëm e më durimtar.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Madhësia e tekstit