Kërkimi i afrimit me adhurime është e drejtë vetëm për Allahun

Kërkimi i afrimit me adhurime është e drejtë vetëm për Allahun

Njeriu duhet të besojë se askush tjetër përveç Allahut nuk zotëron a posedon asgjë në këtë univers. E gjithë çështja është në Dorën e Tij. Askush tjetër nuk e zotëron dhe posedon ndërmjetësimin përveç Allahut, “Ndërmjetësimi është i gjithi në duart e Allahut” Zumer 44. Ndërmjetësimi është nën mbretërinë dhe sundimin e Allahut. Askush nuk ka mundësi të ndërmjetësojë për dikë pa lejen e Allahut. Andaj, nuk lejohet që ndërmjetësimi të kërkohet prej dikujt tjetër përveç Allahut. Allahu është Ai i Cili e nderon dikë prej njerëzve me ndërmjetësim nëse me të është i kënaqur (nuk i ka bërë shirk Allahut, nuk ka kërkuar/nuk është lutur për ndërmjetësim ndaj dikujt përveç Allahut, ngase lutja është adhurim dhe nëse ia drejton dikujt tjetër përveç Allahut kjo është shirk, p.sh.: nuk lejohet “O Pejgamber, ndërmjetëso për mua”, por duhet të lutet “O Allah, bëje Pejgamberin ndërmjetës për mua!”). Ky afrim dhe ndërmjetësim nuk i takon madje as engjëjve që janë afër Allahut dhe as Pejgamberëve.

Askujt nuk i takon adhurimi, përveçse Allahut. Ky është mesazhi me të cilën është dërguar Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, pra të tregojë se adhurimi i gjithi i takon vetëm Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka thirrur mushrikët që adhurimin e tyre ta bëjnë vetëm për Allahun (i ka thirrur në teuhid) dhe të larohen prej shirkut. Andaj, nuk lejohet të kërkohet ndihmë e shpëtim, në ato gjëra të cilat janë vetëm nën mundësinë e Allahut, përveçse prej Allahut, as prej të vdekurve, as prej shpirtrave, as prej njerëzve joprezentë etj. Zemrat duhet të lidhen vetëm për Allahun. Zemra e muslimanit duhet të jetë e lidhur vetëm për Allahun. Lidhjet e zemrave të njerëzve të xhahiljetit janë të kota (që i kemi sqaruar), Allahu nuk i pranon, Ai ka treguar se janë shirk. Besimtari duhet të besojë thellë me zemër se shirku është i refuzuar dhe nuk pranohet tek Allahu, dhe personit që bën shirk sado që ka adhurime të shumta e të mira ndaj të tjerëve, ato nuk i pranohen tek Allahu.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka luftuar mushrikët që lutja të jetë vetëm për Allahun, që të gjitha lutjet t’i drejtohen/kushtohen vetëm Atij, gjithashtu kurbani, zotimet dhe kërkimi i ndihmës, si dhe të gjitha llojet e adhurimeve. Shirku te këto adhurime: lutja, kurbani, zotimi dhe kërkimi i ndihmës, ka qenë më i përhapur. Të gjitha llojet e adhurimeve duhen t’i kushtohen vetëm Allahut, për këtë ka ardhur Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Mushkrikët i kanë synuar me adhurimet e tyre: engjëjt, Pejgamberët dhe njerëzit e devotshëm. Këtë e kanë bërë me qëllim që të afrohen tek Allahu, që pastaj ata t’ia afrojnë kërkesat e tyre Allahut. Nuk ka qenë qëllimi i tyre t’iu luten atyre në mënyrë të pavarur nga Allahu.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Keshfush shubuhat.

Madhësia e tekstit