Këshilla të dobishme 35

  • Imam Alij ibn El-Medinij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “U përshëndeta me Ahmed ibn Hanbelin (Allahu e mëshiroftë) dhe i thash: “Më porosit me diç?” Ai më tha: “ Furnizimi yt le të jetë devotshmëria dhe botën tjetër vendose para syve!” Menakib El-Imam Ahmed, 273.

 

  • Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimi i njeriut shpërfaqet gjatë sprovimit; ai lutet shumë dhe prapë nuk sheh gjurmë të përgjigjes. Mirëpo, nuk i humb shpresat, edhe nëse shkaqet për një gjë të tillë janë të forta.” Sajd El-Hatir, 168.

 

  • Bashkëshortja e imam Se’id ibn Musejjibit (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Në kohën tonë, burrave nuk u flisnim ndryshe, veçse ashtu siç ju sot u flisni pushtetarëve tuaj!” Hiljetu El-Evlija’, 5/198.

 

  • Umer ibn El-Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Prej gjërave që e bëjnë të çiltër dashurinë e vëllait tënd besimtar për ty janë:

– t’i japësh selam i pari kur ta takosh,

– ta thërrasësh me emrat që i do më së shumti,

– t’i bësh vend nëpër ndeja.” Behxhetu El-Mexhalis, 143.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush mundet të ketë një vepër të mirë të fshehtë (që nuk dinë njerëzit për të), le ta bëjë!” Es-Sahiha, 5/398.

 

  • Imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë) i thanë gjatë kohës së fitnes: “A nuk po e sheh sesi e kota ka triumfuar ndaj të vërtetës?” Ai tha: “Assesi! Përderisa zemrat janë të qëndrueshme, e vërteta është fitimtare.” El-Med’hal, 1/300.

 

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Për zemrat e shëndosha asgjë nuk është më i dashur sesa Allahu.” Mexhmu’u El-Fetaua, 7/537.

 

  • Erdhi një njeri tek Uehb ibn Munebbih (Allahu e mëshiroftë) dhe i tha: “Më mëso diçka, që Allahu të më sjellë dobi me të!” Ai i tha: “Kujtoje shpesh vdekjen dhe shkurtoji shpresat!” El-Bidajetu ue En-Nihajetu, 9/313. =

 

  • “Ai (Allahu) drejton çdo gjë.” (Junus, 3). Një ajet që nëse hyn në zemrën tende, e qetëson atë!

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, disa njerëz janë çelësa të së mirës dhe mbyllës të së keqes. Ndërsa, disa njerëz janë çelësa të së keqes dhe mbyllës të së mirës. Andaj, lum për atë që Allahu ia ka dhënë çelësat e së mirës në duar dhe mjerë për atë që Ai ia ka dhënë çelësat e së keqes në duar!” Sahih ibn Maxheh, 195.

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse begative të kësaj bote nuk i bashkëngjitet falënderimi ndaj Allahut, ato janë sprovë për njeriun. Ashtu siç thotë Ebu Hazimi: “Çdo begati që nuk të afron tek Allahu është sprovë për ty.” Xhami’u El-Ulum, 2/82.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Prej shenjave të grupeve të devijuara është se ato i urrejnë brezat e parë të muslimanëve dhe metodologjinë e tyre, si dhe paralajmërojnë kundër saj.” El-Exhuibetu El-Mufide, 136.
  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Edhe pse fëmija nuk është i ngarkuar me obligime fetare, kujdestari i tij është i tillë. Andaj, atij nuk i lejohet t’i mundësojë diçka të ndaluar, sepse fëmijës i bëhet gjë e zakonshme dhe i vjen vështirë ndarja prej saj.” Tuhfetu El-Meudud.

 

  • Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Tri gjëra i jepen edhe të mirit edhe të keqit: 1. Amaneti, 2. Besa, 3. Mbajtja e lidhjeve farefisnore.” Sijer A’lam En-Nubela’, 5/75.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasioni ndaj pamjeve të ndaluara është prej sprovave më të mëdha.” Kai’detun fi El-Mehabbeh, 88.

 

  • Dijetari Mukbil El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëllai besimtar në këtë kohë është i barabartë me botën dhe çdo gjë që gjendet në të.” Es’iletu Esh-Shebab.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ata që i binden Allahut janë të qëndrueshëm dhe të qetë. Edhe nëse ndonjëri prej tyre është i varfër, Allahu i jep rehati të shpirtit dhe kënaqësi.” Tefsir Sureti El-Maideh, 2/90.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit