Këshilla të dobishme 46

 

  • Nëse njeriu nuk e shfrytëzon kohën e lirë në gjëra të dobishme, ajo e shpie drejt gjërave që e dëmtojnë dhe bëhet shkak për devijimin e tij.” Shejh Sulejman Er-Ruhajlij, Inhirafu Esh-Shebab, 68.

 

  • Sehl ibn Sa’d (Allahu e mëshiroftë) tregon: “I thashë njërit: “A nuk e ke askënd këtu tek i cili gjen prehje?” Ai tha: “Po kam!” “Kë?” – e pyeta. Ai e zgjati dorën drejt një mus’hafi, e vendosi atë në prehër dhe tha: “Këtë!” El-U’zletu, El-Hattabij, 76.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Në Ditën e Kiametit askush s’do të mbetet me ty, përveç veprës tënde të mirë; nuk do të mbetet me ty as pasuria, as farefisi, as fëmija dhe as vëllai.” Sherh Ed-Delail, 201.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mëkatet janë zjarr për begatitë. Ato i djegin begatitë, ashtu siç i djeg zjarri drunjtë.” Tarik El-Hixhratejn, 542.

 

  • Imam Esh-Sha’bij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përmbaju të vërtetës edhe nëse të duket se të dëmton, sepse ajo do të të sjellë dobi. Largohu nga gënjeshtra edhe nëse e sheh se të sjellë dobi, sepse ajo do të të dëmtojë!” El-Bejanu ue Et-Tebjin, 2/199.

 

  • Vlerat e moralit të mirë

– Morali i mirë është shkak që Allahu ta dojë robin e Vet,

– Është prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet,

– Është prej gjërave që peshojnë më së rëndi në peshoren e ditës së Kiametit,

– E shton shpërblimin dhe sevapin për veprat e mira,

– Është shkak për zgjatjen e jetës,

– Është shenjë që tregon për besimin e plotë.

 

  • Ibrahim Et-Tejmij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “E paramendova veten time në Xhenet, duke ngrënë prej frutave të tij, duke pirë nga lumenjtë e tij dhe duke i përqafuar hyritë e virgjëra të tij! Pastaj e paramendova veten në Zjarr, duke ngrënë prej pemës së zekkumit, duke pirë nga qelbi që rrjedh nga lëkurat e njerëzve dhe duke u përballë me zinxhirët e prangat e tij! Pastaj i thashë vetes: “Oj vetja ime! Çfarë dëshiron?” Ajo më tha: “Dua të rikthehem në dunja, që të bëj vepra të mira!” Unë i thash: “Atëherë dije se je në një kohë ku ende mund të dëshirosh, andaj përvishuju punës!” Muhasebetu En-Nefs, ibn Ebi Ed-Dunja, 10.

 

  • Prej vlerave të teuhidit është se ithtarëve të tij u jepet udhëzim dhe siguri e plotë në këtë jetë e në tjetrën.” El-Kaul Es-Sedid Sherh Kitabi Et-Teuhid, 23.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sa herë që njeriu e shton meditimin rreth Librit të Allahut, atij i shtohet dija, vepra dhe largpamësia.” Tefisir Es-Si’dij, 193.

 

  • Pyetje: “Ai që është afër imamit në ditën e xhuma, a do jetë edhe afër Allahut në ditën e Kiametit?” Shejh Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë): “Po, kjo është përcjell në një hadith të vërtetë, ku thuhet se në ditën e Kiametit, njerëzit më së afërti me Allahun do të jenë ata që janë më afër imamit në ditën e xhumasë. Kjo na nxitë që të shkojmë sa më herët për në namazin e xhumasë, në mënyrë që njeriu ta arrijë këtë vlerë dhe t’i afrohet sa më shumë imamit.” Faqja zyrtare e shejhut.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Namazi është ushqimi i zemrave, ashtu siç buka e uji janë ushqim për trupin. Pasi që trupit nuk i mjafton ushqimi i paktë, po ashtu dhe zemrës nuk i mjafton namazi që falet shpejt (siç çukat zogu). Përkundrazi, namazi patjetër duhet të jetë i plotë, që i ushqen zemrat.” Mexhmu’u El-Fetaua, 22/538.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Syri është pasqyra e zemrës. Andaj, nëse syri e ul shikimin nga gjërat e ndaluara, zemra i ul epshet dhe dëshirat. E nëse syri e liron shikimin, edhe zemra e liron epshin e vet.” Raudatu El-Muhibbin.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shumë njerëz durojnë ndaj vështirësive të namazit të natës kur është vapë e ftohtë dhe ndaj vështirësive të agjërimit, mirëpo nuk durojnë ndaj shikimit në gjërat e ndaluara.” Uddetu Es-Sabirin, 286.

 

  • Ibn Umeri (radijAllahu anhu) i tha njërit: “Edukoje djalin tënd, sepse do të pyetesh (në ditën e Kiametit) se çfarë e ke edukuar dhe çfarë i ke mësuar? Ndërsa, ai do të pyetet për mirësjelljen dhe bindjen ndaj teje.” Esh-Shu’ab El-Bejhekij, 8295.

 

  • Fuqia e ummetit islam nuk vjen nëpërmjet ilahive, por nëpërmjet teuhidit dhe kapjes pas sunetit.” (Shejh Sulejman Er-Ruhajlij, Sherh Kitabi Et-Teuhid).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, Allahu e do robin që është i devotshëm, i pavarur dhe i fshehtë.” (Muslimi, 2965). Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) shpjegon:

– “i devotshëm” domethënë që e ka frikë Allahun,

– “i pavarur” do të thotë që është i pavarur nga njerëzit,

– “i fshehtë” do të thotë që nuk e shfaq veten para të tjerëve. Sherh Rijad Es-Salihin.

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e sheh dikë duke garuar me ty për jetën e kësaj bote, ti garo me të për jetën e botës tjetër!” Dhemmu Ed-Dunja, Ibn Ebi Ed-Dunja, 184.

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sa herë që njerëzit veprojnë mëkate, kjo bën që atyre me të patjetër t’u fshihen (t’u bëhen të paqarta) disa çështje të fesë.” Fet’h El-Barij, 1/187.

 

  • Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) thotë: “Bamirësi nuk rrëzohet. Mirëpo, edhe nëse rrëzohet, gjen ku të mbahet.” Ujun El-Ahbar, 1/339.

 

Mos dëshirove të jetosh në këtë botë pa vështirësi, mundime e sprovime?!

Pa dyshim që Allahu i Lartësuar është i Fuqishëm për një gjë të tillë.

Mirëpo, atëherë, ku do të ishte dallimi mes kësaj jete dhe jetës tjetër?

Allahu thotë: “Përgëzoji të duruarit!” (El-Bekara, 155)

Merre këtë ajet dhe vendose me bindje në zemrën tënde!

Ky është shpërblimi për ata që i përpijnë hidhësitë e dhimbjeve për hir të Allahut dhe që i kapërdijnë hidhësitë e pikëllimeve në shenjë durimi e kënaqësie ndaj caktimit të Tij!

 

  • “Prej vlerave të teuhidit është se ai e liron njeriun nga robëria ndaj krijesave, nga lidhja për ta, nga frika prej tyre, nga shpresa në ta dhe nga kryerja e veprave për hir të tyre. Dhe pikërisht kjo është krenaria e vërtetë dhe nderi më i lartë.” El-Kaul Es-Sedid, 23.

 

  • Sulejman Ed-Daranij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çdo gjë që të shmang nga Allahu është e kobshme për ty.” Medarixh Es-Salikin.=

 

Fale atë që të ka bërë keq dhe assesi mos mendo se me këtë shfaqesh si i dobët; sepse falja ka nevojë për forcë më të madhe sesa hakmarrja.

 

  • Imam Esh-Sha’bij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk e kam arritur nënën time në mënyrë që të sillem mirë me të, mirëpo nuk e shaj askënd, që ai pastaj të ma shajë nënën.” Edeb Ed-Dunja ue Ed-Din, 25.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, njeriu falet gjashtëdhjetë vite dhe nuk i pranohet asnjë namaz, ngaqë ndoshta e plotëson rukunë e jo sexhden, apo e plotëson sexhden e jo rukunë.” Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib, 529.

 

  • Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dije se, rehatia nuk arrihet me rehati dhe synimet e larta nuk arrihen me dembeli. Kush mbjell, korrë dhe kush përpiqet, gjen.” Meuaidh, 1/4.

 

  • Dijetari Mukbi El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse nuk durojmë, nuk do të mund të punojmë asgjë për Islamin.” El-Musara’ah, 507.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Ai që nuk ka dije fetare është për të ardhur keq; çdokush mund të luajë me të.” Fet’h El-Mexhid.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit!” (Ibrahim. 42). Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky ajet është ngushëllim për atë që i është bërë padrejtësi dhe kërcënim për zullumqarin.” (Tefsir Et-Taberij, 28/17).

 

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Llogaritja e vetes është që njeriu të ndalet e të mendoj:

– Çfarë ka bërë?

– Çfarë nuk ka bërë?

– Çfarë ka thënë?

– Çfarë nuk ka thënë?

Në mënyrë që ta llogarisë veten e t’i thotë asaj, për shembull:

– Nuk e ke thënë të vërtetën në këtë e këtë vend.

– Nuk e ke bërë këtë vepër të mirë në këtë e këtë rast.

Kësisoj e llogarit veten për gjërat që i ka bërë dhe për ato që i ka lënë pa bërë, në mënyrë që:

– t’i korrigjojë gabimet dhe

– të largojë të këqijat prej saj.

Dha ky është kuptimi i llogaritjes së vetvetes.”

(Nurun ala Ed-Derb, 12/16).

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sa e sa ajete të Kuranit na lexohen, mirëpo zemrat tona janë sikur guri, madje edhe më të forta.” Letaif El-Me’arif, 174).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sikur të triumfonte përherë e vërteta, radhët e thirrësve islam do të mbusheshin me mynafikë (dyfytyrësha). Sikur të triumfonte përherë e pavërteta, thirrësit islam do të dyshonin për rrugën e tyre. Mirëpo, herë njëra e herë tjetra.” Medarixh Es-Salikin.

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Largimi nga Allahu dhe zhytja në epshe është zjarr që flakëron në zemra, është dështim dhe pikëllim.” El-Feuakih Esh-Shehijje, 18.

 

  • Imam Mek’huli (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu i Madhërishëm i do tri cilësi dhe i urren tri tjera. Cilësitë që i do Ai janë: ngrënia e pakët, gjumi i pakët dhe të folurit e pakët. Ndërsa, ato që i urren janë: ngrënia e tepërt, gjumi i tepërt dhe të folurit e tepërt. Nëse vazhdimisht fle shumë, atëherë kjo shkakton pakujdesi të tepërt, logjikë të pakët, mendjemprehtësi të mangët dhe harresë të zemrës.” Ku’t El-Kulub, 1/175.

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh që njeriu bën mëkat, mirëpo nuk e harron dhe vazhdimisht mërzitet për të, derisa kjo bëhet shkak që ai të hyjë në Xhenet.” Ez-Zuhd, imam Ahmedi.

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të rinjtë duhet t’i kushtojnë vëmendje Kuranit fisnik e Sunetit të pastër, të shoqërohen me njerëz e shokë të mirë, prej atyre që kanë dije e që janë të njohur me qëndrueshmëri në fe, në mënyrë që të përfitojnë prej tyre dhe prej moralit të tyre.” Mexhmu’u El-Fetaua, 9/335.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasuesit e jetës tjetër nuk i kushtojnë rëndësi gjërave që iu ikin nga jeta e kësaj bote. Nëse iu vjen diçka prej gjërave të kësaj jete, e pranojnë e nëse u ikën, nuk i kushtojnë vëmendje.” Sherh Rijad Es-Salihin, 3/48.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Vendi që e pranon shpalljen (fetare) është zemra. Andaj, nëse dëshiron të përfitosh nga shpallja, zbraze zemrën nga gjërat që e kundërshtojnë atë (shpalljen).” El-Feuaid, 31.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.” (El-Insan, 12. Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pasi që në durim, i cili është përmbajtja e vetes nga epshet, ka vrazhdësi dhe ngushtim (për shpirtin), Allahu i shpërbleu për këtë me butësi të mëndafshit dhe me gjerësinë e Xhenetit.” Raudatu El-Muhibbine, 1/480.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa herë të zemërojnë fëmijët apo bashkëshortja e anëtarët e familjes, mësoje gjuhën që të lutesh mirë për ta. Disa njerëz thonë: “Allahu ta marrtë shpirtin, Allahu të shkatërroftë, Allahu ta nxiftë fytyrën, Allahu mos të dhëntë sukses as në dunja e as në ahiret!” Kjo është e ndaluar. Duro, përmbaje veten dhe lutu mirë për familjen tënde!” Fetaua Lika’ El-Bab El-Meftuh, 187.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit