Këshillë drejtuar të gjithë myslimanëve-3

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)[1]

Kam dëshirë ta përfundoj këtë këshillë timen me përmendjen e pesë çështjeve, të cilat janë përmbledhëset e mirësisë në tërësi:

• Sinqeriteti vetëm ndaj Allahut në të gjitha aktet fetare, qofshin ato prej fjalëve apo veprave, si dhe kujdesi nga shirku në tërësi, i dukshmi dhe i fshehti. Ky është obligimi më madhor dhe çështja më e rëndësishme. Gjithashtu, kjo është domethënia e dëshmisë “la ilahe il-lAll-llah” (nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut). S’ka vlefshmëri të veprave dhe të fjalëve të robërve, përveç mbas saktësisë së këtij parimi dhe paprekshmërisë së tij, ashtu siç thotë edhe Më i Larti:

“Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed) si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit” (39/65).

• Të mësuarit (të kuptuarit) e Kuranit dhe të Sunetit të të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe kapja pas tyre. Të pyeten dijetarët për çdo çështje që e keni të paqartë rreth fesë suaj. Kjo (që u përmend) është obligim për çdo mysliman, dhe nuk i takon atij ta braktisë e t’ia kthejë shpinën duke ecur pas mendimeve (hamendjeve) të veta pa kurrfarë dije e largpamësie. Dhe pikërisht kjo është domethënia e dëshmisë “Muhammedun resulull-llah”, sepse kjo dëshmi ia obligon robit besimin se Muhamedi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vërtet është i Dërguar i Allahut, dhe (ia obligon) kapjen pas asaj me të cilën ka ardhur ai, vërtetimin e thënieve të tij, dhe që të mos adhurohet Allahu veçse me mënyrën e ligjësuar përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), siç thotë Allahu:

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” (3/31).

“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj” (59/7).

Dhe thotë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):

“Kushdo që shpikë në çështjen (fenë) tonë çfarë nuk është prej saj, nuk i pranohet” (Buhariu dhe Muslimi).

“Kush bën diç që nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, nuk i pranohet” (Muslimi në Sahih).

Çdokush që ia kthen shpinën Kuranit dhe Sunetit, është pasues i epshit (dëshirës) të tij, kundërshtues i Zotit të tij dhe meritor për urrejtjen dhe për ndëshkimin e Allahut, siç thotë Ai:

“E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut?” (28/50).

Dhe thotë Allahu në përshkrimin e jobesimtarëve:

“Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë)” (53/23).

Ndjekja e qejfit (epshit) – Allahu na ruajt – e shuan dritën e zemrës dhe pengon nga pasimi i së vërtetës, siç thotë Allahu:

“Dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut!” (38/26).

Kështu, Allahu ju mëshiroftë, kini kujdes nga ndjekja e dëshirave dhe lënia pas shpine e udhëzimit. Kapuni fort për të vërtetën, thirrni të tjerët për tek ajo dhe kini kujdes nga kundërshtuesit e saj, në mënyrë që të triumfoni me mirësitë e dynjasë dhe të Ahiretit.

• Kryerja e pesë kohëve të namazit rregullisht dhe së bashku me xhemat. Sepse ato janë prej obligimeve më të rëndësishme dhe më të mëdha pas shehadetit. Namazi është boshti i fesë dhe shtylla e dytë prej shtyllave të Islamit. Është gjëja e parë për të cilën do të merret në llogari robi në Ditën e Kiametit. Kush e ruan atë, e ka ruajtur fenë e vet, e kush e braktisë atë, e ka lënë fenë. Sa i madh do të jetë mjerimi i tij dhe e sa i keq do të jetë përfundimi i tij në ditën e qëndrimit para Allahut!

Duhet t’i kryeni rregullisht faljet, Allahu ju mëshiroftë, t’i këshilloni të tjerët për kryerjen e tyre dhe t’ia tërhiqni vërejtjen atij që nuk i kryen dhe që i braktisë, sepse kjo është prej ndihmesës në punë të mira dhe në devotshmëri. Profeti (sallAlla- llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Marrëveshja midis nesh dhe atyre (jobesimtarëve) është namazi. Kushdo që e braktisë, ka bërë kufër” (Imam Ahmedi dhe Sunenet, me zinxhir të vërtetë).

“Mes njeriut dhe kufrit e shirkut është lënia e namazit” (Muslimi në Sahih).

“Kush prej jush sheh ndonjë të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk mundet, (le ta ndryshojë) me gjuhën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë (le ta urrejë) me zemrën e tij, ndonëse ky është besimi më i dobët” (Muslimi në Sahih).

• Përkujdesja për zekatin dhe përkushtimi për dhënien e tij ashtu si e ka bërë obligim Allahu, sepse ai është shtylla e tretë prej shtyllave të Islamit. Për çdo individ prej myslimanëve mukel-lefun (të ngarkuar me obligime fetare sh.p.) është detyrë të kalkulojë dhe të njohë saktësisht pasurinë që posedon, të cilës duhet t’i nxirret zekati, pastaj të nxjerrë zekatin nga ajo pasuri sa herë që arrin nisabin (sasinë e caktuar) dhe kalon një vit (në posedimin e tij sh.p.).

Myslimani duhet ta japë zekatin me shpirt të pastër dhe me zemër të hapur, si zbatim të urdhrit të Allahut, falënderim për begatinë e Tij dhe bamirësi për robërit e Allahut. E, kur ta bëjë këtë, Allahu ia shumëfishon shpërblimin, ia kompenson atë që e ka dhënë, ia bekon atë që i mbetet prej pasurisë, e pastron (njeriun nga gjynahet) dhe ia shton veprat e mira, siç thotë edhe Allahu i Patëmeta:

“Merr nga pasuria e tyre lëmoshë ( zekat) që t’i pastrosh ata dhe t’ua shtosh veprat e mira!” (9/103).

E, nëse tregohet koprrac në dhënien e zekatit dhe i shpërfillur rreth çështjes së tij, Allahu zemërohet me të, ia largon bereqetin e pasurisë së tij dhe bën që ta godasin shkaqe të falimentimit dhe të shpenzimit jo në rrugën e së vërtetës, pastaj e dënon me këtë pasuri në Ditën e Kiametit, siç thotë Më i Larti:

“Paralajmëroji me dënim të dhembshëm ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut” (9/34).

Çdo pasurie, të cilës nuk i nxirret zekati, konsiderohet “thesar i grumbulluar”, dhe poseduesi i saj do të dënohet me të Ditën e Kiametit. Allahu na ruajt të gjithëve nga një dënim i tillë![2]

Ndërsa, për kujdestarin e myslimanit, i cili nuk është mukel-lef , siç është fëmija apo budallai, është obligim përkujdesja për nxjerrjen e zekatit të pasurisë së tyre, sa herë qa kalon një vit (në posedimin e tyre dhe arrin sasinë e caktuar, sh.p.), për shkak se argumentet e Kuranit dhe Sunetit (rreth kësaj) janë përgjithësuese dhe aludojnë në domosdoshmërinë e nxjerrjes së zekatit nga pasuria e myslimanit, qoftë ai mukel-lef apo jo.

• Është obligim për çdo mysliman të moshës madhore, qoftë mashkull apo femër, t’i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, në çdo gjë që ata kanë urdhëruar si p.sh.: agjërimi i Ramazanit, kryerja e Haxhit për këdo që ka mundësi dhe (t’u bindet) në të gjitha obligimet tjera. Gjithashtu, për të është obligim përnderimi i ndalimeve të Allahut, meditimi rreth qëllimit të krijimit të tij dhe asaj me të cilën është urdhëruar. Ai duhet ta llogarisë veten për këtë gjithmonë e, nëse e sheh se i ka çuar në vend obligimet e Allahut, gëzohet për këtë dhe e lut Atë për qëndrueshmëri. Pastaj, duhet ruhet nga mendjemadhësia, nga mburrja dhe nga lavdërimi i vetes.

E, nëse është treguar i shkujdesur ndaj obligimeve të Allahut apo ka kryer disa prej harameve, duhet të ngutet për pendim të vërtetë, për keqardhje, për qëndrueshmëri në urdhrin e Allahut, për shpeshtim të dhikrit, për istigfar, për përgjërimin ndaj Tij, për kërkim faljeje nga gjynahet e kaluara dhe për sukses në fjalët dhe në punët e mira. Nëse robit iu ka mundësuar një gjë e tillë, atëherë kjo është shenja e lumturisë dhe shpëtimit të tij në të dyja botët.

Nëse e harron veten dhe ecë pas dëshirave e epsheve të tij e nuk përgatitet për jetën tjetër, atëherë kjo është shenjë e shkatërrimit dhe e mjerimit të tij. Prandaj, le ta shikojë secili prej jush veten e vet, le ta llogarisë dhe të hulumtojë të metat e saj, sepse, vërtet, do të gjejë atë që e pikëllon, atë që e bën të angazhohet me veten në vend të angazhimit me të tjerët, dhe atë që ia obligon përuljen ndaj Allahut, nënçmimin e vetes përpara Tij dhe kërkimin e faljes e mbulimit të mëkateve nga Ai.

Kjo lloj llogarie, përuljeje dhe nënçmimi i vetes para Allahut është shkak për lumturi, sukses dhe krenari në të dyja botët. Le ta dijë secili mysliman se çdo gjë që posedon prej shëndetit, begatisë, pozitës së lartë, prodhimtarisë dhe mirëqenies, është prej mirësisë dhe bujarisë së Allahut. Ndërkaq, çdo gjë që e ka goditur, qoftë sëmundje, fatkeqësi, varfri, thatësi, armiqësi apo fatkeqësi të tjera, është për shkak të gjynaheve dhe veprave të liga.

Të gjitha ato që ndodhin në dynja dhe Ahiret prej dënimit, dhembjeve dhe shkaqeve të tyre, janë për shkak të mëkatimit ndaj Allahut, kundërshtimit të urdhrit të Tij dhe shpërfilljes ndaj hakut të Tij. Ashtu siç thotë Allahu:

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë” (42/30).

“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, në mënyrë që (Allahu) t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, që ata të kthehen (në përmirësim)” (30/41).

Andaj, frikësojuni Allahut, o robër të Allahut, përnderojeni urdhrin dhe ndalimin e Tij, dhe ngutuni me pendim tek Ai nga të gjitha mëkatet tuaja.

Kërkoni siguri vetëm tek Allahu dhe mbështetuni në Të, sepse Ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe furnizuesi i tyre. Të gjitha krijesat janë në Dorën e Tij dhe nuk zotërojnë për veten e tyre as dëm e as dobi, dhe nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as të ringjallin.

Jepni përparësi – Allahu ju mëshiroftë – të drejtës së Allahut dhe të drejtës së të Dërguarit të Tij ndaj të drejtës dhe bindjes për të tjerët, kushdo qofshin ata.

Urdhëroni njëri-tjetrin për puna të mira dhe pengojeni njëri-tjetrin nga të këqijat.

Kini mendim të mirë për Allahun, shpeshtoni dhikrin dhe kërkimin e faljes prej Tij.

Ndihmohuni në mes vete në punë të mira dhe me devotshmëri, jo në gjynahe dhe në armiqësi. Kapini për duarsh mendjelehtët nga mesi juaj dhe urdhërojini me atë që i ka urdhëruar Allahu. Gjithashtu, pengojini prej asaj që i ka ndaluar Ai.

Doni për hir të Allahut dhe urreni për hir të Tij. Duroni dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të durueshëm, derisa ta takoni Zotin tuaj, e (atë ditë) të triumfoni me kulmin e lumturisë, të nderit e të krenarisë, dhe me pozitat e larta në Kopshtet e begatisë.

E lusim Allahun që ta na japë sukses drejt gjërave që e kënaqin Atë. E lusim t’i përmirësojë zemrat e të gjithëve dhe t’i mbushë ato me frikë, me dashuri dhe me devotshmëri ndaj Tij ! Gjithashtu, e lusim të na ruajë nga të këqijat e shpirtrave tanë, nga veprat tona të liga, dhe të na mbrojë të gjithëve nga sprovat lajthitëse!

Ues-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Salati dhe selami qofshin për të Dërguarin tonë Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij!

Përktheu: Petrit Perçuku

_____________________________________________

[1] Marrë nga revista “El-Minhel”- për muajin Dhul-Ki’detu dhe Dhul-Hixh-xhetu, më 1371H (1952), pjesa12, faqe 411- 416 (islamspirit.com – Meusu’atu fetaua el-lexhneti uel-imamejn).

[2] Thotë Allahu i Lartësuar: “Do të vijë dita kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” (9/35).

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva