Kuptimi i fjalës La ilahe ilAllah

Kuptimi i fjalës La ilahe ilAllah
Fjala La ilahe ilAllah do të thotë: nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut. Ilah- إله në arabisht është meluh që nënkupton me’abud (i Adhuruar), kjo te pasuesit e sunetit. Kurse te ehlul kelami (pasuesit filozofët “musliman”) është në kuptimin alih, e jo meluh. Sipas kësaj thonë se kuptimi del: nuk ka të Plotfuqishëm për Krijim përveç Allahut. Kjo është një gjë e pavërtetë, sepse sikur ky të ishte kuptimi i saktë i fjalës La ilahe ilAllah, atëherë i bie se edhe idhujtarët e Mekës do të ishin muslimanë dhe njësues të Allahut në adhurim. Idhujtarët e Mekës kanë besuar se askush tjetër nuk është i Plotfuqishëm të krijojë përveç Allahut, megjithëkëtë kjo nuk u ka bërë dobi dhe nuk i ka futur ky besim në Islam. Allahu thotë: “Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri që ata do të thonë: “Allahu!” Zukhruf 87. Pra ata kanë besuar se vetëm Allahu është Krijues. Dhe thotë “Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata (mekasit paganë) se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri që do të të thonë: “Allahu”. Zumer 38. Andaj, është gabim përkthimi i fjalës La ilahe ilAllah në këtë formë: nuk Zot përveç Allahut, nuk ka të mundshëm apo të Plotfuqishëm që krijon përveç Allahut.
Nëse dikush pyet: Nëse e përkthejmë “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut”, e dimë se idhujtarët e Mekës kanë adhuruar diçka tjetër përveç Allahut, atëherë cili është kuptimi i saj kur e dimë se ka të adhuruar të tjerë që njerëzit i adhurojnë përveç Tij? Atëherë themi: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, apo nuk ka të adhuruar që e meriton adhurimin përveç Allahut- ky është kuptimi i saktë. Këtë e kanë pranuar edhe vetë idhujtarët e Mekës, ngase kur ata kanë qenë ngushtë, të goditur prej ndonjë dëmi, apo kur kanë qenë në mes të detit para stuhisë së tij, i janë kthyer Allahut dhe e kanë adhuruar Atë, e jo idhujt e tyre, sepse e kanë ditur se në këtë rast nuk u bën dobi askush tjetër përveç Allahut. Kurse ai adhurim që u drejtohet të adhuruarve të tjerë përveç Allahut është adhurim i kotë. Andaj, nuk vlen të quhet adhurim. Uluhija që ia dedikojnë dikujt tjetër përveç Allahut është e kotë, ata nuk e meritojnë të adhurohen. Gjithmonë e kanë pranuar edhe kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka pyetur se pse adhuroni të tjerë përveç Allahut, idhuj, engjëj, xhind etj., ata kanë thënë se ne po i adhurojmë këto veç si mjet për të na afruar tek Allahu. Pra, edhe ata e kanë pranuar se adhurimi i vetëm dhe i vërtetë i takon Allahut, dhe këtë e kanë dëshmuar në gjendjet e vështira me të cilat janë goditur, duke iu drejtuar vetëm Allahut.
Me këtë dhe sqarohet problemi nëse dikush pyet për atë se Allahu në suren Araf shpeshherë përmend fjalën e Pejgamberëve që u kanë thënë popujve të tyre: “Adhuroni Allahun! Ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij”. Kur dikush pyet se a kanë adhuruar ata diçka tjetër përveç Allahut, atëherë qëllimi është se ai adhurim i tyre është i kotë, andaj nuk vlen të quhet adhurim. Adhurimi i vetëm i Vërtetë është ai që bëhet për Allahun dhe Ai që e meriton adhurimin është vetëm Allahu. Ky është dhe qëllimi i fjalës La ilahe: mohimi i adhurimit apo dedikimit të adhurimit ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, pastaj ilAllah: pohimi se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Andaj ka ardhur në formë të kufizuar: la ilahe- nuk ka fare të adhuruar që e meriton adhurimin, çdo adhurim që i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut është i kotë dhe nuk vlen të quhet adhurim, ilAllah- përveç adhurimit që i kushtohet Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset “Kitabu teuhid”.
Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit