Kurthi dhe komploti – Cilësi të Allahut
Allahu thotë: “Ai është i ashpër në ndëshkime.” Rad 13.
Dijetarët këtij ajeti ia kanë dhënë disa kuptime: 1.I ashpër në dënim, pra Allahu dënon ashpër. 2. I ashpër në fuqi dhe forcë. 3. I ashpër në kurthet e Tij.
Dijetari i njohur en Nesefi në tefsirin e tij ka shkruar: “Kuptimi i ajetit është se Allahu është i ashpër në kurthet dhe komplotet e tij kundër armiqve të Tij. Ai i godet me shkatërrim nga nuk e presin/mendojnë.”
Disa dijetarë kur e kanë definuar fjalën mekër – komplot, kanë thënë se kjo është: Arritja të goditësh armikun përmes metodave të fshehta dhe ai këtë nuk e di fare. Disa të tjerë kanë thënë: të veprosh diçka por duke pasur qëllim të kundërtën e saj.
Kurthi në disa raste është cilësi e lavdëruar e në disa raste të tjera është e nënçmuar. Shembull: Nëse kurthi është kundër atij i cili mundohet të të bëjë kurthe, atëherë në këtë rast kjo është e lavdëruar (kur kurthin ia pret me kurth), ndërsa nëse i bën kurthe të tjerëve fillimisht, atëherë në këtë rast kjo është e nënçmuar sepse llogaritet tradhti.
Allahu e ka përshkruar Vetën me këto Cilësi në mënyrë të kushtëzuar. Allahu thotë: “Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një kurth, pa e ndier ata.” Neml 50. Andaj, nuk lejohet ta cilësojmë Allahun me këtë Cilësi në mënyrë të pakufizuar, duke thënë se Allahu është kurthngrehësi, apo Ai që bën komplote. Kjo nuk lejohet të thuhet as nga aspekti i njoftimit (kur do të tregosh për Allahun apo Cilësitë e Tij), por as nga aspekti i emërtimit (duke thënë se ky është Emër i Allahut). Nuk lejohet të themi “Allahu përgatit kurthe” apo “Allahu mashtron”, në mënyrë të pakufizuar.
Çdo Cilësi e Allahut e cila vjen në formën e veprës (se Allahu e vepron), nuk lejohet t’ia atribuojmë, përveç nëse kemi tekst të prerë; nëse Allahu ka treguar për Vetën e Tij se vepron diçka, kjo nuk do të thotë që prej kësaj të nxjerrim një Emër.
Lejohet që Allahun ta cilësojmë me Cilësinë e kurthvënies në aspektin se Ai e vepron këtë gjë karshi atyre që bëjnë kurthe ndaj fesë së Tij.
Kjo është Cilësi e vërtetë, pa e përngjasuar me kurthin e krijesave sepse krijesat nganjëherë bëjnë kurthe padrejtësisht e nganjëherë e kthejnë kurthin me kurth. Në to ka të meta, mangësi dhe nënçmim, gjëra këto prej të cilave Allahu është i pastër. Kur Allahu vepron me kurth, vepron në atë mënyrë që kërkon lavdërim, sepse Ai vepron me urtësinë dhe drejtësinë e Tij absolute. Kur Ai e kthen kurthin me kurth, kjo tregon se Ai është i përsosur. Ai e dënon zullumqarin meritor, prej nga nuk e pret. Ai nuk e dënon atë që nuk e meriton dënimin e Tij, siç veprojnë njerëzit ndaj të tjerëve.
***
Allahu thotë: “Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), se Allahu është më i miri i atyre që thurin kurthe.” Ali Imran 154.
Ky ajet ka zbritur për Isain alejhi ue selem, të cilin jehudët përgatisnin kurth dhe komplot për ta vrarë atë, por Allahu u ka bërë kurth më të madh kundër tyre, kështu që Ai e ka ngritur Isain te Vetja e Tij. Siç ka ardhur në disa transmetime, Allahu ia ka dhënë tradhtarit të Isait pamjen e tij dhe kur ka ardhur ushtria për ta kapur Isain, e kanë kapur atë – tradhtarin (Allahu ia ka kthyer kurthin me kurth).
***
Allahu thotë: “Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një kurth, pa e ndier ata.” Neml 50.
Ky ajet ka zbritur për ngjarjen e Salihut alejhisselam i cili në qytetin ku ka jetuar dhe i ka thirrur njerëzit në fenë e Allahut, në mesin e armiqve kanë qenë 9 persona, të cilët kanë thënë: “Ata i thanë (njëri-tjetrit): “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.” Kurthi i tyre ka qenë vrasja e Salihut dhe e familjes së tij gjatë natës. Ata janë fshehur gjatë ditës në një shpellë, por Allahu e ka shembur atë (pa e prit ata) dhe të gjithë kanë vdekur.
***
Allahu thotë: “Në të vërtetë, ata ngrenë kurth, por dhe Unë ua pres me kurth.” Tarik 15-16.
Është fjala për mushrikët e Mekës të cilët kishin përgatitur kurth kundër Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, për t’i larguar njerëzit prej tij dhe thirrjes së tij, por Allahu ua ka kthyer kurthin me kurth më të madh. Allahu thotë: “Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre). Allahu është planifikuesi më i mirë.” Enfal 30.
***
Kushdo që e ndihmon fenë e Allahut, Ai e ndihmon atë duke ngrehë kurthe kundër armiqve të tij. Kur armiqtë veprojnë me kurthe ndaj miqve të Allahut dhe fesë së Tij dhe Ai ua kthen kurthin me kurth, kjo tregon se kjo është vepër e mirë e Allahut dhe tregon për përsosmëri të Tij. Allahu i ruan besimtarët prej të keqes së armikut të tyre, duke përgatitur kurthe kundër tyre (të cilët bëjnë kurthe dëmtuese ndaj besimtarëve). Allahu i mbron besimtarët, edhe pse fillimisht ndoshta shohim se janë duke u mundur, mirëpo kurthi i Allahut është i përkryer, dhe pa dyshim përfundimi i mirë do të jetë për besimtarët e devotshëm.
***
Dijetarët i kanë përkufizuar këto tri cilësive: el mekru, el kejdu dhe el mihal, duke thënë: Goditja e armikut përmes shkaqeve e metodave të fshehta duke mos pasur ai njohuri rreth kësaj.
Kështu duhet të kuptohen këto Cilësi veprore, me të cilat nuk lejohet ta cilësojmë Allahun në mënyrë të pakufizuar. Allahun e cilësojmë me to vetëm në rastet kur tregojnë lavdërim e madhërim ndaj Tij, si: Allahu është më i miri i atyre që bëjnë kurthe, Allahu u bën kurthe atyre që bëjnë kurthe ndaj fesë së Tij, Allahu i mashtron ata që mundohen ta mashtrojnë Atë.
Dobi që përfitohen nga ajetet e temës:
-Nëse i besojmë siç duhet këto cilësi, kjo shton ndjenjën se jemi nën mbikëqyrjen e Allahut dhe se nuk na lejohet të bëjmë hile e mashtrime në ndalesat e Allahut (duke përdor hile për t’iu ikur ndalesave). Nëse njeriu e di se Allahu është më i mirë në bërjen e kurtheve dhe më i shpejt në kthimin e kurthit me kurth, apo në kthimin e mashtrimit me mashtrim, atëherë kjo e detyron të ndalet nga kjo gjë. Shembuj se si njerëzit mundohen ta mashtrojnë Allahun në ndalesat e Tij: në shitblerje, në çështjet e martesës etj.

