Lartësimi i Allahut – Cilësi e Tij

Lartësimi i Allahut – Cilësi e Tij

Allahu thotë: “(Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre afër Meje…” Ali Imran 55.

Pjesa “Unë do të të marr, do të të ngre afër Meje” argumenton se Allahu është lart mbi krijesat e Tij, me Qenien e Tij. Ajeti tregon se Ai tek i Cili është ngritur Isa, është lart. Isa është ngritur prej poshtë – lart në qiell.

Lartësimi i Allahut ndahet në dy lloje:

  1. Lartësimi kuptimor. Këtë e pohojnë të gjithë muslimanët, ithtarët e sunetit dhe të bidatit.
  2. Lartësimi Vetor, i Qenies. Këtë e pohojnë vetëm ithtarët e sunetit. Ata argumentojnë me Kuran, me sunet, me ixhma, me logjikë dhe me natyrshmëri.

Kurani argumenton në forma të ndryshme se Allahu është lart krijesave të Tij. Nganjëherë përmend se Allahu është lart krijesave, apo se Allahu është mbi krijesat e Tij, apo se disa gjëra ngrehen tek Allahu, apo disa gjëra zbresin prej Tij, apo se Allahu është në qiell.

“Ai është i Larti, Madhështori!” Bekare 256.

“Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit” Ala 1.

“Ai është i Sunduesi mbi robërit e Vet” Enam 18.

Ata i frikësohen Zotit të tyre (që është) lart mbi ta dhe bëjnë atë, që u urdhërohet.” Nahl 50. Dhe të tjera.

Sa u përket haditheve, ato janë mutewatira – të transmetuara nga shumë rrugë, si:

“I Lartësuar është Zoti im, më i Larti!” Muslimi.

Allahu është mbi Arsh.” Ibn Huzejme.

“A nuk më nxëni besë mua kurse unë jam i besuari tek Ai që është në qiell?!” Buhariu dhe Muslimi.

***

Allahu thotë: “por Allahu e ka ngritur afër Vetes.” Nisa 158.

Këtu është fjala për Isën alejhi ue selem. Allahu në këtë ajet asgjëson atë që kanë thënë hebrenjtë: “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes.” Nisa 157-158.

Allahu e ka ngritur lartë Isën tek Ai, dhe kjo tregon se Ai është i lartësuar me Qenien e Tij, ngase ngritja e një gjëje te dikush tjetër, kërkon medoemos që ai të jetë më lartë.

***

 

Allahu thotë: “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë.” Fatir 10.

Përfshihen të gjitha fjalët e bukura me të cilat kërkojmë afrim tek Allahu, si: leximi i Kuranit, dhikri, lutjet, mësimi i dijes tek të tjerët, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i së keqes etj.

Tek Ai ngjiten fjalët e bukura dhe Ai i ngre veprat e mira, dhe kjo tregon se Ai është lartë me Qenien e Tij, ngase gjërat (prej poshtë) ngjiten e lartësohen tek Ai.

Vepra e mirë është ajo që bëhet sinqerisht për Allahun – kushtuar vetëm Atij, dhe që bëhet në bazë të sunetit të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.

***

Allahu thotë: “Dhe Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një kullë që t’i arrij rrugët, rrugët e qiellit e të shoh Zotin e Musait, sepse jam i bindur se ai (Musai) gënjen”. Gafir 36-37.

Faraoni prej injorancës së tij ka besuar se nëse veziri i tij ngreh kullë të lartë atëherë arrin ta shohë Allahun e të takohet me Atë. Kjo tregon se Musa i ka treguar atij se Allahu është lart në qiell. Dhe Faraoni ka dashur t’ua pështjellojë të vërtetën njerëzve, duke i bërë të besojnë se Faraoni është zoti i tyre më i lartë. Ka mundësi siç thonë dijetarët që Faraoni këto fjalë t’i ketë thënë në formë tallëse.

Pohimi i lartësimit të Allahut me Qenien e Tij mbi krijesat e Tij, ka qenë e njohur dhe e shpallur edhe në legjislacionet e mëhershme. Për lartësimin e Allahut mbi krijesat e Tij, argumentojnë jo vetëm tekstet e Kuranit dhe sunetit por edhe mendja e shëndoshë dhe natyrshmëria në të cilën është krijuar njeriu. Për pohimin e lartësimit të Allahut mbi krijesat e Tij janë mbi 1000 argumente nga Kurani e suneti.

***

Allahu thotë: “A jeni të sigurt se kush është në qiell (lart jush), nuk do ta bëjë Tokën t’ju kapërdijë, kur të fillojë të dridhet papritmas? A jeni të sigurt se kush është në qiell (lart jush), nuk do t’ju çojë furtunë gurësh? Atëherë do ta dini sa i frikshëm është paralajmërimi Im!” Mulk 16-17.

Ai i Cili është në qiell është Allahu, mirëpo këtu nuk e përmend Veten e Tij, për të treguar madhështinë e Tij. Ai do të tregojë se sa i Madh është, do të shfaqë madhërinë dhe madhështinë e Tij, se Ai i cili është në qiell është mbi ju, është i fuqishëm të veprojë çfarë të dojë me ju, Ai ka ngadhënjyer mbi ju, është mbikëqyrësi i juaj. Andaj, Ai i Cili është i lartë dhe mbi të tjerët, Ai ka pushtet të veprojë si të dëshirojë me ata që janë nën Atë.

Ajeti nuk lejohet të interpretohet ndryshe duke thënë se qëllimi është “A jeni të sigurt prej dënimit, apo prej urdhrit, apo prej engjëjve…”

Në këto ajete na jepet shenjë që të mos ndihemi të sigurt prej kurthit dhe dënimit të Allahut. Nëse Allahu na jep mirësi të vazhdueshme dhe ne veprojmë mëkate, atëherë ky është një kurth – dërgim gradual drejt shkatërrimit.

Dobi: Kur njeriu e di se Allahu është lart mbi krijesat e Tij, do të kuptojë madhështinë dhe pushtetin e Tij, se Ai ka përfshirë çdo gjë  me pushtetin e Tij, atëherë patjetër do ta madhërojë Atë dhe do ta ketë frikë (dhe si rrjedhojë do të zbatojë obligimet dhe do të largohet prej ndalesave).

Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.

Madhësia e tekstit