“Ligji i tërheqjes” bie ndesh me akiden islame (në këto pika):
- Thërret në braktisjen e punës, në mosmarrjen e shkaqeve, kur njeriu do që të arrijë të realizojë diçka, dhe kështu mbështetet vetëm në mendimet, dëshirat e fantazitë e tij. Sipas këtij ligji, ai që është i ngjashëm me tjetrin e tërheq atë dhe se çdo gjë që ndodh në jetën e tij ndodh sepse është bërë shkak për ta tërhequr atë gjë dhe për t’i ndodhur/ardhur. Pra, ka ndodhur për shkak të mendimeve dhe gjërave siç i ka paramenduar me mendjen e tij, e ka tërhequr atë gjë rreth vetes t’i ndodhë. Këta njerëz mendojnë se mendimi i tyre ndikon, se vetë mendimi ndikon në veprat e njeriut apo në atë që e rrethon atë. Dhe se sipas tyre njeriu ka mundësi me vetë mendimet e tij të tërheqë çfarë do prej të mirave, pa punuar fare. Mendimi i tyre është se këto mendime të tyre kanë frekuenca dhe se lirohen prej mendjes së njeriut sikurse valët që shpërndahen nëpër hapësirë. Andaj nëse mendon pozitivisht, gjëra të mira, atëherë do të lirosh valë pozitive dhe kështu do të tërheqësh drejt vetës tënde gjëra të mira. Ndërsa, nëse mendon gjëra negative atëherë do të lirosh valë të tilla dhe kështu do të tërheqësh drejt vetës tënde gjëra negative. Pa dyshim ky besim bie ndesh me vetë shkencën. Shkenca nuk e pranon, e as logjika. Ai që beson dhe mendon se lejohet të veprohet me këtë ligj atëherë kjo bie ndesh me fenë sepse Allahu na ka urdhëruar të veprojmë, të përpiqemi, të ndërmarrim shkaqet, dhe arritjen e rrizkut Allahu e ka sjellë si rezultat i veprimit të shkaqeve, por jo duke u bazuar në të tilla gjëra që përmendëm. Bie ndesh me mendjen e shëndoshë sepse nëse njeriu bazohet vetëm në mendime e iluzionet e tij atëherë kjo çon në shkatërrimin e tokës dhe jetës në të dhe çon në hedhjen poshtë të arritjeve të njerëzve nëpër shekuj. Sipas kësaj teorie të pretenduar, i sëmuri nuk ka nevojë të kërkojë ilaç, por mjafton vetëm të mendojë se ka për t’u shëruar dhe do të shërohet! Po ashtu, njerëzit nuk kanë nevojë për inxhinierë, ndërtimtarë, punëtorë, por mjafton të mendojnë pozitivisht dhe u vijnë gjërat që dëshirojnë. Dikush shkon dhe më larg, duke kërkuar prej universit, Allahu na ruajttë! Thotë se nëse kërkon prej universit atëherë do të arrish të realizosh dëshirat pa punuar e pa u lodhur fare.
- Ka madhërim ndaj njeriut dhe dhënie shenjtëri e madhështi atij. Besojnë se njeriu ka forca e fuqi absolute, aq të madhe sa ka mundësi të arrijë atë nivel që vetë të krijojë, t’u japë vetë ekzistencë gjërave. Pa dyshim ky është devijim shumë i madh dhe është shirk në rububijen e Allahut.
- Thërret në besimin wahdetul wuxhud – unifikimi i universit, i cili është një besim i kotë dhe është kufër e shirk. Pra, besimi se Krijuesi dhe krijesa janë një gjë, nuk dallojnë, se njeriu është vetë Allahu i personifikuar në trup material. Allahu është i Lartësuar dhe i pastër nga kjo.
- Thërret në ngjalljen e besimeve të kota të filozofike të lindjes së largët, që janë filozofi politeiste, idhujtare, siç janë fetë e budistëve e hindusëve.
- Thërret për lidhjen e zemrës me universin, pra të shpresojë njeriu tek universi e të kërkojë prej tij. Thonë: “Nëse dëshiron diçka drejtoju universit dhe kërko prej tij, dhe ai të përgjigjet.” Ndërsa, siç e dimë, Islami thërret që ta lidhim zemrën për Allahun, tek Ai të shpresojmë dhe prej Tij të kërkojmë e t’i lutemi. Andaj, drejtimi te dikush tjetër përveç Allahut, në gjërat që nuk ka mundësi të të ndihmojë përveçse Allahu, kjo është shirk që e nxjerr njeriun prej feje.
- Kundërshton besimin e kadas dhe kaderit të Allahut, ngase mohon se Ai ka caktuar kaderet e krijesave. Allahu e ka krijuar njeriun dhe ka krijuar veprat e tij dhe ka caktuar se çfarë do të ndodhë. Siç e dimë, besimi në kada dhe kader është prej shtyllave të besimit (imanit) dhe njeriut nuk i pranohet besimi nëse nuk e beson këtë.
- Thërret në egoizëm, që njeriu të vërtitet rreth vetes së tij, të heqë dorë prej të gjitha vlerave, qofshin ato fetare apo morale. Thërret në vrapim pas epsheve, dëshirave e kënaqësive personale. Kriteri për të vepruar a për të mos vepruar, sipas tyre, është nëse ajo gjë të sjellë gjëra të mira apo jo, a është në dobinë tënde, a i kënaqesh asaj (a ta do zemra) apo jo. Nëse je i kënaqur atëherë veproje, përndryshe largoju, kjo pa marr parasysh fenë, apo moralin etj. Dhe kjo pa dyshim, bie ndesh me vlerat fetare e morale sepse muslimani është i kufizuar me kufijtë e fesë, por edhe me kufijtë e moraleve. Pra nuk i lejohet njeriut të dalë prej kufijve të fesë të caktuar prej Allahut. Atë që e ka urdhëruar Allahu është obligim, atë që e ka ndaluar Ai është e ndaluar. Është obligim për muslimanin ta zbatojë këtë e të mos dalë prej këtyre ligjeve të fesë.
- Edhe nga ana shkencore ky ligj është i pa pranuar, por është thjesht një mit apo besim i kotë prej të cilit njeriu duhet të largohet dhe të mos e përfillë fare.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.