Madhërimi ndaj Allahut të Plotfuqishëm
Madhërimi ndaj Allahut është prej veprave më të rëndësishme dhe më madhështore të zemrës. E sidomos sot muslimani e ka detyrë ta realizojë këtë adhurim në zemrën e tij, ta zbatojë dhe të thërrasë në të, ngase njerëzit kanë filluar ta kundërshtojnë madhërimin ndaj Allahut përmes disa mënyrave:
-Bërjes së mëkateve, saqë disave kjo u është bërë zakon (siç shohim disa popuj).
-Nënvlerësimit, nënçmimit e talljes me simbolet e Islamit dhe praktikuesit.
-Mosmadhërimi të teksteve të Kuranit e sunetit duke i dhënë përparësi mendimeve/opinioneve të veta (siç ndodh tek sektet e humbura, apo hipokritët etj.).
Realiteti i madhërimit ndaj Allahut
Këtë na sqaron më së miri dijetari es Sadi rahimehullah: “Kuptimet e pohuara dhe të vërtetuara të madhërimit të Allahut janë dy lloje: 1. Ai është i cilësuar me çdo Cilësi që tregon përsosmërinë e Tij. 2. Askush prej njerëzve nuk meriton të madhërohet si Allahu. Ai e meriton të madhërohet prej robërve të Tij me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë. Kjo arrihet kur ata përpiqen shumë ta njohin Allahun, ta duan, t’i nënshtrohen dhe t’i përulen Atij, si dhe ta lavdërojnë me gjuhë dhe të veprojnë me gjymtyrë në mirënjohje/falënderim ndaj Tij…”
Madhërimi dhe dashuria ndaj Allahut është shpirti i adhurimit që bëjmë. Aq sa njeriu ka dije për Allahun, për Emrat, Cilësitë dhe veprat e Tij, aq do të ketë madhërim ndaj Tij në zemrën. Ai që e njeh Allahun më së shumti, është ai i cili e madhëron Atë më së shumti.
Rëndësia e madhërimit ndaj Allahut:
- Njësimi i Allahut në uluhije, rububije dhe në emrat e cilësitë e Tij, bazohet e ndërtohet mbi madhërimin ndaj Allahut.
- Njerëzit do të dallojnë varësisht besimit, madhërimit ndaj Allahut me zemrat e tyre dhe bindjes se janë nën mbikëqyrjen e Tij (fshehtas dhe në publik).
- Madhërimi ndaj Allahut është themeli mbi të cilin ngritën dhe ndërtohen shumë vepra të zemrës, në të cilat bazohet të qenët rob adhurues ndaj Allahut, si: dashuria, frika, shpresa, turpi, sinqeriteti, bindja etj.
- Madhërimi ndaj Allahut bëhet shkak që njeriu të shpejtojë të kryejë adhurime dhe vepra të mira.
- Nëse madhërimi ndaj Allahut zë vend në zemrën e personit, atëherë kjo bëhet shkak që ai të respektojë ndalesat e Tij (të mos i shkelë ato). E nëse ndodh të bie në ndalesa, atëherë për shkak të madhërimit që ka ndaj Allahut, do të shpejtojë në pendim dhe kthim tek Ai dhe do të kërkojë falje. Ibën Kajimi ka thënë: “Për personin i cili kryen mëkate, mjafton si dënim dobësimi i madhërimit ndaj Allahut në zemrën e tij.”
- Nëse madhërimi ndaj Allahut zë vend në zemrën e personit, kjo është prej shkaqeve të ruajtjes së zemrës prej dyshimeve.
- Nëse madhërimi ndaj Allahut zë vend në zemrën e personit, kjo është shkak që ai të jetë i përulur në namazin e tij.
Disa prej ajeteve që flasin për madhërimin ndaj Allahut:
-“Ata nuk e madhëruan Allahun siç e meriton të madhërohet. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” Zumer 67. Dhe: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” Ata nuk e çmojnë Allahun me vlerën e Tij të vërtetë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” Haxh 73-74. Dhe: “Ata nuk madhërojnë siç duhet Allahun, kur thonë: “Allahu nuk i ka zbritur asgjë njeriut” Enam 91.
Shejkhul Islam ibën Tejmije kur flet për këto ajete thotë: “Te ajeti i parë, Allahu pohon madhërinë e cila është në Qenien e Tij dhe Cilësitë që i meriton. Tek ajeti i dytë, Allahu pohon teuhidin dhe se vetëm Allahu është Ai i Cili e meriton adhurimin. Tek ajeti i tretë, Allahu pohon se Ai ka zbritur Shpallje te Pejgamberët e Tij. Tek të tre ajetet, Allahu i nënçmon ata (jobesimtarët, idhujtarët) që nuk e kanë madhëruar ashtu siç Ai e meriton. Ky është argument se besimtari e ka obligim ta madhërojë Allahun ashtu siç e meriton Ai, ta ketë frikë Atë dhe ta kundërshtojë nefsin e tij.”
“Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.” Merjem 90-91. Ibën Kethiri ka thënë: “Për shkak të madhërimit që kanë ndaj Allahut.”
Shejh AbdulUehab rahimehullah ka thënë: “Ato që na janë përmendur nëpër tekstet fetare për madhështinë e Allahut, janë vetëm aq sa e perceptojnë mendjet tona. Madhështia dhe madhëria e Allahut është shumë më e gjerë dhe më e madhe se aq, saqë mendjet tona kurrë nuk mund ta perceptojnë atë.”
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur Allahu dëshiron të shpallë diçka, Ai flet me të dhe të gjithë universin e kap një dridhje e madhe prej frikës ndaj Tij. Kur e dëgjojnë engjëjt, alivanosen dhe i bien në sexhde Allahut. I pari që e ngreh kokën është Xhibrili. Dhe Allahu i flet nga ajo që dëshiron prej shpalljes.”
Rezultatet që sjellë madhërimi ndaj Allahut te personi:
» Dashuria ndaj Allahut. Ata që i nënshtrohen dhe e madhërojnë Allahun, do ta duan Atë.
» Atë që e madhëron Allahun, do ta duan krijesat dhe do të jetë i pranuar tek ta.
» Përmes madhërimit ndaj Allahut arrihet qetësia dhe prehja, kjo sepse ai që e madhëron Allahun ka zemër të lidhur për Atë, ka mendim të mirë ndaj Tij dhe çështjet ia dorëzon Atij.
» Ai që e madhëron Allahun, ka ëmbëlsi të besimit në zemrën e tij dhe ka lumturi në gjoksin e tij (kjo sepse ka zbatuar urdhrat e Tij dhe është larguar prej ndalesave).
» Allahu zbret mëshirë mbi ata që e madhërojnë Atë. Dhe kështu ua largon brengat, ua lehtëson vështirësitë, iu përgjigjet lutjeve të tyre dhe iu ndihmon kundër armiqve të tyre.
» Allahu e fut në xhenet atë që e madhëron Atë.
Shkaqe të cilat ndihmojnë të kemi madhërim ndaj Allahut: Të meditojmë mbi kuptimet e ajeteve të Kuranit, të pajisemi me dije rreth Emrave e Cilësive të Tij si dhe gjurmëve të tyre tek krijesat, të lutemi tek Allahu të na mbushë zemrën me madhërimin ndaj Tij, të shtojmë dhikrin, të kryejmë adhurimet me përulje e nënshtrim, të shoqërohemi me të devotshmit dhe t’ia kujtojmë vetes dhe të tjerëve madhërimin ndaj Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.