Mashkulli nuk është si femra
Allahu thotë: “…e mashkulli nuk është si femra”. Ali Imran 36. Ky parim është gjurmë që tregon për përsosmërinë e urtësisë dhe fuqisë së Allahut në krijesat e Tij. Siç tregohet në Kuran, gruaja e Imranit, nëna e Merjemes, është zotuar tek Allahu se fëmijën që do ta lindë do ta dhurojë për të shërbyer në Bejtul Makdis. Dhe kur ka lindur, ka parë se foshnja ka qenë femër. Atëherë ajo ka thënë: “Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra.” Fuqia e mashkullit për të shërbyer në xhami dhe të japë mundin në këtë, nuk krahasohej me fuqinë e femrës, aq më tepër kur dihet se femra është më e dobët fizikisht (dhe nga ana tjetër ka gjëra që ia shtojnë këtë gjë, si: menstruacionet, lehonia).
Kurani ka sqaruar se ka dallime mes dy gjinive, në shumë vende, “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato” Nisa 34, “…burrat kanë një shkallë më lartë”. Ky vlerësim që ia ka bërë Allahu mashkullit mbi femrën është në aspektin e udhëheqjes, dirigjimit, mbrojtjes, kujdesit etj. Mirëpo, ky nderë vjen dhe me obligime e përgjegjësi të mëdha. Meqenëse Allahu e ka ngritur burrin në këto aspekte, atëherë kjo kërkon që ai duhet t’ia japë gruas të gjitha të drejtat që i takojnë, në të kundërt, tregon shkujdesje, dhe nga ana tjetër duhet të lëshojë pe nga pak (të tolerojë ndaj disa të drejtave të tij, duke mos i kërkuar të plota). Kjo është ajo që e kërkon burrëria. Pra, burri të mos futet në ato gjëra që shkaktojnë armiqësi e mosmarrëveshje me gruan e tij, por duhet të tregohet më i ngritur sesa kjo dhe të shohë gruan me syrin e mëshirës dhe dhembshurisë. Në këtë mënyrë kuptohet ky ajet. E nuk nënkupton që të mbahet i madh, kryelartë dhe i padrejtë (zullumqar) ndaj gruas.
Disa gjëra që janë natyrshmëri e gruas janë përsosmëri në fizionominë e saj, ndryshe nga burrat, si: ana fizike e dobët e femrës është përsosmëri e saj, shenjë e bukurisë së saj (kur nuk përngjan me burrin) dhe kjo e tërheq burrin drejt saj, ndërsa te burrat është mangësi.
Për shkak të dallimit që ekziston mes fizionomisë së burrit dhe gruas, ka dallim pastaj në disa dispozita. Kjo duke marrë parasysh natyrën e trupit të gruas dhe aspektin psikologjik e shpirtëror. Këto dallime i pranojnë edhe njerëzit që nuk janë muslimanë.
Personi që pretendon se femra dhe mashkulli janë të barabartë e ka zhvlerësuar:
-Kuranin, kemi ajetin: “e mashkulli nuk është si femra”. Ali Imran 36.
-Sunetin, kemi hadithin: “Allahu ka mallkuar burrat që u ngjasojnë grave dhe gratë që u ngjasojnë burrave!”
-dhe arsyen e shëndoshë.
Urtësi mes dallimit të burrit dhe gruas (në disa dispozita fetare):
─ Në trashëgimi, mashkullit i takojnë dy hise e femrës një hise. Mashkulli lodhet, është më i fortë, del të fitojë furnizimin, përballet me vështirësi, pastaj ai është prej të cilit kërkohet shpenzimi (mangësimi i pasurisë), e përderisa mashkulli është ai prej të cilit pritet gjithherë mangësimi i pasurisë ndërsa femra është ajo së cilës vetëm i shtohet pasuria (përmes mehrit- dhuratës së martesës, kujdesit që i bëhet prej të tjerëve) atëherë më primar është mashkulli që t’i plotësohet (sadopak) mangësia e pasurisë.
─ Në dhënien e dëshmisë. Allahu thotë: “Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra.” Bekare 282. Në mendjen e femrës ka pak mangësi. Pikërisht kjo është drejtësia e plotë. Shejh Seid Rashid Rida duke sqaruar këtë dallim thotë: “Nuk është prej çështjeve të gruas të merret me transaksione të tregtisë (ajeti ka ardhur në këtë kontekst). Mirëpo, natyra e gruas është marrja me punët e shtëpisë e të tilla, dhe kujtesa e saj sa i përket çështjeve që u përkasin burrave është më e dobët, andaj mund të gabojë. Ndërsa, në anën tjetër, në punët e shtëpisë, në edukimin e fëmijëve e kujdesin ndaj tyre, kujtesa e saj është më e fortë sesa e burrit.” Njeriu, kujtesën e ka më të fortë në ato gjëra me të cilat angazhohet (zakonisht) dhe u kushton vëmendje më shumë. Dikush mund të thotë se ka gra që merren me tregti e biznes, por edhe nëse ka prapë përqindja është më e vogël në krahasim me burrat. Dispozitat fetare nuk merren në bazë të rasteve të rralla, por në bazë të asaj që është më e përgjithshme. Por, a ia ulë kjo gjë pozitën femrës? Pa dyshim se jo. Përkundrazi, feja Islame me këtë e ruan femrën në mënyrë që të mos merret me diçka dytësore, por të merret me atë që është më parësore për të (çështjet brenda shtëpisë e familjes). Pastaj, nganjëherë te dhënia e dëshmisë, gruaja është sikurse burri, p.sh.: dëshmia për shikimin e hënës së re të muajit të Ramazanit, dëshmia në çështjet e gjidhënies, lehonisë, menstruacioneve, lindjes etj.
Barazia gjinore
Kjo fjalë nuk haset askund në Kuran e sunet. Barazia apo mosbarazia nuk përmendet asnjëherë në Kuran në lidhje me mashkullin e femrën. Ajo çfarë përmendet është drejtësia, “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë…” Nahl 90. Termi “barazi” mund të fusë ngatërresa. Ndërsa “drejtësia” është fjalë e qartë, e drejtpërdrejtë, që do të thotë se secilit duhet t’i jepet e drejta që i takon. Drejtësia në këtë rast do të thotë: burri të kryejë ato punë që janë në natyrën e tij burrërore, ndërsa gruaja të kryejë ato punë që janë në natyrën e saj femërore, të përshtatshme për të. Kurse, kur themi “barazi” kjo do të thotë: secili të kryejë punën që kryen edhe tjetri, pa dallime. Kjo bie ndesh me natyrshmërinë e tyre dhe ka pasoja të mëdha e të pariparueshme në shoqëri. Përmendim disa pasoja (të cilat i kanë përmendur edhe shoqëritë e huaja): humbja e anës femërore, mosplotësimi i të drejtave ndërmjet veti (mes burrit e gruas), moskujdesi i duhur ndaj fëmijëve etj. Kjo thirrje është e pasuksesshme. Muslimani duhet të dijë se nëse dëshiron qetësinë dhe rehatinë shpirtërore duhet t’i dorëzohet Allahut dhe fesë së Tij.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.