Mëkatarë dhe jetë të mirë

─ Mëkatarë dhe jetë të mirë

-Ky është dënim prej Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse sheh dikë t’i bëjë mëkate Allahut vazhdimisht dhe Ai i jep prej të mirave të Tij vazhdimisht, atëherë kjo është tedrixh (gradualisht kështu e dërgon drejt dënimit).” Kur njeriu është në këtë gjendje, bën mëkate dhe ndërkohë i vijnë të mirat, atëherë atij nuk i shkon ndërmend të pendohet. Kur është në mirëqenie dhe përmbush të gjitha dëshirat edhe pse ato e zemërojnë Allahun dhe nuk i kushton rëndësi kësaj, atëherë ai bëhet mendjemadh dhe nuk mendon të pendohet, të nënshtrohet, të kërkojë falje e të kthehet tek Ai- kjo është një formë e dënimit prej Allahut për këtë person. Kjo është e rrezikshme.

-Besimtari nuk duhet të mashtrohet pas gjendjeve të tjerëve e të thotë: “Muslimanët janë në sprova e varfëri, ndërsa të tjerët kanë jetë të mirë.” Parimisht kjo nuk është e vërtetë. Ata mund të kenë jetë të mirë në aspektin e jashtëm (material), mirëpo jo në anën e brendshme, sepse ata vuajnë shpirtërisht, kanë shqetësime, dëshpërime etj. Kjo sepse i bëjnë shirk Allahut, apo e mohojnë, apo nuk janë mirënjohës, apo mëkatojnë etj. Personi i tillë nuk ka mundësi të jetë i qetë nga ana shpirtërore dhe i lumtur. Vetëm besimtari është i lumtur dhe i qetë shpirtërisht, pavarësisht se në çfarë gjendje materiale është. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97.
Jetë të mirë do të thotë: Lumturi e qetësi shpirtërore, të zemrës e të mendjes, edhe nëse është i varfër.

-Besimtari e di se kjo dunja nuk ka vlerë tek Allahu dhe nuk ia vlen lidhja e zemrës për të. Sa më shumë që e lidh zemrën për jetën e kësaj bote do të vuajë e do të ketë dhimbje shpirtërore. Sa më shumë që e lidh zemrën për botën tjetër do të jetë i lumtur dhe i qetë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur kjo dunja të kishte vlerë tek Allahu sa krahu i mizës, Allahu nuk do t’i jepte jobesimtarit asnjë pikë ujë.” Muslimani nuk duhet të jetë konfuz se pse Allahu u jep atyre të mira të kësaj bote, ndërsa disa muslimanë kanë gjendje të rëndë. Sikur dunjaja të kishte vlerë tek Allahu, atëherë ia kishte dhënë krijesës së tij më të dashur, Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, mirëpo ai ka pasur jetë të varfër. Në disa raste ka lidhur gurë në barkun e tij për shkak të urisë së madhe (madje gjendja e rëndë i është vërejtur në dobësimin e zërit). Ka ndodhur që të kalojnë muaj e në shtëpinë e tij të mos ndizet zjarri për t’u gatuar gjellë (kanë ngrënë hurma e të tilla).

-Ajo së cilës duhet t’i kushtojë rëndësi besimtari është bota tjetër. Kurse jeta e kësaj bote është vetëm rrugë ose urë përmes së cilës kalohet për në botën tjetër. Aty ku do të qëndrojmë përgjithmonë është bota tjetër. Andaj, besimtari duhet të përpiqet ta kalojë atë në mënyrën më të mirë, për të përfunduar në xhenet e jo në xhehenem.

-Ka prej muslimanëve të mirë e të devotshëm të cilët janë pasanikë të mëdhenj, ndërsa ka të tjerë që janë të varfër. Këto çështje i cakton Allahu, janë në dorën e Tij. Disave u jep më shumë e disave më pak, në bazë të dijes dhe urtësisë së Tij. Dikujt i jep shumë sepse e di se dunjaja nuk e dëmton dhe atë që ia jep e shfrytëzon në adhurim ndaj Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sa e mirë është pasuria për besimtarin e devotshëm.” Besimtari i devotshëm me pasurinë që ia ka dhënë Allahu e arrin xhenetin (e shpenzon në rrugën e Allahut, për të arritur kënaqësinë e Tij). Dikujt ia kufizon furnizimin ngase e di se do të dëmtohet në besim. Besimtari duhet të jetë i kënaqur me atë që ia ka dhënë Allahu, dhe me këtë arrin kënaqësinë e lumturinë, siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Ka shpëtuar ai që është musliman, që ka furnizim të mjaftueshëm dhe është i kënaqur me atë që ia ka dhënë Allahu.” Imam Shafiu ka thënë: “Ai që është i kënaqur me atë që ia ka dhënë Allahu është i barabartë me mbretin më të madh në këtë botë (i cili ka pasuri e pushtet).” Ai që është i kënaqur me atë që ka e di se ajo është mbretëria e tij, aq i ka dhënë Allahu dhe kjo gjë i mjafton. Ndërsa, ai që nuk është i kënaqur nuk ngopet kurrë dhe nuk i bën dobi edhe nëse ka tërë botën, ai është i varfër në shpirtin e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasuria e vërtetë është pasuria e shpirtit.” Pra që të jesh i kënaqur me atë që posedon dhe të mos lakmosh pasurinë e të tjerëve. Nëse mendon se Allahu i ka favorizuar jobesimtarët ndaj muslimanëve për shkak se atyre u ka dhënë pasuri, ky është keqkuptim i fesë dhe mosdije, gjithashtu mendim i keq ndaj Allahut. Nuk ka mundësi që Allahu të favorizojë dikë i cili i bën shirk e kufër Atij, më shumë sesa një besimtar i cili ka teuhid dhe i nënshtrohet Atij.

Madhësia e tekstit