Mëkatet dhe ëmbëlsia e besimit

Zemra e njollosur me papastërtitë e mëkateve nuk ka mundësi të gjejë ëmbëlsinë e besimit. Prej dënimeve më të mëdha të mëkateve është se ato e privojnë njeriun prej kënaqësisë së adhurimeve, edhe pse shumë prej njerëzve nuk e vërejnë (hetojnë) këtë, kjo si rezultat i dijes së paktë, apo besimit të dobët, apo zemrës së prishur. Ka thënë poeti (këto fjalë i atribuohen imam Shafiut): “I bën mëkat Allahut dhe pretendon dashurinë ndaj Tij, kjo është e shëmtuar. Sikur të kishte qenë dashuria jote e sinqertë, do t’i bindeshe Atij, sepse ai që e do dikë i bindet atij. Për çdo ditë Allahu të jep mirësi të reja, ndërsa falënderimin (ndaj Tij) po e humbet duke i bërë mëkat.”[1] Ibn Xheuzi rahimehullah thotë: “Nuk është e njëjtë rroba e shqyer e cila duhet të arnohet me rrobën e pa shqyer dhe pa vrima.” Nuk është njëjtë sikur të veprosh mëkate sikur të mos veprosh. Edhe nëse pas mëkatimit je penduar, prapë nuk është njëjtë sikur të mos veprosh mëkat. Ebu Sulejman ed Darani rahimehullah thotë: “Nuk është çudi me atë i cili ende nuk e ka përjetuar kënaqësinë e adhurimit, por çudi është me atë që e ka përjetuar dhe pastaj e ka humbur atë.” Një njeri i ka thënë Ibrahim ibn Ed’hehemit rahimehullah: “Nuk po mund të fali namaz nate. Më përshkruaj një ilaç!” Dhe i ka thënë: “Mos i bëj mëkat Allahut gjatë ditës, Ai do ta mundësojë të qëndrosh para Tij gjatë natës.” Sufjan eth Theuri rahimehullah ka thënë: “Jam privuar prej namazit të natës për pesë muaj për shkak të një mëkati!” E kanë pyetur Hasan el Basriun rahimehullah: “Dua të falem namaz nate, e përgatis vendin e ujin, por prapë nuk mund të zgjohem.” I ka thënë: “Të kanë lidhur mëkatet.” Ebu Derda rahimehullah ka thënë: “Njeriu vetmohet për t’i bërë mëkat Allahut, e kështu Ai hedh urrejtje në zemrat e njerëzve (muslimanëve) për të kurse ai nuk e ndjen fare.”

Ibn Kajim në librin “El Feuaid” përmend përmbledhtazi pasojat e mëkateve, thotë: “Njeriut (mëkatar) i jepet pak sukses (në vepra të mira, të dobishme), ka mendim të prishur, e vërteta tek ai bëhet e parëndësishme, zemra i shkatërrohet, njerëzit nuk e përmendin për të mirë, e humbet kohën kotë, njerëzit ikin prej tij, ndjen vetmi të egër mes tij dhe Allahut (nuk përjeton prehje), mëkatet e pengojnë nga marrja e përgjigjes së lutjeve, ia ngurtësojnë zemrën, ia largojnë bereqetin prej furnizimit dhe jetës, e privojnë prej dijes (fetare), ia veshin rrobat e poshtërimit, ai bëhet i pavlefshëm në sytë e armikut, i ngushtohet kraharori, sprovohet me shokë të këqij të cilët janë shkaktarë për prishjen e zemrës dhe humbjen e kohës së tij, i shtohen brengat, shqetësimet e ankthet, bën jetë të vështirë, çdo çështje i vështirësohet etj. Të gjitha këto burojnë prej mëkateve dhe shkujdesjes ndaj dhikrit…ndërsa të kundërtat e këtyre burojnë prej adhurimit ndaj Allahut.”

[1] Nuk duhet të mendohet se mëkatari musliman nuk e do Allahun. Ai ka njëlloj dashurie ndaj Allahut, mirëpo është një dashuri të dobët, e cila nuk e ndalon prej mëkatimit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit