Mëkatimi pengon ëmbëlsinë e besimit
Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur…” Nahl 97. Dahaku (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Jeta e mirë, e bukur, është kryerja e adhurimeve dhe hapja e kraharorit kur i kryen ato.” Selefi ka thënë: “Domethënë: Do ta furnizojmë me një adhurim në të cilin do të gjejë ëmbëlsinë e tij (në zemër).” Kjo qetësi, prehje e lumturi e zemrës dhe shpirtit arrihet përmes adhurimit ndaj Allahut, lidhjes me Atë dhe përmendjes së Tij. Ndërsa, ata që ia kthejnë shpinën fesë, do të jetojnë jetë me brenga, të mjerë, “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar…” Ta he 124. Nuk ka qetësi e rehati të shpirtit për të, gjoksi i tij është i ngushtuar, edhe nëse kënaqet nga pamja e jashtme apo në sytë e njerëzve, vesh rroba të shtrenjta, ha ushqime të ndryshme të mira, jeton në banesa luksoze etj. Përderisa në zemrën e tij nuk ka depërtuar udhëzimi, ai jeton një jetë të mjeruar (nga brenda).
Nëse te ndonjëri prej nesh nuk shfaqen gjurmët e ëmbëlsisë së besimit dhe adhurimit, atëherë le t’i kthehet vetes së tij e të shikojë arsyen e kësaj. Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që nuk ndjen ëmbëlsinë e adhurimeve në zemrën e tij dhe nuk i hapet gjoksi për ato adhurime, le të akuzojë (kritikojë) zemrën e tij (e jo adhurimin). Allahu është Shekuur – Falënderues i madh, Ai e shpërblen robin e Tij për adhurimin edhe në jetën e kësaj bote para botës tjetër, e ky shpërblim është ëmbëlsia që ndjen në zemrën e tij (për veprat që bën), hapja e kraharorit dhe prehja e syve. Nëse nuk e gjen atë (ëmbëlsinë e veprave) atëherë në këto vepra ka defekt.”
Mëkatet janë një pengesë e fortë për shijimin e kësaj ëmbëlsie. Arsyeja është sepse mëkatet sjellin ngurtësim në zemër. Disa prej selefit kanë thënë: “Allahu nuk e ka goditur njeriun me ndëshkim më të madh sesa me ngurtësim të zemrës së tij.” Ka mundësi që dikush të lëshojë shikimin në ndalesa dhe (si pasojë) Allahu ta privojë prej dritës së dijes dhe largpamësisë. Tjetri ka mundësi të lëshojë gjuhën e tij në përgojim, bartje të fjalëve e të tilla, dhe Allahu ta privojë prej pastërtisë së zemrës. Tjetri ka mundësi të marrë pasuri të dyshimtë me të cilën ushqehet dhe Allahu t’ia errësojë zemrën e tij. Një nga dijetarët ka thënë: “Ashtu si trupi i sëmurë nuk shijon shijen e mirë të ushqimit, po ashtu zemra e sëmurë (me mëkate) nuk e shijon ëmbëlsinë e adhurimeve.”
Zemra e njollosur me papastërtitë e mëkateve nuk ka mundësi të gjejë ëmbëlsinë e besimit. Prej dënimeve më të mëdha të mëkateve është se ato e privojnë njeriun prej kënaqësisë së adhurimeve, edhe pse shumë prej njerëzve nuk e vërejnë (hetojnë) këtë, kjo si rezultat i dijes së paktë, apo besimit të dobët, apo zemrës së prishur. Ka thënë poeti (këto fjalë i atribuohen imam Shafiut): “I bën mëkat Allahut dhe pretendon dashurinë ndaj Tij, kjo është e shëmtuar. Sikur të kishte qenë dashuria jote e sinqertë, do t’i bindeshe Atij, sepse ai që e do dikë i bindet atij. Për çdo ditë Allahu të jep mirësi të reja, ndërsa falënderimin (ndaj Tij) po e humbet duke i bërë mëkat.”[1] Ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk është e njëjtë rroba e shqyer e cila duhet të arnohet me rrobën e pa shqyer dhe pa vrima.” Nuk është njëjtë sikur të veprosh mëkate sikur të mos veprosh. Edhe nëse pas mëkatimit je penduar, prapë nuk është njëjtë sikur të mos veproje mëkate. Ebu Sulejman ed Darani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk është çudi me atë i cili ende nuk e ka përjetuar kënaqësinë e adhurimit, por çudi është me atë që e ka përjetuar dhe pastaj e ka humbur atë.” Një njeri i ka thënë Ibrahim ibn Ed’hehemit (Allahu e mëshiroftë!): “Nuk po mund të fali namaz nate. Më përshkruaj një ilaç!” Dhe i ka thënë: “Mos i bëj mëkat Allahut gjatë ditës, Ai do ta mundësojë të qëndrosh para Tij gjatë natës.” Sufjan eth Theuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Jam privuar prej namazit të natës për pesë muaj për shkak të një mëkati!” E kanë pyetur Hasan el Basriun (Allahu e mëshiroftë!): “Dua të falem namaz nate, e përgatis vendin e ujin, por prapë nuk mund të zgjohem.” I ka thënë: “Të kanë lidhur mëkatet.” Ebu Derda (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Njeriu vetmohet për t’i bërë mëkat Allahut, e kështu Ai hedh urrejtje në zemrat e njerëzve (muslimanëve) për të kurse ai nuk e ndjen fare.”
Ibn Kajimi në librin “El Feuaid” përmend përmbledhtazi pasojat e mëkateve, thotë: “Njeriut (mëkatar) i jepet pak sukses (në vepra të mira, të dobishme), ka mendim të prishur, e vërteta tek ai bëhet e parëndësishme, zemra i shkatërrohet, njerëzit nuk e përmendin për të mirë, e humbet kohën kotë, njerëzit ikin prej tij, ndjen vetmi të egër mes tij dhe Allahut (nuk përjeton prehje), mëkatet e pengojnë nga marrja e përgjigjes së lutjeve, ia ngurtësojnë zemrën, ia largojnë bereqetin prej furnizimit dhe jetës, e privojnë prej dijes (fetare), ia veshin rrobat e poshtërimit, ai bëhet i pavlefshëm në sytë e armikut, i ngushtohet kraharori, sprovohet me shokë të këqij të cilët janë shkaktarë për prishjen e zemrës dhe humbjen e kohës së tij, i shtohen brengat, shqetësimet e ankthet, bën jetë të vështirë, çdo çështje i vështirësohet etj. Të gjitha këto burojnë prej mëkateve dhe shkujdesjes ndaj dhikrit…ndërsa të kundërtat e këtyre burojnë prej adhurimit ndaj Allahut.”
Sa e sa mëkate të një çasti kanë sjell te vepruesi i tyre poshtërim e privim prej adhurimeve! Disa prej selefit kur janë pyetur se a përjeton mëkatari ëmbëlsinë e adhurimit, janë përgjigjur: “Jo vetëm ai, por edhe ai që ka për qëllim të bëjë mëkat (nuk e gjejnë ëmbëlsinë e besimit).” Mëkatet janë sëmundje e zemrës. Jahja ibn Muadhi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sëmundja e trupit manifestohet me dhimbje, kurse sëmundja e zemrës vjen prej mëkateve. Ashtu siç trupi nuk përjeton kënaqësinë e ushqimit kur është i sëmurë ashtu dhe zemra nuk e përjeton kënaqësinë e adhurimeve kur është e mbushur me mëkate.” Andaj njeriu duhet të largohet prej mëkateve, të pendohet, të heqë dorë prej tyre, të vendosë të mos kthehet më në to dhe të shtojë istigfarin.
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ulja e shikimit në ndalesa sjell tri dobi”, prej tyre: “sjell ëmbëlsinë e besimit dhe kënaqësinë e tij, e cila është më e ëmbël, më e bukur dhe më e madhe sesa ajo prej të cilës e ka larguar shikimin dhe e ka lënë për hir të Allahut, ngase “atij që lë një gjë (ndalesë) për hir të Allahut, Ai do t’ia zëvendësojë me diçka shumë më të mirë (hadith).” Ndërsa, ibn Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!) përmend se një prej rabinëve të hebrenjve ka thënë: “O Zoti im, sa shumë mëkate po të bëj e nuk më dënon”, por i është thënë: “Sa shumë të kam dënuar e nuk e ke vërejtur. A nuk të kam privuar prej ëmbëlsisë së adhurimeve?!” Shumë prej nesh dënohen në këtë formë por nuk e dinë këtë.
Gjithashtu, shqetësimi, ankthi, pikëllimi, brenga e ngushtimi i gjoksit, mund të jenë si dënim i përshpejtuar në këtë botë për shkak të bërjes së mëkateve. Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mëkatet sjellin si pasojë brenga e dhimbje shpirtërore dhe ngushtim të gjoksit (jetë të turbulltë) dhe ngurtësim të zemrës, që është gjë më e madhe sesa kënaqësia e përjetuar në mëkate.”
Pendimi duhet të bëhet për hir të Allahut, se Allahu e ka ndaluar një mëkat (të caktuar), gjithashtu dhe për shkak të frikës dhe ndëshkimit të Tij. Ndëshkimi i Allahut mund të jetë në këtë botë dhe tjetrën, sepse për gjynahet që vepron njeriu, parimisht do të dënohet, ose në këtë botë ose tjetrën. Nuk mund të kalojë një gjynah pa u dënuar. Ky është rregull. Kjo sepse personi ka shkelur ndalesën apo urdhrin e Allahut. Allahu është shumë Madhështor që të shkelen ndalesat e Tij në mbretërinë e Tij. Mirëpo, Allahu ka lënë këtë derë të hapur, pra pendimin, që të na shlyejë mëkatet, e gjithashtu na shlyen ato përmes veprave të mira (mëkatet e vogla na shlyhen përmes veprave të mira).
Te braktisja e mëkateve është jeta e zemrës. Sa më shumë që qëndrojmë larg mëkateve, aq më shumë do të gjallërohet zemra jonë.
Nëse nuk e ushqen besimin tënd me dije dhe vepra të mira, në fillimin e praktikimit të Islamit, pas një kohe fillon të dobësohet. Andaj shumë prej njerëzve i braktisin ato vepra të mira (që i vepronin) ngase zakonisht ndodhë ta kenë lëshuar veten në mëkate (shikim, dëgjim, përgojim etj.). Nëse njeriu vepron mëkate, kjo bëhet shkak që ta pengojnë prej veprave të mira. Mëkatet janë barrë e peshë e rëndë e cila vendoset mbi supet e tij, andaj ai nuk gjen vullnet të ngritët e të veprojë vepra të mira. Kështu, nëse do të kthehet në rrugën e Allahut dhe të veprave të mira, nuk mjafton vetëm dëshira, por duhet të marrë hapa konkret.
Pengesa të tjera janë: rënia në gjëra të dyshimta, shoqërimi me mëkatarë, dashuria ndaj dunjasë, kërkimi i kënaqësisë së njerëzve, përzierja (qëndrimi) i tepërt me njerëzit, dyfytyrësia etj.
Gjëja që më së shumti ndihmon që njeriu t’i braktisë mëkatet është të mësuarit rreth Allahut, rreth Cilësive të Tij. Sa më shumë që njeriu ta njohë Allahun, aq më shumë e ka frikë Atë dhe aq më pak do t’i bëjë mëkat Atij. Dijetarët thonë: “Ai që e njeh Allahun më shumë, do t’ia ketë frikën më shumë. Ai që e ka frikë Atë, do të qëndrojë më larg mëkateve.” Kur njeriu do të veprojë një mëkat në vetmi dhe kujton se Allahu e sheh, pa dyshim se kjo do të ndikojë që ai të mos e veprojë atë mëkat, ngase Allahu i Cili po e sheh, është Krijuesi i Tij, Madhështori, i Fuqishmi, i Cili dënon ashpër.
[1] Nuk duhet të mendohet se mëkatari musliman nuk e do Allahun. Ai ka një lloj dashurie ndaj Allahut, mirëpo është një dashuri të dobët, e cila nuk e ndalon prej mëkatimit.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.