Mëkatimi – Sëmundja e dhjetë e zemrës

Sëmundja e dhjetë:

Mëkatet dhe ilaçi

Mëkatimi është prej sëmundjeve më të rrezikshme që godasin zemrën e njeriut. Kjo sëmundje së pari e sëmurë zemrën, pastaj e nxinë atë dhe në fund e vdes. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Fitnet para Kiametit, do t’iu ekspozohen zemrave si fijet e hasrës…” Dijetarët thonë se ato do të jenë të shumta, siç janë fijet e hasres, gjithashtu do të lënë gjurmë siç lë hasra kur shtrihesh mbi të. “Çdo zemër që e pranon atë, në të bëhet një pikë e zezë e ajo që nuk i pranon, në të bëhet një pikë e bardhë, derisa të bëhet e bardhë si guri i lëmuar (nuk kapet asgjë në të). Këtë zemër nuk e dëmton asnjë fitne për aq sa të ekzistojnë qiejt dhe toka. Kurse, zemra që i përthithë fitnet do të bëhet e zezë derisa të nxihet dhe do të jetë sikurse ena/kupa e kthyer përmbysë (nuk mbushet). Kjo zemër nuk e di se çfarë është e mira e as nuk e refuzon të keqen (nuk e bën dallimin mes të vërtetës e të kotës etj.), por i pranon vetëm ato gjëra të cilat ia do epshi e tekat e tij.” Në një hadith tjetër ka thënë: “Njeriu kur bën gjynah i bëhet një pikë e zezë në zemër. Nëse heqë dorë prej tij, kërkon falje dhe pendohet, atëherë i largohet ajo njollë dhe shkëlqen. Por, nëse vazhdon atëherë i shtohen (pikat e zeza) derisa t’ia mbulojnë zemrën…”

Mëkatet janë më të dëmshme për njeriun sesa helmi për trupin, ngase e qojnë njeriun te ndëshkimi i Allahut në këtë botë dhe tjetrën.

۞Pasojat e mëkateve (të përmendura në Kuran e sunet):

─ Janë shkak për shkatërrim dhe ndëshkim prej Allahut, “Ne i shkatërruam për shkak të gjynaheve të tyre”. Enfal 54. Dhe: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” Ankebut 40. Shumica e muslimanëve sot e kanë bërë gjë të lehtë veprimin e mëkateve të mëdha (e të mos flasim për mëkatet e vogla).

─ Janë shkak për poshtërim, varfëri, jetë të vështirë, përhapje të sëmundjeve, ndalje të shiut dhe triumf të armikut mbi muslimanët. Allahu ka thënë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar…” Ta he 124. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të merreni me kamatë, të kapeni pas bishtave të lopëve, të kënaqeni me të mbjellat dhe të braktisni luftën në rrugën e Allahut, atëherë Ai do të dërgojë mbi juve poshtërim (sundim të armikut mbi ju), dhe nuk e largon atë derisa t’i ktheheni fesë suaj.”

─ Janë shkak për sëmurjen e zemrave. Mëkatet e nxijnë zemrën derisa të vdesë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “…zemra që i përthithë fitnet do të bëhet e zezë derisa të nxihet…” Në një hadith tjetër ka thënë: “Njeriu kur bën gjynah i bëhet një pikë e zezë në zemër. Nëse heqë dorë prej tij, kërkon falje e pendohet, atëherë i largohet ajo njollë dhe shkëlqen. Por, nëse vazhdon atëherë i shtohen derisa t’ia mbulojnë zemrën…” Siç ka thënë Allahu: “Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” Mutafifin 14. Ata që kanë zemra të vdekura, i ka kërcënuar Allahu me dënim të dhimbshëm në këtë botë dhe tjetrën.

Janë shkak që njeriu të dënohet në zjarr. Allahu thotë: “Ndërsa atë që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe shkel kufijtë e vënë prej Tij, Allahu e shpie në zjarr...” Nisa 14.

۞Ilaçi për sëmundjen e mëkatimit

Edhe kjo sëmundje e ka ilaçin e saj të dobishëm, e që është pendimi i sinqertë dhe shpejtimi në vepra të mira. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu kur bën gjynah i bëhet një pikë e zezë në zemër. Nëse heqë dorë prej tij, kërkon falje dhe pendohet, atëherë i largohet ajo njollë dhe shkëlqen.” Në hadith së pari diagnostikon sëmundjen, e cila është mëkatimi. Pastaj tregon për ilaçin, i cili është pendimi i sinqertë. Andaj, kush dëshiron të pastrojë zemrën e tij prej njollave të mëkateve, e ka për obligim të pendohet sinqerisht tek Allahu.

Allahu na urdhëron dhe na inkurajon të pendohemi sinqerisht tek Ai, “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj…” Tahrim 8. Dhe: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” Nur 31.

Allahu e ka hapur derën e madhe të pendimit, për të gjithë, edhe për ata zemrat e të cilëve kanë vdekur për shkak të mohimit, apo për ata që kanë hipokrizi në zemra, apo për çdokënd i cili bën mëkate.

Pendimi kërkon pastaj shtimin e veprave të mira. Allahu thotë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” Ta he 82. Dhe: “… veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” Hud 114. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprën e keqe pasoje me një vepër të mirë dhe ajo e shlyen atë.”

Veprat e mira pastrojnë zemrat tona të sëmura me mëkate dhe i shlyejnë mëkatet, pastaj pastrimi i zemrave e nxit njeriun të garojë me të tjerët në bërjen e veprave të mira sa më shumë. Allahu thotë: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.” Muminun 57-61. Kjo gjendje e tyre i shtynë ata të bëjnë vepra të mira.

Dhe këto ishin rrugët apo mënyrat përmes të cilave përmirësojmë zemrat tona dhe të gjitha janë mënyra që merren prej Kuranit e sunetit. Ne duhet të mundohemi të punojmë shumë që t’i përmirësojmë zemrat tona duke ndjekur këto metoda, ngase ai që e përmirëson zemrën e tij do të arrijë lumturinë në këtë botë dhe tjetrën.

***

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit