Mendjemadhësia është prej sëmundjeve të rrezikshme që godet zemrën dhe mund ta shpie në vdekjen e saj dhe ta dërgojë në shkatërrim. Ajo bëhet shkak që njeriu të privohet prej hyrjes në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai që në zemrën e tij ka sa një grimcë të mendjemadhësisë.” Një prej sahabëve ka thënë: “Njeriu ka dëshirë të vesh rroba dhe këpucë të bukura.” Ka dashur të dijë se a hyn kjo te mendjemadhësia. Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është të refuzosh të vërtetën dhe të nënçmosh/përulësh njerëzit.”
Kur njeriu ka mendjemadhësi:
─ Kjo do ta ndalojë të pranojë të vërtetën. Mendjemadhësia ka qenë shkaku që Iblisi të mos i përgjigjet urdhrit të Allahut (për t’i bërë sexhde Ademit). Gjithashtu ajo ka qenë shkaku që shumë popuj të mos u përgjigjen të Dërguarve të Allahut.
─ Kjo do ta ndalojë të përfitojë prej ajeteve të Kuranit apo shenjave të vendosura në univers.
─ Kjo do ta shtyjë t’i përbuzë dhe nënvlerësojë të tjerët (e llogarit veten më lartë, mburret me veten). Iblisi nuk pranoi t’i binte në sexhde Ademit ngase mendonte se është më i lartë sesa ai dhe e përbuzte atë.
Dëmet e mendjemadhësisë dhe pasojat e saj:
- Allahu ia vulos zemrën mendjemadhit (dhe personi nuk kupton më asgjë), “Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi” Gafir 35.
- Allahu nuk e do mendjemadhin, “Me të drejtë, Ai nuk i do mendjemëdhenjtë.” Nahl 23
- Allahu do ta dënojë mendjemadhin në këtë botë para botës tjetër, “…disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” Ankebut 40.
- Allahu do ta poshtojë në Ditën e Gjykimit, “Sikur t’i shohësh keqbërësit se si para Zotit të tyre kokulur” Sexhde 12. “Ti do t’i shohësh se si do të përballen me zjarrin të përulur nga poshtërimi”. Shura 45.
- Allahu do ta privojë prej xhenetit dhe do ta fusë në zjarr, “Hyni në dyert e Xhehenemit për të qëndruar përherë në të! Sa i shëmtuar që është vendbanimi i mendjemëdhenjve!” Gafir 76.
Për shkak të rrezikut të madh që ka mendjemadhësia për njeriun, ne duhet ta kujtojmë dhe paralajmërojmë njëri-tjetrin që të kemi parasysh disa gjëra: Mendjemadhësia- lartësia e madhështia është cilësi prej cilësive të Allahut, të dimë pozitën tonë si krijesa të dobëta (jemi krijuar prej dheut, pastaj prej një pike uji të nënçmuar, fundi do të jemi një kufoma), të dimë se armiku i njeriut (Iblisi) fryn në zemrën e njeriut mendjemadhësinë që të shkatërrohet (çdo gjë që të vjen nga armiku është e dëmshme) etj.
Ilaçi i kësaj sëmundje është modestia, thjeshtësia (e kundërta e mendjemadhësisë). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në hadithin më lartë bëri një përshkrim të qartë e të përgjithshëm për mendjemadhësinë, prej të cilit kuptohet se ilaçi i saj është veprimi i të kundërtës. Ai tregoi se mendjemadhësia është të refuzosh të vërtetën dhe të nënçmosh njerëzit, dhe si rrjedhojë ilaçi i saj është modestia, thjeshtësia. Pra, njeriu duhet të tregohet modest e të pranojë të vërtetën prej Kuranit e sunetit e t’i bindet asaj dhe të mos i nënçmojë njerëzit me zemër, me gjuhë dhe veprime (por të tregohet modest ndaj tyre). Ai që ka këtë gjendje mundohet që gjithmonë të kryejë obligimet e Allahut dhe obligimet ndaj njerëzve.
Allahu në shumë ajete urdhëron të jemi modest e të thjeshtë, “dhe tregohu modest me besimtarët që të pasojnë ty!” Shuara 215. “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” Ali Imran 159. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar në ligjëratat e mexhliset e tij që muslimani duhet të jetë modest e i thjeshtë. Ai ka thënë: “Allahu më ka shpallur të tregohemi modest e të thjeshtë në raport me njëri-tjetrin, andaj askush nuk lejohet të tregohet mendjemadh mbi tjetrin apo ta sulmojë/armiqësojë.” Muslimi. Dhe: “Lëmosha nuk e pakëson pasurinë. Ai që ua fal të tjerëve gabimet në raport me të, atij Allahu ia shton krenarinë (dhe do ta ngrehë në mesin e njerëzve). Dhe çdokush që tregohet modest për hir të Allahut, Ai do ta ngrehë në mesin e njerëzve.” Muslimi.
Gjithashtu dhe një ilaç tjetër përmes të cilit do të shërohemi prej mendjemadhësisë, që është: të dimë se xheneti është përgatitur për ata që janë të thjeshtë e modestë në raport me krijesat e Allahut, “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” Furkan 63, dhe në fund të ajeteve thotë: “Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.” Furkan 75.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.