Gjërat ripërtërihen, çështjet vijnë të llojllojshme dhe çdo ditë kemi diçka të re. Nuk ka dyshim se koha lëvizë, civilizimet lindin dhe qytetërimi ndez çështje të reja. Këto nuk ndalojnë te gjykimi i një dijetari a thirrësi në Fe dhe as te teoria e një teoricieni. Qytetërimet lindin dhe zhvillohen, siç mund të shihet në kohë të sotme.
Mu për këtë shkak, duhet të ekzistojë një menhexh i qartë dhe mesatar për gjykimin mbi gjërat, situatat, individët, mendimet dhe opinionet, qëllimet dhe objektivat, shoqëritë, shtetet, dijetarët, thirrësit dhe njerëzit në përgjithësi.
Parimet e këtij menhexhi mesatar duhet të rrënjosen përmes ligjëratave dhe shkrimeve në mënyrë që nxënësit e dijes, të cilët synojnë të japin këshilla e të thërrasin në Fe, të mos jenë të painformuar sa i takon kësaj metodologjie të drejtë.
Ndër parimet e dijetarëve është edhe ky rregull: Gjykimi për një gjë është rrjedhojë e perceptimit të saj[1].
All-llahu i Lartësuar ka thënë:
“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni!”[2]
Prandaj, kushdo që gjykon mbi një çështje pa pasur njohuri të plota, ose gjykon mbi një situatë, ose në lidhje me një individ, opinion, shkrim, apo jep gjykimin në lidhje me qëllimet e interesat pa i njohur ato si duhet, i tilli është dhënë pas diçkaje për të cilën nuk ka dijeni.
Është detyrë për ne që këtë ajet ta vëmë para syve tanë, si dhe ajetin tjetër në të cilin Allahu i lartësuar ndalon të thuhet diçka pa dije dhe këtë e konsideron të përafërt me shirkun.
All-llahu thotë:
“Thuaj: ‘Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar… t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për All-llahun atë që nuk e dini.”3
Edhe Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar të thuhet diçka pa pasur dijeni për të. Ai thotë:
“Më i guximshmi prej jush për të dhënë fetua është ai që është më i guximshëm për të hyrë në Zjarr.”[4]
Si të gjykojmë në situata të ndryshme? Njerëzit, siç mund ta shihni, japin gjykime për çdo gjë. A u takon njerëzve të mendjes, dijetarëve dhe atyre që ndjekin metodologji të drejtë gjatë analizave dhe studimeve që të nxitohen? A u takon të mos jenë të matur gjatë gjykimit mbi çështje të caktuara?
Ju, pavarësisht se a jeni studentë të niveleve të larta apo jo, nuk ju takon që të menduarit dhe të gjykuarit tuaj mbi gjërat, të jetë i pa bazuar në parime. Nëse njerëzit lihen të gjykojnë mbi gjëra të ndryshme pa kritere, atëherë do të lindin probleme e probleme, siç po i shohim. Do të lindin mendime, opinione e gjykime në lidhje me situata, individë, shoqëri e shtete, në lidhje me nijetet e njerëzve dhe gjykime mbi dijetarët, gjëra që po i dëgjoni dhe që ndoshta nuk do t’i dëgjoni në të ardhmen.
Ne kërkojmë një metodologji mbi bazën e së cilës do t’i zbërthejmë gjërat dhe një parim mbi të gjykuarit se si të gjykojmë? Si të nxjerrim përfundime duke u bazuar në parime? A duhet t’i gjykojmë rezultatet dhe a duhet të dalim me rezultate gjatë gjykimeve dhe veprimeve pa u bazuar në parime? Si të përmirësojmë mënyrën e të menduarit dhe metodologjinë e të gjykuarit mbi gjërat? Kjo është detyra më e rëndësishme.
Është prej parimeve që jo për çdo gjë të kërkuar duhet të gjykojë çdokush, sepse ka çështje të mëdha, të cilat duhet t’u lihen njerëzve të mëdhenj, të cilët i analizojnë me shikim gjithëpërfshirës. Ti nuk di çdo gjë. A i takon një nxënësi të dijes, një studenti, një njeriu me kulturë të përgjithshme, apo njërit nga masa e thjeshtë ta vejë veten në atë pozitë, sa të japë gjykime mbi situata, shtete, dijetarë, apo të japë vlerësime rreth ideve pa i kuptuar dhe pa i analizuar, duke mos u bazuar mbi parimet e sheriatit?!
Gjykimi mbi çështje të ndryshme dhe kapja e disa anëve të tyre është bërë avaz për disa njerëz. Ata e shohin një citat të Kur’anit apo Sunnetit dhe mendojnë se ai është i mjaftueshëm për të nxjerrë një gjykim të përgjithshëm. Sikur puna këtu të ishte kaq e lehtë, fukahatë (juristët islamë) nuk do të ishin kaq të paktë.
Përktheu: Xhemal Jakupi
___________________________________________
[1] Shih këtë rregull në “Mugnil Muhtaxh” 2:363 dhe “Hashijetul Buxhejremij” 1: 98, 374; 3: 232 dhe 4:57.
[2] El Isra: 36.
[3] El A’raf: 33.
[4] Transmetojnë: Darimiu në “Sunen” (Dhënia e fetuasë dhe rigoroziteti ndaj kësaj) 1: 57; dhe Ebu Abdullah Muhamed ibën Muflih elMakdisij në “Etikat sheriatike” (tema: Dijetari të thotë: “Nuk e di” dhe të ruhet e të mos nxitohet në dhënien e fetuasë) 2: 156.