Mirësitë e Allahut nuk i adresohen dikujt tjetër

۞ Të gjitha mirësitë janë vetëm prej Allahut, sado të vogla apo të mëdha qofshin ato. Ndërsa, njerëzit të cilët të bëjnë apo të japin të mira, janë vetëm shkaqe/sebepe. Kështu, Allahu përmes duarve të tyre duke i bërë shkak, mirësia të vjen tek ti. Shembull: kur dikush bëhet shkak të shërohesh, apo të emërohesh në një post (punë), apo të kesh sukses në një fushë etj. Kjo nuk tregon se ai person, shkaktari, është zotëruesi i asaj mirësie. Zotëruesi i mirësive është vetëm Allahu.

Zemra e cila e njëson Allahun me teuhid, e di se çdo gjë në këtë kozmos është prej Allahut. Shumë herë njerëzit gabojnë kur mirësitë ia adresojnë shkakut. Pra, për atë përmes të cilit Allahu ia ka sjellë atë të mirë, thotë: Më ka ardhur prej tij. Dikush të mirën ia atribuon idhujve, apo baballarëve e gjyshërve, apo mundit të tij, aftësisë së tij, dijes së tij- këto janë vetëm shkaqe- dhe thotë: “Tërë kjo është rezultat i forcave të mia”. Allahu e ka krijuar shkakun dhe e ka mundësuar që përmes tij të të vijë ajo e mirë. Nëse do Ai, e asgjëson shkakun e nëse dëshiron të pengojë të të vijë një e mirë tek ti, atëherë kush mundet të ta sjellë atë?! Askush.

Realiteti është se çdo e mirë që e posedojmë vjen nga Allahu. Ai na ka lehtësuar neve rrugën për të arritur deri tek të mirat (që posedojmë). Madje, nuk ka njohuri, forcë, aftësi, vullnet, veçse kjo të jetë prej Allahut. Edhe dëshira jonë për të arritur diçka është dhunti prej Allahut. Ndaj, është obligim për ne që të gjitha mirësitë që na kanë ardhur, t’ia atribuojmë Allahut. Edhe nëse njeriu e ka arritur një të mirë përmes dijes, punës dhe shkathtësisë së vet, Ai që ia ka dhënë ato (dijen, punën dhe shkathtësinë) është Allahu.

۞ Ajeti : “Ata i njohin mirësitë e Allahut, por pastaj i mohojnë ato…” Surja Nahl 85. Dhe dijetarët kanë sjellë disa komentime në lidhje me të, si:

-Thënia “Këtë pasuri e kam të trashëguar nga baballarët

(Nëse e thotë si njoftim/lajm, lejohet. Nëse ia adreson shkakut (trashëgimisë) duke harruar Allahun, kjo është e ndaluar.)

-Thënia “Sikur mos të ishte filani nuk do të ndodhte kjo gjë”:

p.sh.: “Sikur mos të ishte piloti i zoti, do të përfundonim”, apo “Mos të ishte shoferi i shkathtë do të përfundonim”, apo “Sikur mos të ishte profesori të na sqaronte këtë çështje nuk do ta kuptonim kurrë” e të tjera.

“Në vend të fjalës “filani” njerëzit përdorin edhe fjalë të tjera, si: shtëpia, makina, shiu, uji, toka, ajri, retë, ndonjë vepër, ndonjë zanat, krijesë etj.

Gjëja që duhet të thuhet është “Mos të ishte Allahu, pastaj filani (shkaku)”, pra të ketë renditje.

Në thua: “Elhamdulilah shoferi ishte i mirë dhe shpëtuam” apo “Deshi Allahu shoferi ishte i mirë dhe shpëtuam”, atëherë kjo lejohet. Nuk lejohet të thuhet: “Sikur mos të ishte shoferi i mirë nuk do të shpëtonim”, sepse Allahu e ka bërë shkak atë. E mirësitë duhet t’i atribuohen Allahut, jo shkakut.

-Thënia “Kjo mirësi ka ardhur me ndërmjetësimin tek Allahu të zotave tonë që i adhurojmë”. Këtë e thonë idhujtarët. Kjo është shirk i madh.

-Thënia “Era ishte e mirë” apo “marinari ishte i zoti”, kur dalin prapë në tokë (nga udhëtimi me anije), në vend që të thonë: “Allahu na shpëtoi e na solli prapë në tokë”. Ia adresojnë shpëtimin anijes, por Allahu është Ai që ua nënshtroi erën dhe bëri të lundrojë anija.

Dijetarët kanë shtjelluar:

Nëse personi ka qëllim me këtë thënie vetëm të tregojë, të informojë, pa qëllim adresimi të shkakut te dikush tjetër, atëherë nuk ka të keqe.

Nëse personi ia adreson mirësinë shkakut të saktë (i pohuar fetarisht apo nga specialistë të fushës), lejohet me kusht që mos të besojë se ky shkak ndikon vetvetiu (sjell rezultatin) dhe duke mos harruar Dhuruesin e vërtetë (Allahun).

Nëse personi ia adreson mirësinë shkakut i cili nuk është i pohuar as fetarisht e as nga specialistët, si: hajmalia, penjtë, rruazat, syri i kaltër, patkoi, të vendosura (mbajtura) me qëllim të ruajtjes prej mësyshit apo largimit të tij, kjo është shirk i vogël.

 

 

 

Madhësia e tekstit