Moral, edukim
Hudhjefe ibn Jeman (radijAllahu anhu) u pyet: “Kush është i vdekuri në mesin e të gjallëve?” Ai tha: “Ai i cili nuk e njeh me zemrën e tij të mirën dhe nuk e urren me zemrën e tij të keqen.” Musannef ibn Ebi Shejbe.
Uehb ibn Munebbih (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të gjithë urtarët janë të një mendjeje se koka e urtësisë është heshtja.” Es-Samtu ibn Ebi Ed-Dunja.
Disa dijetarë thanë: “Prej moralit më të mirë të njeriut është që ai të jetë tepër i heshtur, saqë shoku i tij lakmon shumë që t’ia dëgjojë fjalët.” Sherh El-Uessijeti El-Kubra.
Përcillet se imam Mutarrif ibn Shihhir (Allahu e mëshiroftë) i tha njërit: “O filan! Nëse ke nevojë diçka për mua, mos më thuaj, por shkruaje në një copë letre, pastaj me jep atë, sepse unë e urrej ta shoh nënçmimin e lypjes në fytyrën tënde!” Sifetu Es-Safue.
Auf ibn En-Nu’man Esh-Shejbanij (radijAllahu anhu) kishte thënë gjersa ende nuk ishte musliman: “Më e dashur tek unë është të vdes nga etja sesa të mos e mbaj premtimin.” El-Emthal, Ebi Ubejd ibn Sel-lam.
Sa’d ibn Ebi El-Uekkas (radijAllahu anhu) thotë: “Besimtari mund të ketë çdo cilësi në natyrën e vet, përveç tradhtisë dhe gënjeshtrës.” Ibn Ebi Shejbe, El-Iman.
Robi i mirë i Allahut, Lukmani, thoshte: “Heshtja është urtësi, dhe pak njerëz e zbatojnë atë.” Raudatu El-Ukala.
Imam Rabi’ ibn Huthejm (Allahu e mëshiroftë) thotë: “S’ka mirësi në të folur, përveç në nëntë gjëra:
- të thuash: “La ilahe il-lAllah”,
- të thuash Allahu Ekber,
- të thuash SubhanAllah,
- të thuash Elhamdulil-lah,
- të pyesësh për të mirën,
- të kërkosh mbrojtjen e Allahut nga e keqja,
- të urdhërosh për të mirë,
- të ndalosh nga e keqja
- dhe të lexosh Kuran.” Es-Samtu, ibn Ebi Ed-Dunja.
Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndodh që moralet e mira të përfitohen nga shoqërimi me njerëzit e mirë, sepse natyra e njeriut është hajn që e vjedh të mirën dhe të keqen.” Muhtesar Minhaxh El-Kasidin.
Imam Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pjesë e moralit të profetëve janë: butësia, mosngutja dhe namazi i natës.” Sijer A’lam En-Nubela.
Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se ai që i bart fjalët e njerëzve tek ti, do të bartë fjalë edhe për ty dhe po ashtu dhe fjalët e tua që i flet për ta, andaj ruaju prej tij!” El-Kaul El-Mufid.
Umer ibn Hattabi (radijAllahu anhu) thotë: “Jetën tonë më të mirë e kemi gjetur te durimi!” Buhariu, 8/99.
Ummu Ed-Derda’ (radijAllahu anha) tregon: “Një natë prej netësh, Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) e kaloi duke u falur. Ai qante dhe lutej: “O Allah! Ti më dhe formë të bukur, andaj më jep edhe moral të bukur!” Kështu vazhdoi derisa hyri koha e sabahut. Unë i thash: “O Ebu Ed-Derda’, përse tërë lutja jote sonte ishte vetëm për moralin e mirë?!” Ai ma ktheu: “Oj Ummu Ed-Derda! Vërtet, muslimani vazhdon ta përmirësojë moralin e tij, derisa morali i tij i mirë e fut në Xhenet dhe ai vazhdon ta prishë moralin e tij, derisa morali i tij i keq e fut në zjarr.” Ez-Zuhd, imam Ahmedi.
Ibrahim ibn Ed’hem (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush nuk iu ndihmon njerëzve me pasurinë, ushqimin e pijen e tij, le t’i ndihmojë me fytyrë të hapur dhe me moral të mirë!” Hiljetu El-Evlija.
Habib ibn Ebi Thabit (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej moralit të mirë të njeriut është që t’i flasë bashkëbiseduesit duke buzëqeshur.” (Raudatu El-U’kala.
Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të sillesh butë me njerëzit e ngratë, jetimët e të vegjlit, shkakton në zemër mëshirë, butësi, ndjenja dhe kthim tek Allahu i Madhërishëm. Këtë nuk e di askush, përveç atyre që e kanë provuar.” Sherh Rijad Es-Salihin.
Kur i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte me shokët e tij, nuk angazhohej me diçka tjetër. Përkundrazi, ai ndalonte nga shkaqet që shpijnë në një gjë të tillë. Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e morri një unazë dhe vuri në dorën e tij, mirëpo tha: “Sot kjo unazë më shpërqendroi nga ju. Herë e shikoja atë e herë juve.” Pastaj e hoqi nga dora.” Sahih En-Nesai, 5304.
Vlerat e moralit të mirë
–Morali i mirë është shkak që Allahu ta dojë robin e Vet.
-Është prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet.
-Është prej gjërave që peshojnë më së rëndi në peshoren e ditës së Kiametit.
-Shton shpërblimin për veprat e mira.
–Është shkak për zgjatjen e jetës.
-Është shenjë që tregon për besimin e plotë.
Ibn Umeri (radijAllahu anhu) i tha njërit: “Edukoje djalin tënd, sepse do të pyetesh (në ditën e Kiametit) se si e ke edukuar dhe çfarë i ke mësuar? Ndërsa, ai do të pyetet për mirësjelljen dhe bindjen ndaj teje.” Esh-Shu’ab El-Bejhekij.
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) një ditë e këshilloi nxënësin e tij, imam El-Muzeniun, duke i thënë: “Ki frikë Allahun dhe parafytyroje botën tjetër në zemrën tënde. Vdekjen vendose para syve. Mos e harro qëndrimin para Allahut dhe gjithmonë frikohu prej Tij. Largohu nga gjërat që Ai i ka ndaluar, zbatoji urdhrat e Tij dhe ji me të vërtetën kudo që është ajo. Mos i shih si të vogla begatitë e Allahut ndaj teje, edhe nëse janë të pakta, por falënderoje Atë për to. Heshtja jote le të jetë reflektim, i foluri yt le të jetë dhikr (përmendje e Allahut), shikimi yt le të jetë marrje e mësimit dhe mbrohu me Allahun nga Zjarri i Xhehenemit përmes devotshmërisë. Menakib Esh-Shafi’ij.
Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Morali më i mirë i muslimanëve është falja ndaj të tjerëve.” Ez-Zuhd, El-Hennad.
Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përpara thuhej: “Durimi ndaj uljes së shikimit në gjërat e ndaluara është më i lehtë sesa durimi ndaj dhimbjes që vjen pas tij.” Ed-Da’u ue Ed-Deua.
Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pozita më e lartë është e atij që qan shumë gjatë natës (duke u falur, lexuar Kuran etj.) dhe që buzëqesh shumë gjatë ditës.” Sijer A’lam En-Nubela.
Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vetia dalluese midis besimtarit dhe munafikut është vërtetësia.” Mexhmu’u El-Fetaua.
Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kujt i është dhënë durimi e bindja, atë Allahu e bën imam të fesë.” Mexhmu’u El-Fetaua.
Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sikur njeriu ta dinte se çfarë thesari është poshtë këtyre tri shkronjave: kam për qëllim fjalën صبر “sabër” (durim), kurrë nuk do t’i ndahej durimit. Durimi është shkak për arritjen e çdo përsosmërie. Njerëzit më të përsosur janë ata që durojnë më së shumti. Kushdo që s’ka mundur ta arrijë përsosmërinë, kjo është për shkak të durimit të dobët të tij.” Tarik El-Hixhratejn.
Njëri nga brezat e parë të muslimanëve thoshte: “Gjuha ime është sikur kafshë e egër; nëse e lëshoj, frikohem se do të më haj.” Es-Samtu, ibn Ebi Ed-Dunja.
Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kushdo që është i mangët nga morali, është i mangët edhe në fe, sepse përsosmëria e fesë arrihet nëpërmjet përsosmërisë së moralit.” Mekarim El-Ahlak.
Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) thoshte: “Mirësia është gjë e lehtë: fytyrë e buzëqeshur dhe fjalë të buta.” Ujun El-Ahbar.
Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Përpara thuhej: “Sa njeri i mirë është filani, mirëpo fjalët e një muaji i thotë brenda një dite.” Tertib El-Medarik.
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku.
Përgatiti: A. O.