Morali i mësuesit të Kuranit para nxënësve

Morali i mësuesit të Kuranit para nxënësve

Nëse ai që e ka mësuar Kuranin dëshiron të ulet në xhami apo kudo qoftë, për t’ua mësuar njerëzve atë, duke përfituar prej fjalës së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem i cili ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve”, atëherë duhet të cilësohet me morale fisnike, të cilat tregojnë për vlerën dhe sinqeritetin e tij. Ai duhet të jetë i thjesht e modest në uljen e tij, jo mendjemadh. Duhet të jetë i thjeshtë ndaj atyre të cilëve ua mëson Kuranin e t’iu kushtojë vëmendje. Ai duhet të sillet ndaj nxënësve në bazë të gjendjes që i përshtatet secilit. Ka prej tyre i cili është i moshuar, apo i ri, apo i vogël, apo i pasur a i varfër, secilit duhet t’i plotësohet e drejta e tij, me secilin duhet të tregohet i paanshëm dhe korrekt, nëse me këtë gjë synon Allahun dhe shpërblimin e Tij.

Të mos jetë i atillë që tregohet modest para të pasurve ndërkohë tregohet mendjemadh, i ashpër e i vështirë para të varfërve. Përkundrazi, duhet të jetë modest ndaj të varfërve, t’i afrojë e të ketë dhembshuri, duke synuar me këtë dashurinë e Allahut.

Të dëgjojë me vëmendje atë i cili lexon tek ai, të mos angazhohet me biseda me dikë tjetër gjatë kësaj dhe të mos dëgjojë njëkohësisht dy a më shumë nxënës. Nëse nxënësi gabon gjatë këndimit të Kuranit, atëherë ai nuk duhet të tregohet i ashpër me të, por duhet të jetë i butë dhe i durueshëm. Nëse sillet ashpër me të, atëherë ka mundësi të mos kthehet më në mësim.[1] Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Juve Allahu u ka dërguar si lehtësues e jo si vështirësues!”[2]

Bartësi i Kuranit nuk duhet të jetë i atillë që përmes Kuranit të kryejë nevojat e tij të jetës së kësaj bote, por duhet të ruajë veten nga gjëra të tilla, sidomos ndaj nxënësve të tij, të mos i shfrytëzojë ata t’ia kryejnë nevojat e tij (të mos i bëjë shërbëtorë). Nëse ka ndonjë nevojë, atëherë të mos e ngarkojë nxënësin e tij t’ia kryejë atë (kjo gjë është grada më e lartë), por fillimisht i drejtohet Allahut (t’ia mundësojë). Nëse ndonjëri prej nxënësve do ta ndihmojë në atë gjë, pa ia kërkuar, atëherë le të falënderojë Allahun i Cili e ka ruajtur të mos i nënshtrohet krijesave e të mos përulet para tyre. Nëse Allahu ia mundëson të përmbushë nevojën që ka, atëherë të falënderojë Atë dhe po ashtu të tjerët që janë bërë shkak.

Çështje: A i lejohet mësuesit të marrë shpërblim për mësimin e Kuranit? Në këtë ka mospajtime mes dijetarëve. Disa thonë se kjo ndalohet, disa thonë se lejohet pa e kushtëzuar (nëse të japin atëherë merr), disa thonë se lejohet dhe nuk ka të keqe. Mirëpo, edhe në këtë çështje duhet të shikohet dëmi dhe dobia. Sido që të jetë çështja, Kurani nuk duhet të bëhet si rrugë për arritjen deri te dunjaja – të mos bëhet brenga dhe fokusi kryesor, por fillimisht duhet të kemi për qëllim Allahun dhe shpërblimin e Tij. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na ka kërcënuar duke thënë:

مَنْ تَعَلَّمَ عِلْمَاً مِمَّا يُبْتَغَى بِهِ وَجْهُ اللهِ تَعَالَى ، لا يَتَعَلَّمُهُ إِلا لِيُصِيبَ بِهِ عَرَضَاً مِنْ الدُّنْيَا ، لَمْ يَجِدْ عَرْفَ الْجَنَّةِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ.

“Kush mëson një dije me të cilën dëshirohet (synohet) Fytyra e Allahut, mirëpo e mëson me të vetmin qëllim që të përfitojë të mira të dunjasë, atëherë ai nuk do të nuhasë aromën e Xhenetit në Ditën e Gjykimit.”[3]

E të mirat e dunjasë janë të shumta, si: pasuria, pozita, fama, ngritja para të tjerëve etj.

Nëse njeriu e mëson Kuranin dhe e ka qëllim parësor ta mësojë sinqerisht për Allahun, e jo të fitojë ndonjë pagë, porse e di se ajo vjen rrjedhimisht, kjo nuk ka të keqe.

Çdo dije e cila nuk është për hir të Allahut, do të të dëmtojë në këtë jetë dhe në ahiret dhe nuk do të të sjellë dobi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur: “O Allah, më ruaj nga dija e padobishme!”

Nga e tërë kjo që përmendi autori, na thërret të korrigjojmë synimet e qëllimet tona lidhur me mësimin e Kuranit dhe mësimin e dijes fetare. Na mëson të mos dëshirojmë përfitimet e kësaj jete, por të kemi qëllim Allahun, dhe të mos cilësohemi me morale të atilla (që u përmenden më lartë).

[1] Ai që vjen të mësojë Kuran tek ti, ka nevojë për butësi të madhe, sidomos nëse është fillestar në Islam. Nuk duhet t’i flasësh fjalë e as të veprosh veprime të cilat e lëndojnë. E gjithë kjo është si rezultat i durimit që duhet të ketë mësuesi. Në mesin e nxënësve ka kategori të ndryshme (ka që mezi vijnë, ka që nuk kanë aq kapacitet etj.). Një fjalë e mësuesit mund ta lëndojë shumë nxënësin, sidomos nëse nxënësi është fëmijë dhe i ri. Nëse sillet keq, atëherë kjo mund të ndikojë shumë keq tek ai dhe të bëhet shkak të mos vijë më. Kur nxënësi lexon, duhet t’i thotë: “Allahu të shpërbleftë e të dhëntë sukses!”, sepse kjo ndikon në zemrën e tij që të përpiqet më shumë.

[2] Kjo qoftë nëse ka të bëjë me thirrjen ndaj njerëzve drejt bindjes ndaj Allahut dhe brejës së veprave të mira, apo me thirrjen ndaj tyre drejt Allahut përmes mësimit, apo përmes qortimit etj. Parimisht, gjithmonë duhet të përdoret butësia e durimi, mirëpo ka raste të rralla kur kërkohet të përdoret vrazhdësia (raste specifike). Ne nuk duhet t’ua vështirësojmë njerëzve çështjen e fesë.

[3] Nga kjo nuk nënkuptohet se ai është jobesimtar, mirëpo ky është një kërcënim. Nëse nuk e fal Allahu, atëherë do të hyjë në Xhehenem të pastrohet prej gjynahut dhe pastaj përfundimi i tij do të jetë Xheneti (nëse ka vdekur në teuhid).

 

Hoxhë Petrit Perçuku.

Transkriptim.

Madhësia e tekstit