“Mos e zvarrit dhënien e lëmoshës deri atëherë kur shpirti…”

 

وَلاَ تُمْهِلْ حتَّى إِذَا بلَغتِ الْحلُقُومَقُلتلفُلانٍ كذا ولفلانٍ كَذَا

Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos e zvarrit dhënien e lëmoshës deri atëherë kur shpirti arrin te fyti e të thuash: “Filanit këtë pjesë, filanit këtë pjesë!” Buhariu dhe Muslimi

Shejtani vazhdimisht e frikëson njeriun dhe ia zbukuron dëshiron për një jetë të gjatë dhe se ende ka kohë kur do të japë lëmoshë. Allahu thotë: “Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësi të shumta.” Bekare 268. Një nga arsyet se pse njeriu nuk jep lëmoshë është se shejtani e frikëson duke i thënë: “Ti ke obligime e shpenzime të shumta. Të pakësohet pasuria. Do të investosh. Duhet të grumbullosh që të blesh një makinë më të mirë, apo të rinovosh shtëpinë e ta zbukurosh atë etj.” Madje, i sjell edhe cytje që janë gjëra imagjinare, duke i thënë: “Ndoshta do të sëmurësh dhe do të kesh nevojë për para, andaj mos dhuro lëmoshë, por grumbullo për veten tënde!”

Kanë ardhur tekste të shumta në Kuran e sunet që nxisin të japim lëmoshë, shembull:

“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë…” Bekare 261.

“Jepuni të afërmve, të varfrit dhe udhëtarit të drejtën e tyre…” Isra 26.

…“atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin…” Bekare 177.

“Ata që japin lëmoshë e që i japin Allahut një hua të mirë, qofshin burra ose gra, do t’u shumëfishohet përfitimi dhe do të kenë një shpërblim fisnik.” Hadid 18.

Nga shtatë kategoritë që të do strehohen nën Hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit do të jetë edhe: “Ai (qoftë burrë apo grua) që jep lëmoshë fshehtas, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e tij e djathtë.” Buhariu dhe Muslimi

Ibën Kajimi ka thënë: “Atij që jep lëmoshë, Allahu i jep çfarë nuk i jep atij që ndal dorën e nuk jep. I jep të mira të shumta, në veten e tij, në sjelljen e tij, në furnizimin e tij dhe në shkaqet e jetesës së tij, si shpërblim për llojin e veprës së tij – ai ka ndihmuar të tjerët dhe Allahu e ndihmon dhe e furnizon atë.

Ky hadith tregon rëndësinë e nxitimit në vepra të mira dhe të mos i zvarritim. Porse, duhet të shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë që na ka dhënë Allahu dhe të japim lëmoshë nga pasuria që posedojmë, ngase askush nga ne nuk e di afatin e vdekjes së tij. Allahu thotë: “…jepni prej atyre mirësive që ju kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!” Munafikun 10.  Ibën Kethiri ka thënë: “Allahu nxit robërit e Tij besimtarë që të shpenzojnë, ngase çdokush që ka qenë neglizhent, do të pendohet kur t’i vijë momenti i vdekjes se pse nuk ka shpenzuar në rrugën e Allahut dhe do të kërkojë nga Ai t’ia zgjasë jetën, qoftë dhe pak, që të pendohet e të përmirësojë gabimet, mirëpo kjo është e parealizueshme. Secili, në varësi të neglizhencës, do të ballafaqohet me këtë pikëllim e pendim në momentet e vdekjes.”

Besimtari përherë duhet të shfrytëzojë mundësitë që i jepen dhe të nxitojë të veprojë vepra të mira, edhe nëse has në ndonjë vështirësi. Kështu sepse ai gjithmonë duhet të ketë frikë se mos i ndodh ndonjë pengesë mes tij dhe veprave të mira. Dhe në tërë këtë, duhet të kërkojë ndihmën e Allahut dhe të ketë mendim të mirë ndaj Tij, se Ai do t’ia pranojë veprat e mira dhe do ta shpërblejë për të.

Shumë nga njerëzit i shohin adhurimet si të rënda për t’u realizuar, andaj dhe zmbrapsen. Mirëpo, këshilla ndaj tyre është që të kërkojnë ndihmën e Allahut e t’i mbështeten Atij. Kush kërkon ndihmën e Allahut e i mbështetet Atij dhe vepron veprat me të cilat Ai është i kënaqur, atëherë le të përgëzohet me mirësi – Ai do ta ndihmojë atë, siç thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” Talak 3.

Besimtari duhet të shfrytëzojë kohën sa është ende i lirë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë dy mirësi ndaj të cilave shumë nga njerëzit janë të mashtruar (nuk i shfrytëzojnë): shëndeti dhe koha e lirë.”

Besimtari nuk duhet të presë çastin kur të lirohet nga vështirësitë që të nxitojë në vepra të mira. Siç thotë një fjalë arabe: “Nëse nuk e pret kohën, të pretë ajo ty.” Nëse pret të lirohesh nga angazhimet dhe të fillosh pastaj adhurimet, atëherë dije se do të ikin raste dhe vepra të çmuara që ke mundur t’i kryesh.

Në këtë kohë që jetojmë, kemi shumë nevojë të shtojmë veprat e mira dhe të veprojmë vepra të llojllojshme e të jemi të vazhdueshëm në to. Pse? Kjo për arsye të fitneve dhe sprovave që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe brengave e shqetësimeve që vijnë njëra pas tjetrës.

Allahu lavdëron punëmirët në Kuran, dhe nuk ka nderë dhe vlerë më të madhe sesa kur krijesën e lavdëron Allahu, siç ka thënë: “Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira.” Bejjineh 7. Sa më shumë që njeriu kryen vepra të mira, aq më i mirë është tek Allahu. Është obligim për besimtarët të mos i braktisin kurrë veprat e mira, pavarësisht nëse janë para sezoneve të mirësisë kur duhet të shtohen ato, apo pas tyre, sepse ata duhet ta adhurojnë Allahun në çdo kohë, në çdo gjendje dhe në çdo vend.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

Madhësia e tekstit