Namazi i teravive

Namazi i teravive

Kur themi namaz nate në Ramazan, kjo përfshin tërë natën. Këtu përfshihet edhe namazi i teravive, i cili falet nëpër xhami. Andaj, faljes të teravive duhet t’i kushtohet kujdes duke i falur me besim në shpërblimin e Allahut dhe duke e kërkuar atë prej Tij. Numri i netëve të Ramazanit është i vogël dhe i paktë, ato shumë shpejt kalojnë. Andaj muslimani duhet t’u shtojë kujdes duke mos i lënë t’i ikin pa falur namaz nate, apo pa falur teravitë me xhematin e muslimanëve. Pse quhen teravi? Në arabisht “ﺘﺮﺍﻭﻳﺢ – teraawiih” do të thotë: “pushime”, që është shumësi i fjalës “terwiiha – një pushim”. Muslimanët e parë, selefi, për shkak se janë falur gjatë duke e zgjatur leximin e Kuranit, rukunë e sexhdenë, pas katër rekateve janë ulur të pushojnë pak.

Fillimisht Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka ligjësuar që namazi i teravive të falet me xhemat në xhami, e ka falur me shokët e tij në xhami. Pastaj e ka braktisë këtë nga frika se u bëhet obligim umetit të tij namazi i teravive në Ramazan.  Aisha radijAllahu anha tregon: “Një natë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është falur në xhami. Disa prej shokëve të tij janë falur pas tij. Në natën tjetër është falur përsëri dhe numri i xhematit u shtua. Pastaj në natën e tretë e të katërt njerëzit filluan të tubohen me të madhe. Mirëpo, ai salAllahu alejhi ue selem nuk doli të falet si imam i tyre. Kur erdhi namazi i sabahut doli për ta falë (me xhemat) dhe tha: “Unë kam parë se çfarë keni bërë, mirëpo arsyeja që më ka penguar të dal për t’u falur me ju si imam, është frika se u bëhet obligim (namazi i natës).” Buhariu dhe të tjerë. Pra kjo ka ndodhur në muajin Ramazan. Transmeton Ebu Dherri radijAllahu anhu: “Një Ramazan e kemi agjëruar me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe ai nuk është ngritur të falë namaz nate me xhemat derisa kanë mbetur shtatë netët e fundit. Pastaj kur ka kaluar një e treta e natës (pjesa e parë) është ngritur për t’u falur me neve. Pastaj natën e gjashtë (që ka mbetur prej Ramazanit) nuk ka dalë të falet si imam me neve. Por, ka dalë në të pestën (që i bie nata e njëzetepesë e muajit), kur ka kaluar gjysma e parë e natës. I thamë: “O i Dërguar i Allahut, sikur të vazhdoje të faleshe me neve në pjesën e mbetur të natës (gjysmën tjetër)!” Ai ka thënë: “Ai që falet me imamin derisa ta përfundojë atë, i shkruhet sikur të ishte falur tërë natën.” Tirmidhiu, Nesaiu dhe të tjerë.

Numri i rekateve të teravive

Dijetarët e selefit kanë mos pajtueshmëri rreth asaj se sa është numri i rekateve të namazit të teravive së bashku me namazin vitër. Disa kanë thënë se janë gjithsej 41 rekate. Disa kanë thënë 39, disa 29, disa 23 (siç falen tek ne), disa 19, disa 13, disa 11 rekate. Ka edhe mendime të tjera. Mirëpo, mendimi më i saktë nga këto, është se namazi i natës është sunet të falet me 11 rekate ose 13 rekate. Kështu është transmetuar nga Aisha radijAllahu anha e cila kur është pyetur se si ka qenë namazi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në Ramazan ka thënë: “ما كانَ يزيدُ في رمضانَ ولا غيرِه على إحْدى عَشرةَ رِكعةً  – Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka shtuar më shumë se 11 rekate, as në Ramazan e as jashtë tij.” Buhariu dhe të tjerë. Po ashtu ibn Abbasi radijAllahu anhu tregon: “Namazi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem gjatë natës ka qenë 13 rekate.” Buhariu, Tirmidhiu dhe ibn Daudi. Seib ibn Jezid radijAllahu anhu tregon: “Umeri ibn Hatab radijAlahu anhu e ka udhëruar Ubejj ibn Keab dhe Temim ed Darin që të falin 11 rekate (si imamë) namaz nate me njerëzit.” Imam Maliku.

Kur selefi ka falur 11 apo 13 rekate, i kanë zgjatur shumë. Seib ibn Jezid radijAllahu anhu thotë: “Imami ka falur rekatet duke lexuar qindra ajete. Aq shumë e ka zgjatur leximin e Kuranit saqë ne jemi mbështetur nëpër shkopinjtë tonë.” Kjo është në kundërshtim me atë që shohim sot te shumica e njerëzve, të cilët i falin teravitë shumë shpejt duke mos pasur mundësi xhemati të kryejë obligimin e qetësimit dhe prehjes (الطّمأنينة) gjatë faljes, që është prej shtyllave të namazit, që nuk pranohet pa të. Në këtë mënyrë, duke pasur këtë defekt, namazi i tyre nuk është i saktë ngase nuk e ka qetësinë, po ashtu i lodhin ata që falen pas tyre, që janë të dobët fizikisht, apo të sëmurit, të moshuarit etj. Kështu i bëjnë keq vetes dhe atyre që falen pas tyre. Dijetarët e fikhut, Allahu i mëshiroftë, kanë përmendur se është gjë e urryer falja e imamit aq shpejt duke mos ua mundësuar atyre që falen pas tij të kryejnë sunetet e namazit (gjërat që janë të pëlqyera). E si është puna kur imami falet aq shpejt saqë ata që falen pas tij nuk kanë mundësi t’i kryejnë obligimet apo shtyllat e namazit?! E lusim Allahun të na udhëzojë!

Muslimani duhet të mos e lë anash namazin e teravive gjatë muajit të Ramazanit, në mënyrë që të arrijë shpërblimin e Allahut. E nëse falet pas imamit, nuk duhet ta ndërpresë namazin derisa ai ta përfundojë namazin, pra derisa imami ta falë vitrin e të japë selam. Nëse vepron kështu, kjo i llogaritet sikur të jetë falur tërë natën.

•┈ ┈• • ✦ • •┈ ┈•
Ndejat e Ramazanit.
? Hoxhë Lulzim Perçuku.

Madhësia e tekstit