Ndjekja e ajeteve të paqarta (muteshebih)

Ndjekja e ajeteve të paqarta (muteshebih)

Ajetet dhe argumentet e qarta quhen muhkemet. Ndërsa, ato të paqartat në kuptim quhen muteshebihet (për disa persona, e jo për çdokënd, si: nuk janë të paqarta për dijetarët). Për t’i kuptuar besimtari këto ajete të paqarta duhet t’i sqarohen nga dijetarët përmes ajeteve të qarta.

Allahu thotë: “Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet.” Ali Imran 7. Allahu pohon se ata kanë devijim në zemra ende pa filluar t’i lexojnë ajetet e Allahut (që janë të paqarta). E pastaj shkaku i këtij devijimi e lajthitje në zemra fillojnë të hulumtojnë në Kuran ajetet e paqarta (që përshtaten me devijimin e tyre), i marrin, argumentohen me to (për devijimin në të cilin janë), ndërsa ajetet e qarta i braktisin, nuk i marrin. Kjo ka ndodhur me të krishterët, të cilët kur kanë lexuar në Kuran kanë pretenduar se Muhamedi salAllahu alejhi ue selem është i dërguar vetëm për arabët, p.sh. ajeti: “Pa dyshim që Kurani është përkujtesë për ty dhe popullin tënd”. Zuhruf 44. Kanë vepruar kështu sepse në zemra kanë pasur devijim, dhe si pasojë kanë marrë ajetet që u përshtaten (pra për të refuzuar shpalljen, Kuranin, për të mos e ndjekur Pejgamberin e fundit). Po kështu kanë vepruar edhe disa sekte brenda Islamit, p.sh.: havarixhtë, murxhiat, kaderitë, mutezilitë etj. Ato kanë argumentuar për rrugën që janë me ajete prej Kuranit, të cilat janë të paqarta, dhe kanë braktisur të qartat. Havarixhtë duke argumentuar për bidatin e tyre, se lejohet të shpallën jobesimtarë ata që veprojnë mëkate të mëdha, kanë marrë ajetin “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë” Nisa 93. Kanë thënë se ky është argument se ai që vepron një mëkat të madh, në këtë rast vrasja e besimtarit, është jobesimtarë, sepse Allahu thotë për të se do të qëndrojë përgjithmonë në xhehenem, e vetëm jobesimtarët janë ata që do të qëndrojnë përgjithmonë në xhehenem. Në këtë mënyrë janë kapur vetëm për një pjesë të argumenteve, të cilat në shikim të parë janë të paqarta apo nuk tregojnë saktësisht për çështjen.

Një pjesë e komentuesve të Kuranit kanë thënë: “Prej urtësisë së Allahut është se Ai ka lërë në Kuran ajete që janë muteshebih.” Kjo që t’i sprovojë njerëzit, sepse sikur të ishin të gjitha ajetet të qarta, atëherë ai që nuk e ndjek Kuranin do të devijonte vetëm për shkak të kryeneçësisë, kokëfortësisë, mirëpo Allahu me urtësinë e Tij ka bërë që disa ajete të jenë të paqarta e të tjerat të qarta për t’i sprovuar njerëzit se çfarë do të veprojnë: a do të ndjekin egon, epshet e tekat e tyre, a do të adhurojnë Allahun apo do të ndjekin epshet, se kush do të shpëtojë prej egos së vet, se kush do t’i kthejë ajetet e paqarta tek ato të qartat me interpretime prej dijetarëve apo prej vetvetes sipas tekave të veta (duke devijuar).

Sektet kur kanë ndjekur ajetet e paqarta (për të argumentuar rrugën e tyre) kanë pasur për qëllim të kenë sa më shumë njekës e pasues dhe t’u thonë “jemi ndjekës të Kuranit, vetë Kurani po dëshmon për rrugën tonë”.

 

Njësuesi i Allahut në raport me argumentet muteshebih

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur vjen koha dhe filloni të shihni ata njerëz që ndjekin argumentet e paqarta dhe braktisin argumentet e qarta, atëherë dijeni se janë ata të cilët i ka pasur për qëllim Allahu në këtë ajet: “Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet.” Ali Imran 7. Kështu që të ruheni prej tyre.”

Obligim për muslimanin që ndjek dhe i di mirë argumentet e qarta, kur dikush i cili ndjek argumente e paqarta vjen tek ai dhe ia sjell një dyshim, janë dy gjëra:

  1. Të ketë kujdes prej tij. Ta mbajë zemrën larg prej fjalëve të tij, të mos dëgjojë dyshimet e fjalët e tij, të mos lejojë që dyshimet që ia sjell t’i depërtojnë në zemër duke ia përzierë fenë.
  2. Të thotë: “Kam besuar të gjitha argumentet në Kuran e sunet, të gjitha janë prej Zotit tonë.” T’ia referojë paqartësinë injorancës së vet (“jam injorant i padijshëm dhe nuk e di domethënien e ajetit që më sjell por e besoj se është prej Allahut”).

Është sukses prej Allahut për muslimanin nëse ai është pastruar prej egos dhe dëshirave të veta, prej ngritjes së vetes mbi të tjerët duke pretenduar se vetë mund t’i përgjigjet një dyshimi. Disa njerëz kur u vijnë argumentet muteshebih thonë “ne kemi logjikë dhe mendje, pse të mos provoj,[ ta kuptojmë vetë këtë ajet”, andaj fillojnë të futen në të dhe zhyten e si përfundim dalin me devijime. Ata i ndjekin këto argumente muteshebih për t’i komentuar nga vetja dhe kështu humbain rrugën e drejtë. Madje besojnë se ky komentim që ua bëjnë është i saktë. Në këtë mënyrë ndjekin argumentet e paqarta dhe braktisin të qartat. Kurse obligim për ta ka qenë që të mos futen në to, ose nëse ka pasur diçka të paqartë atëherë t’i kthehen dijetarëve të cilët ua sqarojnë kuptimin e atyre argumenteve.

Nëse ke diçka të paqartë, duhet bërë durim dhe nuk duhet nxituar ta zgjidhesh me mendjen tënde, mirëpo ose duhet ta kthesh atë te ajetet e qarta dhe të mos ia vësh veshin dyshimit, ose dëgjon/lexon se si e kanë sqaruar dijetarët atë dyshim. Kështu duhet vepruar në të gjitha çështjet e fesë, e sidomos në çështjet e teuhidit (të adhurimit) dhe akides.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Keshfush shubuhat.

 

Madhësia e tekstit