Në kohë krizash (vështirësish)

Në kohë krizash (vështirësish)

✿°• Besimtari duhet të jetë i qëndrueshëm, të mos dobësohet a plogështohet. Allahu thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë…” Fusilet 30. Ai mund të sprovohet (me gjëra të ndryshme). Shumë njerëz pretendojnë se besojnë, por bien në provim. “Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” Ankebut 3. Njeriu ku sprovohet nuk duhet të shikojë vetëm anën negative, të plogështohet e të ligështohet. Allahu i ka sprovuar Pejgamberët me lloj-lloj sprovash. Ata janë sprovuar dhe kanë duruar e kurrë nuk janë lëkundur. Çdo sprovë duhet të na shtojë besimin dhe bindjen në atë që e ka premtuar Allahu dhe se Ai e ka thënë të vërtetën.

✿°• Besimtarët të jenë të afrueshëm, vëllazërorë. Me këtë ndihmohet Islami dhe ndihmohen ndërmjet veti. Allahu thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” Huxhurat 10. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimtari për besimtarin është sikur një fortifikatë pjesët e së cilës mbajnë njëra-tjetrën” (dhe ka ndërlidhur gishtat). Selefi ka thënë: “Çështja e vëllazërisë është sikur dora e syri. Nëse dhemb dora, loton syri e nëse loton syri, dora ia fshin lotin.” Kjo sidomos në kohë krizash, duke bashkëpunuar e duke u afruar. Vëllazëria në Islam nuk është gjë e përkohshme, gjë e kësaj dunjaje. Kjo vëllazëri dallon, sepse përveç që shkrin divergjencat racore, apo sociale etj., është dhe dashuri që vazhdon edhe në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se disa banorë të xhenetit do të thonë: “O Allah, ishin disa vëllezër që faleshin me ne, agjëronin me ne, jepnin lëmoshë me ne, por sot nuk po i shohim!” Vëllai musliman duhet të ketë zemër të pastër ndaj vëllezërve të tjerë muslimanë, t’iu japë selam, t’iu përgjigjet ftesave të tyre, t’i këshillojë, t’i vizitojë, të ketë mendim të mirë për ta, të mos ketë paragjykime për ta, t’i ngushëllojë nëse nuk ka mundësi më tepër etj.

✿°• Të mos e humbet shpresën për shpëtim. Kur njeriu bën mëkat shejtani i thotë: “Çfarë ke bërë! Ti nuk meriton të të pranohet pendimi.” Paramendo kur ndodhë një fatkeqësi e cila i godet muslimanët në masë më të madhe! Çfarë do të pëshpëriste shejtani në veshin e secilit prej tyre duke u munduar t’ua humbet shpresën e të fusë tek ta dëshpërim? Duhet të dimë se njerëz më të mirë sesa ne janë sprovuar. Porse, ka pasur edhe njerëz më të këqij sesa ata me të cilët jemi sprovuar ne, të cilët janë munduar ta dëmtojnë këtë fe, pa ia arritur qëllimit, prej Faraonit, Nemrudit, Ebu Xhehlit e të tjerë, kohë pas kohë, dhe kurrë nuk do t’ia arrijnë qëllimit, dhe në këtë nuk duhet të dyshojmë. Ata kanë mundësi të bëjnë dëmtime nganjëherë te muslimanët, por kurrë nuk do të munden ta çrrënjosin këtë fe, “Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” Teube 32. Ne e dimë se çdo sprovë shkakton dhimbje, porse e mendojmë atë se kjo botë është kalimtare dhe ajo nuk është përfundimi ynë. Ne do të vdesim, por me vdekjen nuk përfundon çdo gjë. Do të ketë ringjallje, dhe urtësia e Allahut kërkon që ai i cili ka bërë mirë do të shpërblehet me të mira e ai i cili ka bërë keq do të dënohet me të këqija.

✿°• Besimtari është rob i Allahut, i cili i nënshtrohet Atij me dashuri dhe madhërim, dhe çdo vepër të mirë që e bën për Allahun kjo është adhurim. Për këtë na ka krijuar Allahu, “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Dharijat 56. Adhurimi çdoherë është i kërkuar, mirëpo në kohë krizash është edhe më i kërkuar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Adhurimi në kohë luftërash, vrasjesh, fitnesh, është sikur hixhreti në kohën time.” Kjo sepse zakonisht në kohë sprovash njerëzit merren me analiza, debate, lajme, e pak prej tyre kujtohen të bëjnë adhurim e lutje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të vijnë ditë të vështira. E ai që kapet për feje, është sikur të mbajë gacën në dorë. Ai që bën punë të mira në atë ditë ka shpërblimin sa pesëdhjetë (prej jush- sahabëve).”

✿°• Njeriu gjithmonë pikë referuese duhet të ketë Kuranin, sunetin dhe fjalët e selefit. E kjo sidomos në kohë krizash. Për aq sa largohet prej tyre, i largohet të vërtetës. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se do të vijnë sprovat e përçarjet, ka thënë: “Përmbajuni sunetit dhe shtrëngojeni atë me dhëmballë!” Pas Kuranit e sunetit, përmbaju dijetarëve, hoxhallarëve të mëdhenj, të cilët dinë të komentojnë Kuranin e sunetin. Sidomos atyre që e madhërojnë atë, që nuk flasin me eufori, me entuziazëm, me emocione, por njihen për të qëndrueshëm në kohë sprovash duke iu përmbajtur Kuranit e sunetit (e këta janë dijetarët e mëdhenj, në moshë dhe në dije e përvojë). Në kohë sprovash errësohen gjërat, dhe duhet pas në konsideratë një parim: të jesh i qetë, të mos ngutesh. Më mirë është të jesh pasues në të mirë se imam në të keqen. Ngadalë dhe durim. Me kalimin e kohës fillohen të kuptohen gjërat. Edhe në rastet më të vështira Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka kërkuar që të jemi të përmbajtur e të qetë dhe të mos nxitojmë.

 

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit