“Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira…”

Këshillë e shkurtër 5

Fjalët e Allahut: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri  (i duan të tjerët).” Merjem 96.

~ Ky ajet tregon për një rezultat të besimit, e që është: atë që beson e duan të tjerët, pranohet tek ta, e shohin për të afërt, e respektojnë edhe nëse nuk e njohin personalisht. Këtë ajet e komenton hadithi: “Kur Allahu e do një person e thërret Xhibrilin e i thotë: “Unë e dua filanin, duaje edhe ti!” Dhe pasi e do edhe Xhibrili, i thërret banorët e qiellit (engjëjt) e u thotë: “Allahu e do filanin, duajeni edhe ju!” Dhe e duan engjëjt. Pastaj ai bëhet i pranueshëm, i afërt dhe i dashur te njerëzit.”

~Kur njeriu është besimtar i mirë, i devotshëm e i përulur ndaj Allahut, rrjedhimisht është i dashur tek të tjerët, i respektuar e i pranuar tek ta (edhe tek ata që nuk janë të udhëzuar).

~Ebu Derda ka këshilluar: “Bindju Allahut, Ai të do ty e do të pranojnë njerëzit. Mirëpo, ke kujdes ndaj mëkateve sepse me to të urren Allahu e të urrejnë edhe njerëzit.”

~Vepra e mirë dhe besimi i fortë janë të ndërlidhura me pranimin e personit te njerëzit.

~Nuk duhet pasur qëllim vetëm arritjen e dashurisë së njerëzve. Kur vepron vepra të mira, gjithmonë duhet të ketë parasysh se Allahu e urdhëron atë vepër, dhe e vepron vetëm për Allahun, e jo për syefaqësi. Falet, agjëron, kryen haxhin, jep lëmoshë, ka sjellje të mirë etj., i bën për Allahun, jo për dikë tjetër, ngase realisht nijeti i papastër dhe syefaqësia e shkatërron veprën. Gjithmonë njeriu i vepron veprat për Allahun, që të jetë i shpërblyer tek Ai, por edhe ta duan njerëzit, mirëpo pikësynimi i tij është arritja e kënaqësisë së Allahut dhe bërja e veprës për hir të Tij.

~Nuk është e ndaluar që të jetë si synim edhe arritja e kënaqësisë së njerëzve (pra bashkimi mes atyre dy qëllimeve që përmendëm).

 

Dr. Gazmend Mehmeti | Transkriptim nga derset e tij.

Madhësia e tekstit