Nga lindja e Profetit ﷺ, deri te vdekja e gjyshit të tij Abdul Muttalibit – Fragmente nga jeta e Profetit ﷺ

Babai i Pejgamberit ﷺ ishte Abdullah ibn Abdul Muttalibi. Ai u martua me Amine bint Uehb. Pastaj Amineja mbeti shtatzënë me këtë fëmijë të bekuar, Muhamedin ﷺ. Amineja ishte nga fisi Benu Zuhra. Prejardhja e saj lidhet dhe takohet me prejardhjen e Muhamedit ﷺ tek Kilab ibn Murrah. Allahu deshi që Pejgamberi ﷺ të kishte prejardhje fisnike, të lartë e më të pastrën në të gjithë sipërfaqen e Tokës. Populli i tij ishte populli më fisnik e më bujar.

Babi i Pejgamberit ﷺ vdiq gjersa nëna Amineja ishte shtatzënë me të në periudhën dy mujore. Megjithatë Abdullahi ia la trashëgim djalit të tij – ende pa lindur – pesë deve, një tufë delesh dhe një shërbëtore nga Etiopia që quhej Bereke, me kunjën Ummu Ejmen.

Amineja e lindi këtë fëmijë të bekuar, Muhamedin ﷺ të hënën, ditën e dymbëdhjetë të muajit Rebiul Euel në vitin e elefantit – sipas mendimit më të mirënjohur në mesin e dijetarëve të biografisë/sirës dhe dijetarëve të tefsirit.

Ai është Muhamed ibn Abdilah ibn Abdul Muttalib ibn Hashim ibn Abdu Menaf ibn Kusajj ibn Kilab ibn Murrah ibn Kab ibn Lu’ej ibn Galib ibn Fihr ibn Malik ibn Nadir ibn Kinaneh ibn Huzejmeh ibn Mudrikeh ibn Iljas ibn Mudar ibn Nezar ibn Meadd ibn Adnan.

Deri këtu ka unanimitet mes dijetarëve të tefsirit dhe biografisë/sirës së Pejgamberit ﷺ. Pastaj prejardhja e Adnanit përfundon tek Ismaili, djalit të Ibrahimit (alejhimus selam).

Kur nëna e lindi Pejgamberit ﷺ e dërgoi tek gjyshi i tij, Abdul Muttalib dhe ia dha lajmin e mirë se i kishte lindur një nip. Gjyshi i tij e shikoi, pastaj e barti me vete dhe hyri me të në brendësinë e Qabes. Aty filloi ta luste Allahun për të dhe ta lavdëronte Atë. Pastaj e quajti me emrin Muhamed, emër ky i cili ishte shumë i çuditshëm dhe i panjohur në mesin e arabëve atë kohë.

Nuk pohohet asgjë lidhur me ato gjëra të cilat përmenden se nëna e tij Amineja kishte parë kur e lindi Pejgamberi ﷺ me përjashtim të asaj që transmetohet me rrugë të sakta të transmetimit se ai ﷺ kishte thënë:

“Unë jam lutja e babait tim, Ibrahimit (domethënë si fryt i lutjes) dhe jam përgëzimi në të cilin ka dhënë Isai (alejhis selam). Nëna ime kur ka mbet shtatzënë me mua ka parë një nur (dritë) të madhe që ka dal prej saj. Dritë kjo e cila i ka ndriçuar pallatet e Busrasë në tokën e Shamit.”

Në ditën e shtatë të lindjes së tij ﷺ Abdul Muttalibi e bëri synet, siç ishte zakon dhe traditë në mesin e arabëve. Po ashtu ia preu akikën me një dash dhe e quajti me emrin Muhamed. Arabët nuk e kishin të njohur këtë emër më herët dhe u çuditën shumë kur e dëgjuan atë, prandaj e pyetën:

– Pse nuk e emërtove me emrin e ndonjërit prej anëtarëve të shtëpisë?

Atëherë Abdul Muttalibi tha:

– Desha me këtë emër që Allahu ta lavdëroj atë në qiell e po ashtu edhe krijesat e Tij në tokë.

Pas lindjes Amineja nuk kishte gji të mjaftueshëm për ta ushqyer foshnjën. Prandaj atë ﷺ e ushqeu me gji Thuvejbe, e cila ishte shërbëtore e Ebu Lehebit (axhës së Pejgamberit) dhe njëkohësisht ishte nëna e Mesruhit.

Thuvejbe i kishte dhënë gji edhe Hamza ibn Abdul Muttalib (axhës së Pejgamberit) e po ashtu edhe Ebu Seleme ibn Abdu Esed.

Prej mëndeshave të Pejgamberit ﷺ ishte edhe Halime Sa’die nga fisi Benu Sa’d. Ajo e ushqeu me gji së bashku me gjithë fëmijët e saj që ishin Abdullah ibn Harith ibn Abdul Uzzah, Xhudhame bint Harith ibn Abdul Uzzah (e njohur me emrin Shejma) dhe Anisa bint Harith ibn Abdul Uzzah.

Andaj Pejgamberi ﷺ gjithsej i ka shtatë vëllezër në mesin e tyre edhe motra nga gjiri. Ata janë: Hamza ibn Abdul Muttalib, Ebu Seleme ibn Abdul Esed, Ebu Sufjan ibn Harith ibn Abdul Muttalib (djali i axhës), pastaj Mesruhi (djali i Thuejbes), Abdullahu, Esh-Shejma dhe Anisa. Pejgamberi ﷺ nuk kishte as vëllezër e as motra nga nëna dhe babai i tij.

Gjatë fëmijërisë së Pejgamberit ﷺ ndodhi një ngjarje e rëndësishme, ajo ishte çarja (hapja) e gjoksit të Pejgamberit ﷺ. Kjo ndodhi kur ai ﷺ ishte tek Halime Sa’dije.

Gjersa Pejgamberit ﷺ ishte duke lozur me fëmijët e tjerë erdhi Xhibrili (alejhis selam) e mori, e shtriu në tokë dhe ia hapi gjoksin. Pastaj ia nxori zemrën, ia lau me ujë të zemzemit dhe e hoqi një copëz të zezë prej saj dhe tha: “Kjo është hisja e shejtanit tek ti.” .

Pas kësaj Xhibrili (alejhis selam) ia qepi gjoksin Pejgamberit ﷺ dhe – sipas një mendimi të dijetarëve – ia vulosi shpinën me vulën e profetësisë. Kështu Pejgamberi ﷺ u bë i mbrojtur prej shejtanit dhe shejtani nuk pati asnjë mundësi të ndikonte negativisht tek ai ﷺ qoftë në fjalët apo veprat e tij.

Vula e profetësisë është një copëz mishi paksa e ngritur në shpinën e Pejgamberit ﷺ në vijë paralele me zemrën e tij dhe madhësia e saj është sa madhësia e një veze.

Pejgamberi ﷺ pas kësaj ngjarjeje u kthye tek nëna e tij ku kishte mbushur dy vite të qëndrimit tek Halime Sa’dije.

Pejgamberi ﷺ vazhdoi të ishte nën kujdesin e nënës së tij Amines e po ashtu të gjyshit të tij Abdul Muttalibit pas kthimit nga shkretëtira e fisit Benu Sa’d.

Kur Pejgamberi ﷺ ishte 6 vjeç i vdiq nëna e tij Amineja. Kjo ndodhi në vendin Ebua, kur ajo ishte duke u kthyer për në Meke së bashku me djalin e saj pas një vizite që kishin bërë tek dajallarët e tij, pra fisi Benu Adij ibn Nexhar në Medinën e ndritshme, që në atë kohë quhej Jethrib.

Rrugës për në Mekke e ktheu shërbëtorja Ummu Ejmen, që tash u bë kujdestarja e tij dhe e qoi tek gjyshi i tij, Abdul Muttalibi në Mekke. Abdul Muttalibi u kujdes aq shumë për të madje edhe më mirë se sa për fëmijët e tij. Pra ai e afronte atë, e mbante afër vetes e fuste edhe në dhomë kur flinte, sa nuk hante as ushqim veçse së bashku me të ishte Pejgamberi ﷺ.

Mirëpo, deshi Allahu (subhanahu ue teala), kur Pejgamberi ﷺ arriti moshën 8 vjeçare të vdiste edhe gjyshi i tij, Abdul Muttalibi.

 

Cilat janë mësimet që ne i morëm në këtë kapitull?

Padyshim në këto që i përmendëm deri më tani ka dobi dhe mësime të mëdha nga biografia/sirja e Pejgambert ﷺ:

–   Gjyshi i tij, Abdul Muttalibi kishte kujdes të veçantë ndaj nipit të tij, Muhamedit ﷺ dhe e donte shumë.

–   Pejgamberi ﷺ lindi dhe u rrit jetim.

–   Që ka qenë Pejgamberi ﷺ jetim është ngushëllim për çdo jetim në çdo kohë dhe çdo vend. Gjithashtu ta dinë se të jesh jetim nuk është ndonjë hakmarrje apo ndëshkim për të dhe nuk duhet të jetë e tillë që ta pengojë nga arritjet e suksesit në jetën e tij.

–  Mësuam lidhur me mrekullinë e hapjes së gjoksit të Pejgamberit ﷺ.

Çfarë përfitojmë nga kjo ngjarje?

–   Përfitojmë se ne duhet patjetër t’i kushtojmë vëmendje zemrave tona, t’i pastrojmë ato nga çdo sëmundje dhe defekt, si dhe të mos i lëmë hapësirë shejtanit në to.

–   Po ashtu në këtë ngjarje të hapjes së gjoksit dhe pastrimit të zemrës së tij sqarohet sesi Allahu (subhanehu ua teala) e përgatiti robin e Tij, Pejgamberin ﷺ që të pranonte shpalljen në të ardhmen.

–   E fundit nga mësimet që morëm janë se mëndeshat e Pejgamberit ﷺ ishin tri: Amineja (nëna e tij), Thuvejbe (shërbëtorja e Ebu Lehebit) dhe Halime Sa’dije.

 

Hoxhë Petrit Perçuku –  Transkriptim.

Madhësia e tekstit