Nga shenjat e kapjes së dobët për feje

Nga shenjat e kapjes së dobët për fe

  1. Gjumi në kohën e namazit të obligueshëm (veçanërisht në kohën e namazit të sabahut dhe ikindisë). Sheh një të ri musliman, pamja e jashtme e të cilit të bën të kuptosh se është i kapur shumë për feje, porse në disa raste i ikë namazi i sabahut apo edhe i ikindisë (tërësisht ose pjesërisht), apo i fal pak para se t’iu dalë koha e caktuar, apo i fal pasi t’iu dalë koha. Kjo ndodh pasi këto dy namaze vijnë pas një periudhe të gjumit dhe qetësisë e rehatisë, andaj i vije vështirë dhe rëndë të ngrihet për t’i falë.
  2. Mosprania e zemrës gjatë faljes së namazit. Nuk është qëllimi për mospranim të zemrës në një rekat a dy rekate, apo në një namaz a dy namaze, por kur kjo gjë i bëhet shprehi dhe traditë. Pa dyshim se Allahu kur ka përmendur në suren Muminun cilësitë e besimtarëve të shpëtuar ka thënë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre…” Muminun 1-2. Pra, e falin namazin duke pasur zemrën prezent. Allahu në këtë ajet ka përmendur se përulja e zemrës është prej cilësive të para të besimtarëve të cilët do ta trashëgojnë Firdeusin- xheneti më i lartë. Andaj, nëse dëshiron të jesh prej tyre atëherë duhet të cilësohesh me cilësitë e tyre, prej tyre më e rëndësishmja është: falja e namazit me zemër të pranishme, falja me koncentrim.
  3. Vonimi për namaz në xhami. Disa shkojnë në xhuma duke kënduar ezani apo ikameti, disa shkojnë për namaze ditore kur është duke u falur namazi. Kjo pa dyshim është një dukuri jo e mirë.
  4. Mosdhënia rëndësi adhurimeve nafile, si: agjërim, namaz nate, sunete para e pas namazeve etj. Kështu nuk kanë ambicie të falin namaz nate, nuk falen fare, apo braktisim disa nga namazet nafile (të rregullta) para e pas farzeve apo i braktisin tërësisht, apo nuk agjërojnë asnjë ditë të vitit me përjashtim të Ramazanit. Pa dyshim se këto i ndodhin secilit, ndonjëherë, mirëpo qëllimi është të mos bëhet shprehi kjo gjë.
  5. Mosleximi i Kuranit, mosmësimi përmendësh i tij, gjatë ditës. Leximi i Kuranit është prej rrugëve e mjeteve më të rëndësishme të cilat ta forcojnë zemrën në fenë e Allahut, kjo sepse Kurani përmban gjëra të shumta që forcojnë zemrën në fe, si: tregimet për Pejgamberët (flasin për sprovat e tyre në fe, ballafaqimin me to, mosluhatja e tyre), përkujtimi i xhenetit dhe xhehenemit, sqarimi i udhëzimit nga devijimi, cilësimi me durim etj. Patjetër duhet t’i kushtojmë vëmendje leximit të Kuranit, e jo vetëm lexim sa për të kaluar kohën, por lexim i thellë, me meditim dhe marrje mësim.
  6. Mospërmendja e shumtë e Allahut gjatë ditës. Përmendja e paktë e Allahut nuk është prej cilësive të besimtarëve, por është prej cilësive të dyfytyrëshve. Besimtari duhet të jetë prej atyre që e përmendin shumë Allahun. Prej dobive të shpeshtimit të dhikrit është se ta forcon besimin në zemër dhe bën që obligimet fetare dhe punët e tjera t’i veprosh më lehtë. Kapjen për feje, shpeshtimi i shikrit e bën kapje reale, të mirëfilltë. Pejgamberi salAllahu alrjhi ue selem ka thënë: “Ua kanë kaluar el muferridunët!” I thanë: “Kush janë ata, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Ata dhe ato të cilët e përmendin/kujtojnë shumë Allahun.” Muslimi.
  7. Morali i keq dhe raporti i keq me njerëzit (me familjen, me të afërmit, farefisninë), në shtëpinë e tij, në vendin ku punon. Sillet larg butësisë islame, kërkon vetëm të drejtën e tij dhe nuk ua jep të drejtën që u takon të tjerëve. Edhe nëse e jep, këtë e bën me interes.
  8. Mospranimi i këshillës. Kur dikush e këshillon apo ia tregon udhëzimin nga devijimi, i ngushtohet zemra, dhe dëshiron që mos ta kishte dëgjuar. Madje ndodh të fillojë ta akuzojë këshilluesin se është duke ia gjurmuar të metat apo se e ka kthyer çështjen në personale, dhe përmend pastaj gjëra kinse ia arsyetojnë veprën për të cilën i ka dhënë këshillë tjetri, e të gjithë këtë e bën me qëllim refuzimi e mospranimi të këshillës.
  9. Humbja e kohës në gjëra të padobishme. Ndalu dhe mendo se sa koha humbet nga të rinjtë muslimanë në gjëra të padobishme, madje dëmtuese. Çfarë është e keqe tjetër është se nuk kanë keqardhje për kohën e humbur. E çojnë kohën në rrjetet sociale, në internet, me telefona, duke përcjell çfarë shkruhet e postohet, po ashtu në tubime mes të rejave e të rinjve, me përzierje jashtë rregullave fetare, dhe gjëra të tjera që humbasin kohën pa dobi.
  10. Të qeshurit e shumtë. Personi i tillë prezanton vetëm në ndeja ku ka të qeshura dhe vetëm aty e gjen prehjen. Nëse është ndonjë ndejë ku përmendet Allahu apo i tregohet se do të ketë një ligjëratë, e sheh se i ngushtohet zemra dhe nuk ndihet rahat dhe dëshiron që të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të kthehet tek të qeshurat e ndejat e veta.
  11. Angazhimi me gjëra të ulëta e të pavlera, e humbet kohën në gjëra të padobishme, të cilat nuk i sjellin dobi, porse e dëmtojnë. Këtu hyjnë dhe lojërat e ndryshime, qoftë në telefona apo kompjuter etj.
  12. Mos serioziteti dhe mos vendosmëria në kërkimin e dijes fetare. Vëren se është i kënaqur me gjendjen e tij, është larg kërkimit të dijes. Nëse i thua: “Eja vëlla të mësojmë për fenë e Allahut!” nuk ndihet rehat. Largohet nga vendet ku ka atmosferë të dijes dhe ka dëshirë të qëndrojë aty ku ka të qeshura, biseda të kota etj.
  13. Mos ndryshimi i të këqijave para tij apo mos qortimi për to. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush prej jush sheh një të keqe le ta ndryshojë atë me dorën e tij (nëse ka mundësi), e nëse nuk mundet atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet atëherë ta urrejë me zemër.” E ndërsa ky njeri, sheh të këqijat para syve të tij dhe fare nuk këshillon me gjuhën e tij apo dhe ndoshta nuk e urren me zemër.
  14. Vëmendja e madhe ndaj anës së jashtme (dukjes). Është i zhytur dhe i thelluar në stoli, rroba, parfume, mobilie, makina, orë, këpucë etj. Posa del një modë e re menjëherë e ndjekë. Hadithi: “Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën” nuk ka të bëjë me të. Nëse e këshillon për këtë, ta përmend këtë hadith. Gjendja e tij është e qortueshme, pra kur njeriu e tepron në dukjen e tij të jashtme, kur tejkalon kufijtë.
  15. Mos mbajtja e premtimeve. Është fare e lehtë tek ai që nëse ke caktuar me të një takim të mos vijë e pastaj pas një kohë të buzëqeshet e të thotë “Kam pasur një punë.” Ai nuk i ka kushtuar vëmendje fare premtimit, mirëpo e ka bërë orën e atij takimi varësisht nga koha e tij, siç i konvenon (nëse është i lirë vjen, në të kundërtën nuk çan kokën). Mos mbajtja e premtimit nuk është prej cilësive të besimtarëve të mirëfilltë, mirëpo është prej shenjave të munafikëve, siç ka ardhur në hadith (dhe është për qëllim dyfytyrësia në vepër dhe jo në besim).
  16. Mos dëlirja e vetes nga mbetjet e gjendjes para se të kapej për fe. Vëren të rinjtë të cilët kapen për feje, megjithatë nuk heqin/braktisin gjërat që i kanë poseduar gjatë xhahiljetit (si: revista, kaseta etj.), porse i mbajnë e i ruajnë. Ngjashëm me këtë është dhe se nuk largohet nga shoqëria që kishte në xhahiljet. Nëse dikush dëshiron të jetë i qëndrueshëm në fe, atëherë pas udhëzimit duhet të largohet prej shoqërisë (jo të mirë) që kishte më herët sepse kjo, siç mund të ndodhë, bëhet shkak që të devijojë dhe të kthehet në devijim.
  17. Mos ruajtja nga gjërat e dyshimta. Ai e ka të lehtë të bie në to, e kur ta këshillosh nga një gjë që është e dyshimtë të cilën e do shumë, polemizon e thotë: “Nuk është e ndaluar”, nuk ta merr këshillën. Nuk i mjafton se ajo gjë është e dyshimtë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka urdhëruar që të largohemi nga gjërat e dyshimta. Ai ka thënë: “Kush bie në gjëra të dyshimta veçse ka rënë në haram.”
  18. Mos mbajtja e lidhjeve farefisnore. Kjo ndodh për shkak të shkëputjes së gjatë kohore mes tij dhe tyre, andaj e ka të vështirë e të rëndë të vazhdojë të mbajë lidhjet me ta, apo për shkak të kundërshtimeve e përçarjeve mes tyre, andaj i vjen turp t’u flasë pas një kohe të gjatë. Pra, nuk mban lidhjet farefisnore për çfarëdo lloj shkaku qoftë, dhe e ka harruar fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Nuk do të hyjë në xhenet ai person që shkëput lidhjet farefinsore.” Hadith mjaftë frikësues.
  19. Shkujdesja ndaj edukimit të fëmijëve, familjes (këtu hyn dhe bashkëshortja e tij). Vëren se në anën e tij të jashtme është i kapur për feje, porse ai nuk i kushton vëmendje gruas dhe fëmijëve të tij, i anashkalon, as nuk i merr fëmijët në xhami e as i dërgon aty ku mësohet Kurani, suneti, morali etj. Është njeri i shkujdesur në këtë drejtim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Secili prej jush është çoban (përgjegjës) dhe secili prej jush është çoban për kopenë e tij (ata që i ka nën urdhrat e tij)”, këtu hyn së pari familja e tij. Kur e këshillon në këtë drejtim thotë se është tepër i nxënë me punët e tij ditore dhe arsye të tjera të pavenda.
  20. Qëndrimi deri në orët e vona natën. Harron se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (siç transmetohet) urrente gjumin para namazit të jacisë dhe bisedat pas tij (bisedat e ndejat e kota pa dobi).
  21. Mangësia në thirrjen e të tjerëve drejtë fesë. Është joproduktiv në këtë drejtim, nuk i thërret njerëzit në fenë e Allahut. Thirrja drejt Allahut ishte misioni i të gjithë Pejgamberëve, vepra më e mirë e mundshme. Allahu thotë: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.” Fussilet 33. Falet në xhaminë e lagjes, ndoshta të gjitha kohët e namazit, dhe kurrë nuk i shkon ndërmend ta këshillojë dikë që nuk e ka namazin në rregull, apo dikë që ka nevojë për ta këshilluar. Është njeri negativ. Nuk i shkon ndërmend që dikujt t’i japë një libër, apo tjetër gjë.
  22. Dhënia e tepërt pas jetës së kësaj bote. Ai është shumë i angazhuar së tepërmi me të, të gjithë vëmendjen ia ka kushtuar asaj, se si të bëhet i pasur, ta ndërtojë një shtëpi, pasi të marrë një burim të të ardhura si ta posedojë një tjetër, saqë ndodhë mban dy punë brenda ditës.
  23. Zilia ndaj të tjerëve, qoftë dhe ndaj vëllezërve muslimanë. Zilia shkatërron punët e mira. Është e çuditshme se si ai e ka zili një vëlla musliman edhe për gjërat që kanë të bëjnë me jetën e botës tjetër!
  24. Dembelia. Ai një pjesë të madhe e kalon në gjumë. Veçanërisht kjo ndodh në kohën e pushimeve. Pastaj edhe nëse zgjohet është tepër dembel, joenergjik dhe nuk ka mundësi të veprojë diçka. E kundërta, ndodh nganjëherë të ketë entuziazëm të pakontrolluar. Nuk ka mesatare tek ai.
  25. Koprracia, në pasuri e përpjekje, lidhur me gjërat që ndihmojnë fenë dhe davetin. Ai nuk jep për hir të përhapjes së fesë Islame edhe nëse kërkohet prej tij, nuk shpenzon prej kohës dhe mundit të tij edhe nëse të tjerët insistojnë të veprojë një gjë të tillë.
  26. Mbështetja e dobët tek Allahu. Ai ka tewekul të dobët. Vazhdimisht mendja e tij është e angazhuar me të ardhmen, nga aspekti i dunjallëkut. Andaj sheh se e tepron në marrjen e shkaqeve apo gjërave të cilat mendon se janë shkaqe, dhe ky teprim bën që gradualisht të largohet nga mbështetja e mirëfilltë tek Allahu.
  27. Sjellja e keqe me prindërit. Ai nga ana e jashtme sheh se është i kapur për feje, megjithatë sillet keq me prindërit e tij. Ai nuk mund të quhet se është i kapur për feje ashtu siç duhet. Sjellja e keqe me prindërit siç ka treguar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është prej mëkateve të mëdha.
  28. Qëndrimi statik. Ai e ka braktisur kohën e injorancës dhe është kapur për feje, e ka lënë duhanin, drogën, gjërat e këqija, dhe mjaftohet me kaq. Nuk e nxit veten të zhvillohet më shumë në adhurime e të ecë përpara, të jetë prej atyre që prijnë në vepra të mira, të kërkojë dijen islame më shumë etj. Që prej pendimit dhe kapjes për feje e deri më sot, është në të njëjtën gjendje, nuk ka lëvizur.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

 

Madhësia e tekstit