Nivelet e shikimit (shqyrtimit) në çështjet akademike

Shejh Muhamed bin Umer bin Salim Bazmul, Allahu e ruajt, thotë:

‘Shikimi në çdo çështje akademike duhet të kalojë nëpër katër nivele, pas të cilave kërkuesi i dijes arrin ta njohë mendimin më të peshuar në çështjet rreth të cilave ka mospajtime mes dijetarëve.

Këto nivele janë:

Niveli i parë: Vërtetësia e argumentit.

Niveli i dytë: Saktësia e argumentimit me të.

Niveli i tretë: Të siguruarit nga ndonjë argument tjetër që e abrogon atë.

Niveli i katërt: Të siguruarit nga ndonjë argument tjetër që e kundërshton atë.

Çdo çështje, për të cilën kërkohet shikimi (shqyrtimi) i saj dhe arritja deri te mendimi ma i peshuar, kalon nëpër këto nivele.

Çështjet e dijes janë të shumta, mirëpo prej te’silit (ndërtimit të çështjeve mbi baza të paluhatshme) të kërkuesit të dijes është që t’i kushtojë kujdes (ta zbatojë) këtij parimi; pra, nëse shikon në çfarëdo çështje t’i kushtojë kujdes së pari vërtetësisë së argumentit, pastaj (së dyti) le ta shikojë saktësinë e të argumentuarit me të, pastaj (së treti) të siguruarit e këtyre argumenteve nga tjerat që e abrogojnë atë, dhe (së katërti) të siguruarit e tyre nga argumente tjera që e kundërshtojnë atë.

Ta sjellim një shembull për këtë:

Gjërat që e shfuqizojnë abdesin janë të shumta. Prej tyre po e marrim, për shembull, shfuqizimin e abdesit nga vjellja. Një nxënës dije e lexon në një libër se vjellja e shfuqizon abdesin, dhe thotë se unë dëshiroj të shikoj (hulumtoj) në këtë çështje.

Ne i themi: Po, (së pari) shiko a është vërtetuar ndonjë argument që tregon se vjellja e shfuqizon abdesin?

Ai thotë: Po, dijetari (në këtë libër) e ka sjellë një hadith: “Se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) volli dhe pas kësaj mori abdes”, dhe ky hadith është i saktë (autentik).

Domethënë, u pohua niveli i parë: “Vërtetësia e hadithit”.

Atëherë, kalojmë në nivelin e dytë: “Saktësia e argumentimit”, a është i saktë argumentimi me këtë hadith se vjellja është shfuqizuese e abdesit?

Shikohet se a ka në këtë hadith argumentim të qartë që abdesi i Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte për shkak të vjelljes? Nuk ka në këtë hadith argumentim të qartë që abdesi i Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte për shkak të vjelljes. Pse? Sepse, ai nuk tregon diç tjetër përveçse veprimin e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe tek dijetarët, veprimi i veçuar nuk tregon për obligueshmëri, por tregon për pëlqyeshmëri.

Me fjalët e tyre “veprim i veçuar” dijetarët e kanë për qëllim veprën e cila transmetohet prej Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), por që nuk e ka vepruar si sqarim i një ajeti, apo një hadithi tjetë që ka ardhur në formë të përmbledhur.

Prandaj themi: Të thuhet se argumentimi me këtë hadith për shfuqizimin e abdesit nga vjellja është i saktë, kërkon shqyrtim (shikim) të mëtutjeshëm, dhe aspekti i shqyrtimit është se hadithi ka përfshirë vetëm veprimin, dhe kjo nuk tregon për obligueshmëri.

Nëse kërkuesi i dijes i zbaton nivelin e parë dhe atë të dytë, atëherë çështja përfundon në këtë pamje/fotografi, dhe nuk ka nevojë për zbatimin e nivelit të tretë dhe atij të katërt.

Nganjëherë, ai mund të ballafaqohet me çështje në të cilat hadithet e kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Ta marrin një çështje tjetër prej çështjeve që kanë të bëjnë me shfuqizimin e abdesit. Për shembull, hadithi ku thuhet: “Kushdo që e prek organin e tij gjenital, le të marrë abdes.”

I themi atij: Zbatoje rregullën! Kështu që ai hulumton dhe e gjen se dijetarët rreth saktësisë së këtij hadithi kanë mospajtime, mirëpo mendimi më i peshuar është se ky hadith është hasen (i mirë), kështu që mbaron punë me nivelin e parë.

Atëherë, kalon në nivelin e dytë: A është i saktë argumentimi me të?

Themi: Po, argumentimi me të është i saktë, sepse kuptimi i jashtëm i tij tregon se abdesi shfuqizohet me prekjen e organit gjenital.

Pas kësaj, kalon në nivelin e tretë: shikon a ka ndonjë argument tjetër që e abrogon dispozitën e tij.

Për këtë hadith disa dijetarë kanë thënë se është i abroguar nga hadithi i Talkut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: “E kam pyetur të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) rreth prekjes së organit gjenital (d.m.th. a e shfuqizon abdesin)? Ai m’u përgjigj: “A nuk është ai një pjesë e trupit tënd?”

Ata thanë se ky hadith është i mëvonshëm, kurse hadithi i parë i mëhershëm, prandaj i mëvonshmi e abrogon të mëhershmin.

Pra, hadithi i dytë e abrogon hadithin e parë.[1]

Disa të tjerë thanë: Nuk e pranojmë thënien se këtu ka abrogim, ngase esenca/parimi është që të mos ketë abrogim, mirëpo themi se ky hadith e kundërshton atë të parin.

Atëherë, kalon në nivelin e katërt: Të siguruarit nga një argument tjetër që e kundërshton atë. Kështu që thotë: Këtu gjejmë se ky hadith e kundërshton të parin, prandaj unë do të bashkoj mes tyre, dhe them se ai që e prek organin e tij gjenital me epsh, e prishë abdesin, dhe kështu veproj me hadithin: “Kushdo që e prekë organin e tij gjenital, le të marrë abdes.”

Ndërsa, ai që e prekë organin e tij gjenital, ashtu siç i prekë organet e tjera të trupit të tij, domethënë pa epsh, atëherë nuk e prishë abdesin, për arsye se Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “A nuk është ai një pjesë e trupit tënd?”

Të tjerë thanë (prej tyre është edhe Muhamed bin Jahja Edh Dhuhlij, hoxha i Buhariut): Unë e interpretoj hadithin e parë se ai e ka për qëllim pëlqyeshmërinë e marrjes së abdesit, dhe jo obligueshmërinë; e kjo kuptohet prej treguesit/dëshmisë që ndodhet në hadithin e dytë, kështu që unë bashkoj mes këtyre haditheve në këtë mënyrë. Kjo ishte edhe përzgjedhja e Hoxhës së Islamit, Ibën Tejmijes, i cili thotë: “Prekja e organit gjenital nuk e prishë abdesin, mirëpo është e pëlqyeshme marrja e abdesit (pas prekjes), duke bashkuar kështu mes dy haditheve”.

Thënien e Muhamed bin Jahja Edh Dhuhliut, e transmeton Hakimi në “Marifetu ulumil-hadith”.

Pra, në çështjet e dijes, cilëndo çështje, zbatohen këto katër nivele.

Qëllimi me këtë parim është se moskujdesi ndaj këtyre niveleve gjatë shikimit në çështjet akademike e vendos kërkuesin e dijes në atë që quhet “sistemim jo i përpiktë i çështjeve”. Prej detyrave të rëndësishme të kërkuesit të dijes është të përpiqet ta sistemojë dijen që e ka në mënyrë të përpiktë. Kjo i mundësohet që gjatë këqyrjes së çdo çështjeje, rreth së cilës mendimet e dijetarëve janë të shumta dhe mënyrat e tyre të argumentimin janë të shumëllojta, t’i kushtojë vëmendje zbatimit të këtyre niveleve.

Qëllimi me këqyrjen në vërtetësinë e argumentit, është që kërkuesi i dijes të shikojë se a është ky argument i vërtetuar/pohuar apo jo?

– Nëse argumenti është ajet i Kuranit, atëherë nuk duhet të shikohet në të nga aspekti i vërtetësisë, sepse Kurani është i vërtetuar dhe muteuatir[2] .

– Nëse argumenti është hadith, atëherë duhet të shikohet në vërtetësinë e tij dhe shkallën e pranimit apo refuzimit të tij.

– Nëse argumenti është ixhma’ (konsensus i dijetarëve), atëherë duhet të shikohet në saktësinë e vërtetësisë së konsensusit, dhe po ashtu të shikohet nëse dikush prej dijetarëve e ka kundërshtuar atë ixhma’.

– Nëse argumenti është kijas (analogji), atëherë duhet të shikohet në saktësinë dhe vërtetësinë e kushteve të kijasit, përndryshe ai konsiderohet kijas në të cilin ka defekt.

Kjo është përmbledhtas se çfarë është qëllimi kur themi se duhet të vërtetohet argumentit. Nën këtë fjali ndërfuten detaje të shumta.

Ndërsa, qëllimi me të shikuarit në saktësinë e argumentimit është të shikohet se a korrespondon/përputhet argumenti me pretendimin? Sa e sa njeriu argumenton me hadith të saktë, mirëpo ai nuk përputhet me pretendimin e tij. Madje, ka prej tyre që argumentojnë me ajet të Kuranit, por ai nuk korrespondon me pretendimin e tij. Kjo për shkak se argumentimi me të nuk është i saktë.

Ndërsa, qëllimi me fjalët se duhet të shikohet në të siguruarit nga ndonjë argument tjetër që e abrogon të parin është të shikohet se a është ky argument, me të cilin ka argumentuar për pretendimin e tij, i qëndrueshëm dhe i qartë (solid), apo është prej llojeve të argumenteve të abroguara, kështu që mbi të duhet të zbatohen rregullat e abroguesit dhe të abroguarit.

Ndërsa, qëllimi me fjalët se duhet të shikohet në të siguruarit nga ndonjë argument tjetër që e kundërshton të parin është: që të mos jetë transmetuar ndonjë argument tjetër që i kundërvihet atij, kështu që mbi të duhet të zbatohen rregullat e haditheve që kundërshtohen mes veti për nga pamja e jashtme, dhe rregullat rreth haditheve të cilat nuk kuptohet qartë qëllimi i tyre, për shkak të kundërshtimit të ndonjë argumenti tjetër.

Pas këtyre niveleve kërkuesi i dijes arrin ta njohë mendimin më të peshuar.’

Marrë nga “Et te’sil fi talebil-ilm” nëpërmjet: www.sahab.net

Përktheu: Lulzim Perçuku

 

_________________________________________________________

[1] E vërteta është se hadithi i parë e abrogon të dytin, siç e sqaron këtë Ibën Kudame El Makdisi në librin e tij “El Mugnij” (1/242), ku thotë: “Ky hadith është i mëvonshëm, sepse atë e transmeton Ebu Hurajra, dhe ai ka hyrë në Islam vonë, e ka shoqëruar Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vetëm katër vite (d.m.th. ka hyrë në Islam në vitin e gjashtë të hixhretit, sh.p.), kurse Talku e ka vizituar Pejgamberin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kur myslimanët ishin duke i vendosur themelet e xhamisë së Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në fillim të kohës së hixhretit. Kështu që ky hadith e abrogon atë tjetrin.” Sh.p.

[2] Muteuatir do të thotë: Kur grupe personash transmetojnë (një lajm), brez pas brezi, duke qenë e pamundur që ata të merren vesh/dakordohen rreth gënjeshtrës, deri sa ai lajm ta mbërrijë të informuarin me të, në mënyrë që ai të përfitojë dijeni/njohuri bindëse, siç është Kurani Madhështor. Shiko “Neshrul-bunud ala merakis-suud”. Sh.p.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit