“Nuk mund të falem sepse nuk mund ta kontrolloj urinën”

Nëna thotë: “Nuk mund të falem sepse nuk mund ta kontrolloj urinën”. Si e këshilloni?

Kjo është vesvese, cytje e shejtanit që ia bën asaj. Shejtani përmes kësaj gjëje e ka gjetur një mënyrë që ta pengojë për faljen e namazit. E pa dyshim se shejtani është armik i njeriut dhe mundohet ta ndalojë atë nga të vepruarit e veprave të mira. E vepra më madhore që e kryen njeriu është namazi; ai është shtyllë e Islamit. Njeriu nuk duhet ta lejojë veten të bie në këtë cytje. Allahu thotë: “Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive”. Po ashtu thotë: “Keni frikë Allahun aq sa keni mundësi”. Andaj, ajo le të falet sipas mundësive, pa e braktisur namazin. Përderisa njeriu ka mendje të shëndoshë, duhet të kryejë namazin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë të falemi në këmbë, nëse nuk mundemi atëherë falemi ulur. A i lejohet dikujt të thotë se meqë s’po mundem të falem në këmbë, atëherë nuk falem fare?! Jo, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ta ka lehtësuar këtë. Nëse nuk mundesh as ulur, atëherë falesh shtrirë. E gjithë kjo është lehtësim prej Allahut të Madhëruar. Islamin e ka bërë lehtësim për njerëzit. Nëse njeriu nuk mund ta kryejë një adhurim ashtu siç ka urdhëruar Allahu, atëherë e kryen sipas mundësive, dhe tek Allahu ky adhurim konsiderohet i plotë. Kjo është prej mirësive të fesë islame. Shembull: nëse njeriu nuk mund të falet në këmbë, por falet ulur, namazin e ka të plotë. Nëse kjo nënë nuk ka mundësi ta kontrollojë urinën, atëherë tek Allahu namazin e ka të plotë. Mirëpo, se si vepron personi në këtë rast, dijetarët thonë:

-duhet të presë hyrjen e kohës së namazit, pastaj e vendos një pecetë te vendi dhe merr abdes; me atë abdes e fal namazin e atij vakti (farz, sunet, apo dhe nafile),

-kur hyn koha e namazit tjetër, e largon atë pecetë, e pastron vendin, e vendos pecetën e re, merr abdes dhe e fal namazin e atij vakti.

Kështu vepron secili që ka probleme shëndetësore të tilla. Por, dikush tjetër mund të ketë problem me gazra. As të tillit nuk i thuhet “mos u fal”, sepse namazi është shtylla e fesë, nuk braktiset.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit