Nuk theret për hir të Allahut në një vend ku është therur për dikë tjetër pos Allahut

Nuk theret për hir të Allahut në një vend ku është therur për dikë tjetër pos Allahut

Është e ndaluar, bidat dhe shirk i vogël nëse theret kurban në një vend apo festë të caktuar të injorancës dhe idhujtarisë, ku është therë për dikë tjetër përveç Allahut, si: për varre, për idhuj, për madhërim të tyre, të tyrbe, për besëtytni të ndryshme etj., edhe nëse kurbani është për Allahun. Kjo sepse në këtë vepër ka disa dëme:

-përngjasim me jobesimtarë, pavarësisht nijetit për të therë kurban për Allahun,

-hapet dera e sherrit për vetë personin, sepse pas një kohe ka mundësi të ndryshojë bindjen se nuk ka të keqe që në atë vend të theret kurbani apo se meriton të madhërohet ai vend e të theret kurbani aty,

-është sprovë për vetë personin që therë pavarësisht nijetit të pastër, të tjerët mund ta gjykojnë se ka mos është i devijuar dhe se po ther kurban për dikë tjetër përveç Allahut,

-ndërsa në të kundërt, urdhër kundërshtimi i jobesimtarëve në fenë e bindjet e tyre, dhe se ka shpërblim ai që me veprat e teuhidit shkakton urrejtje tek ta,

-është urdhër pasimi i të vërtetës, njohja dhe ndihma ndaj saj, e kurrsesi shtimi i numrit të të keqes dhe bërja argat i të keqes.

Kjo temë sqaron therjen e kurbanit në një vend ku është therë më herët për dikë tjetër përveç Allahut, e më keq (më gjynah) sesa kjo është kur vazhdohet ende të theret kurban në atë vend dhe tjetri shkon po aty për të therë kurban për Allahun.

 

وقول الله تعالى:  لا تَقُمْ فِيهِ أَبَداً لَمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَى مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَنْ تَقُومَ فِيهِ فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَنْ يَتَطَهَّرُوا وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُطَّهِّرِينَ

Allahu ka thënë: “Ti në atë xhami kurrë mos fal namaz. Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të.” Teube 108.

Ajeti flet për rastin e munafikëve të cilët kanë ndërtuar një xhami në Medine, gjoja me qëllim të mirë, porse qëllimi real ka qenë tubimi kundër Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Autori ka argumentuar me këtë ajet në formë analogjie: namazi është vepër e mirë, po ashtu therja e kurbanit, mirëpo ky namaz që falet për Allahun edhe nëse kryhet në një vend që quhet xhami, e cila është xhami e sherrit, e kufrit dhe përçarjes, ndalohet të falet aty, andaj dhe therja e kurbanit për Allahun ndalohet të bëhet në një vend ku është ther për dikë tjetër përveçse për Atë.

 

عن ثابت بن الضحاك رضي الله عنه قال: ” نذر رجل أن ينحر إبلا ببوانة، فسأل النبي صلى الله عليه وسلم فقال: هل كان فيها وثن من أوثان الجاهلية يُعبد؟ قالوا: لا. قال: فهل كان فيها عيد من أعيادهم؟ قالوا: لا. فقال رسول الله صلى الله عليه وسلمأوف بنذرك، فإنه لا وفاء لنذر في معصية الله، ولا فيما لا يملك ابن آدم  رواه أبو داود. وإسناده على شرطهما.

(Hadith) “Një njeri është zotuar se do të presë disa dele në një vend të quajtur “Bubuweneh” (afër Medinës), dhe ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e i ka treguar dhe ai salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur: “A ka pasur në atë vend puta që janë adhuruar?” –“Jo.” –“A ka pasur aty festë të injorancës (idhujtarisë)?” –“Jo.” Atëherë i ka thënë: “Përmbushe zotimin tënd, ndërsa zotimi që është mëkat ndaj Allahut nuk përmbushet si dhe zotimi në atë që nuk është në dorën tënde[1] nuk përmbushet.”

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i thotë të përmbushë zotimin, e nëse do të ishte vend ku është ther për dikë tjetër përveç Allahut, ajo do të ishte mëkat dhe nuk do të ishte lejuar.

Në përfundim: Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem jo vetëm në këtë çështje, por në çdo çështje tjetër, ka parandaluar gjëra të cilat e sulmojnë teuhidin, edhe nëse ato gjëra në esencë nuk kanë qenë shirk, por nëse kanë qenë rrugë që shpien deri te shirku i ka ndaluar rreptësishtë; kjo si masë parandaluese për të mos u atakuar teuhidi apo për të mos rënë në mëkat të madh.

[1] Si: “Nëse do të kem këtë sukses, do të fal shtëpinë e komshiut!”, por ajo nuk është nën pronësinë tënde.

 

Hoxhë Gazmend Mehmeti – Kitabu teuhid – Transkriptim.

Madhësia e tekstit