Pajtimi është më i mirë

Pajtimi është më i mirë

Allahu thotë: “Pajtimi është më i mirë.” Nisa 128. Ky parim na tregon se mbi çfarë gjëra duhet të ndërtohet shoqëria islame. Në të duhet të ketë përmirësim, marrëveshje, tolerime e lëshim pe ndaj disa të drejtave personale, në mënyrë që pastaj lidhjet mes njeri-tjetrit të jenë të qëndrueshme. Këtë parim Allahu e ka përmendur në ajetin që flet për gjërat që ndodhin mes bashkëshortëve, “Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre. Pajtimi është më i mirë. Njerëzit janë të prirur nga koprracia.” Në të gjitha ajetet ku përmendet pajtimi shpjegohet më konkretisht ky parim. Ky ajet është në përputhje me ajetin që gjendet në suren Nisa: “Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë paqësim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i di të gjitha qëllimet.” Ajeti 35.

Kuptimi i ajetit: Kur gruaja ka frikë nga shpërfillja dhe sjellja e keqe e burrit të saj dhe se në të ardhmen do të ndahet prej saj, atëherë para se të vijë tek kjo pikë (ndarja), më mirë është që të pajtohen, kjo duke toleruar dhe duke lëshuar pe ndaj disa të drejtave të saj (të cilat burri i ka obligim t’ia përmbushë), në mënyrë që ai të mos ndahet prej saj. Dhe “Pajtimi është më i mirë”, është më i mirë në këtë rast sesa ndarja. Më mirë është që njëri (në këtë rast gruaja) të lëshojë pe ndaj disa të drejtave të saj në mënyrë që mos të vijë deri te shkurorëzimi.

Pajtimi nuk ka të bëjë vetëm me raportet ndërmjet burrit dhe gruas, por është parim gjithëpërfshirës, përfshin çdo palë që kanë mospajtime e mosmarrëveshje. Nëse dëshiron që të qetësohen shpirtrat e njerëzve të cilët kanë mospajtime mes vete dhe të largohen gjërat (e këqija) mes tyre, atëherë më së miri është pajtimi mes tyre. Kur bëhet pajtimi, njëra palë duhet të lëshojë pe. Muslimani duhet të jetë i atillë që fal, që toleron e që lëshon pe në mënyrë që të mbetet lidhja. Kjo është mënyra e vetme për të arritur deri te marrëveshja. Ndërsa, nuk lejohet marrëveshja nëse ajo e bën të lejuar një gjë që është e ndaluar dhe anasjelltas. Përndryshe, çdo gjë për të cilën merren vesh të dy palët kjo lejohet.

Te marrëveshja për pajtim duhet të plotësohen kushtet e të largohen pengesat. Në ajet përmendet shkaku: “Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë”, pastaj përmendet nxitja për pajtim “Pajtimi është më i mirë”, dhe pastaj përmendet edhe pengesa: “Njerëzit janë të prirur nga koprracia.” Kjo nganjëherë nuk lë që palët të pajtohen mes vete, shembull: njëri nuk ka dëshirë të japë atë që i kërkohet, e kërkon të drejtën e vetë të plotë. Këto janë pengesa. Nuk mund të arrihet pajtimi nëse personi dëshiron për vete e njëkohësisht nuk jep nga ana e tij (edhe më keq është kur të dy palët janë të njëjtë në këtë pikë). Allahu me këtë ajet na mëson se edhe pse njeriu është krijuar i tillë, ti si musliman nuk duhet të jesh ashtu, por duhet ta çrrënjosësh atë moral të ulët nga vetja duke e zëvendësuar me falje, tolerim e lëshim pe. Në të kundërt, është vështirë të arrihet marrëveshja e pajtimit.

Raste të aplikimit të këtij parimi

Mes bashkëshortëve (siç e sqaruam).

Mes muslimanëve. Allahu thotë: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata” Huxhurat 9.  Dhe: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre” Ajeti 10. “rregulloni marrëdhëniet midis jush” Enfal 1.

Allahu i lavdëron ata që marrin iniciativën t’i pajtojnë njerëzit, “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” Nisa 114.

Nëse nuk ke mundësi të jesh pajtues mes njerëzve, atëherë së paku mos u bëj pengesë në rrugën e atyre që mundohen të pajtojnë të tjerët. Lumë për atë njeri të cilin Allahu e ka bërë çelës të së mirës, duke pajtuar mes njerëzve, e që ndoshta për këtë shpenzon kohë, mund e pasuri! Pa dyshim e pret shpërblim i madh tek Allahu.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit