Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra
Allahu thotë: “Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” Ta he 61. Ky parim përmendet në konspektin e ngjarjes së Musait alejhi ue selam me Faraonin dhe magjistarët e tij. Ata kanë biseduar se cila të jetë dita kur do të dalin para njerëzve për t’u sfiduar se kush është në të vërtetën dhe Musa u ka thënë këto fjalë.
El iftira përfshin: gënjeshtrën, shirkun, padrejtësinë, të gjitha kanë të ardhur në Kuran dhe kanë të bëjnë me prishje (fesad), tregojnë për prishjen e vepruesit dhe të tjerëve. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) përmend këtë parim e thotë: “Në këtë ajet Allahu ka garantuar se personi që trillon gënjeshtra do të jetë i zhgënjyer, nuk do të ketë sukses e udhëzim, përkundrazi Ai do ta zhdukë me dënimin e tij.”
Trillimi më i rëndë që mund të jetë është ai që bëhet ndaj Allahut, kur gënjen dhe shpif ndaj Tij. Kjo ndodh kur njeriu flet pa dije, “Kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra kundër Allahut” Saf 7. Një prej gjynaheve më të mëdha, madje në ajet ka ardhur bashkë me shirkun, është kur flet pa dije për Allahun, “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini” Araf 33. D.m.th.: kur bën të lejuarën të ndaluar dhe anasjelltas, kur mohon emrat dhe cilësitë e Allahut, i keqinterpreton, kur jep përgjigje në fe pa dije (nuk thotë “Nuk e di”, por nxiton të japë përgjigje), qoftë në çështjet e besimit, apo dispozitave, në komentimin e Kuranit e të hadithit etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Më të guximshmit prej jush drejt zjarrit të xhehenemit, janë ata më të guximshmit në dhënien e përgjigjeve (fetuave).”
Brezat e parë të Islamit na kanë dhënë shembuj madhështorë se si duhet të jetë qëndrimi i muslimanit karshi të folurit për fenë e Allahut pa dije. Ata kanë thënë: “Ki kujdes “Mos thuaj: “Allahu e ka ndaluar këtë, Allahu e ka lejuar këtë!”, e pastaj Allahu të të thotë në Ditën e Gjykimit: “Ke gënjyer. Unë nuk e kam bërë të ndaluar këtë e as nuk e kam lejuar këtë.” Personi që nuk ka dije të bollshme fetare duhet ta përmbajë gjuhën e tij.
Edhe dikur, edhe sot (në rrjetet sociale), njerëzit trillojnë ndaj fesë, shembull: trillojnë hadithe të shtyrë prej motiveve të ndryshme, si: dikush ka shpifur hadith për t’i nxitur njerëzit të lexojnë Kuran, dikush për t’i nxitur të veprojnë vepra të mira, dikush për t’i larguar nga të ndaluarat etj. Nga gjërat që nxisin të tjerët për trillime e shpifje ndaj njerëzve është zilia dhe lakmia (për të përfituar ndonjë gjë etj.). E më e rrezikshmja është kur kësaj ia veshin petkun e fesë që të arsyetojnë veprimin e tyre.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.



