Mos e harroni bujarinë mes jush
Allahu thotë: “Dhe mos e harroni bujarinë mes jush! Vërtet, Allahu e sheh mirë se çfarë bëni.” Bekare 237. Ky parim ka ardhur në kontekstin e ajeteve që flasin për shkurorëzimin. Allahu në këtë ajet urdhëron bashkëshortët (që kanë lidhjen më të private e të ngushtë) të mos harrojnë të mirat njëri-tjetrit, pasi shkurorëzohen, apo pasi vdes njëri. Pra, edhe nëse lëndoheni shumë shpirtërisht prej ndarjes, nuk duhet të lejoni të harroni të mirat e njëri-tjetrit.
Dikush mund të thotë: “Harresa është diçka e natyrshme”. Por, qëllimi i ajetit nuk është ky. Qëllimi është që të mos tregohesh i shkujdesur ndaj mirësive që ke pasur me tjetrin dhe të mos ia harrosh të mirat e tij. Arsyeja që të mos tregohemi të shkujdesur është: “Allahu e sheh mirë se çfarë bëni”, e përderisa është kështu atëherë Ai të shpërblen, dhe kështu e arrin kënaqësinë e Allahut.
Lidhjet bashkëshortore kanë situata të mira, por nëse ndodh që të ketë shkurorëzim, kjo nuk do të thotë që të harrohen të mirat e bamirësitë e tjetrit. Allahu urdhëron që të sjellësh ndërmend jetën e mirë që ke pasur me tjetrin (burri me gruan dhe gruaja me burrin), situatat e mira etj.
Ky parim është madhështor. Jo vetëm që duhet të aplikohet mes bashkëshortëve, por edhe me të tjerët me të cilët ke lidhje, si: me familjarët, farefisin, miqtë, fqinjët, xhematin, punëtorët, mësuesin, nxënësin etj.
Raste të ndodhura mes bashkëshortëve
─ Përmendet se njëri ka shkurorëzuar gruan e tij, dhe ky ajet “mos e harroni bujarinë mes jush” ka bërë që të sillet mirë me të edhe pas shkurorëzimit, ia ka mundësuar vendbanimin, pagesën e të gjitha faturave etj.
─ Tregohet prej një gjykatësi të Arabisë Saudite se ka qenë një rast mes bashkëshortëve që ka zgjatur shumë dhe se përfundimi i lëndës i kishte mbetur atij. Të dy bashkëshortët kanë ardhur dhe kanë bërë ankesat e tyre. Pasi ka qenë i pamundshëm pajtimi mes tyre, atëherë gjykatësi ua ka bërë propozim të kenë një shkurorëzim për t’u testuar se si po ecë situata, dhe pasi kanë pranuar këtë atëherë gjykatësi ua ka kujtuar fjalën e Allahut: “mos e harroni bujarinë mes jush” dhe dashurinë që kanë pasur, mëshirën, fëmijët etj. Këto fjalë kanë ndikuar shumë në zemrat e tyre, saqë kanë lëshuar pe nga të drejtat e tyre.
─ Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (morali i të cilit ka qenë Kurani) nuk ia ka harruar të mirën askujt. Kur është kthyer prej Taifit, për të hyrë në Meke (shkaku që të mos rrezikohet apo lëndohet) është dashur të merret nën mbrojtjen e dikujt. Andaj, ka kërkuar të mbrohet e strehohet tek Ibn Adij, i cili pastaj ka vdekur si pagan, e megjithatë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kurrë nuk ia ka harruar këtë të mirë. Në Betejen e Bedrit në të cilën muslimanët kanë korrur fitore dhe kanë zënë robër mbi 70 persona, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se nëse do të ishte gjallë Ibn Adij e të më kërkonte t’i liroja, do t’i liroja, në mënyrë që t’ia kthente të mirën që ia kishte bërë (përmes kësaj gjëje).
Disa dobi që nxirren nga ky parim
-Lidhja bashkëshortore është sikurse pema. Ajo ka nevojë të ujitet që të mos vyshket. Kjo bëhet kur bashkëshortët i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit.
-Në këtë ajet (në të cilin gjendet kjo pjesë e ajetit që sollëm) Allahu ka përmendur tri herë faljen, “Në qoftë se i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar shumën e dhuratës martesore, atëherë atyre u përket gjysma e dhuratës, veç nëse ua falin ato ose ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës. Por që të falni është më pranë devotshmërisë. Mos harroni bujarinë mes jush! Vërtet, Allahu e sheh mirë se çfarë bëni.” Kjo na nxit që të jemi tolerantë dhe falës dhe të lëshojmë pe ndaj disa të drejtave tona.
-Jeta bashkëshortore është nyja dhe lidhja më e fortë që mund të jetë mes dy personave. Andaj, bashkëshortët duhet të kujdesen shumë për të.
-Nëse dëshiron lumturi në jetën bashkëshortore dhe që ajo të jetë siç duhet, atëherë kërkohet butësi, durim dhe të bëhesh kinse nuk po sheh e nuk po dëgjon disa gjëra (gabime të përditshmërisë).
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.