Parim kuranor: Mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju…

Mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë,

ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju

Allahu thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” Bekare 216. Ky parim ka ndikim të madh në jetë atëherë kur personi e kupton siç duhet dhe kur udhëzohet përmes tij, sepse ky parim ndërlidhet me një prej bazave të besimit, që është besimi në caktimin e Allahut (në kada dhe kader). Allahu e ka sjell këtë parim pasi ka përmendur obligueshmërinë e luftës në rrugën e Allahut. E dihet se njeriu mund ta urrejë luftën ngase në të ka lodhje, rraskapitje, harxhim të pasurisë, e madje ndodh të vdesë. Allahu thotë: “Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju.”

Këtu e mira është e përgjithshme, e pa detajuar (e madhe apo e vogël). Mirëpo, në suren Nisa në kontekstin e këshillës për bashkëshortin i cili nuk e do aq gruan e tij dhe dëshiron ta shkurorëzojë, vjen ajeti: “Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” Nisa 19. Në këtë ajet (“Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira”) sqarohet e mira (hajri) që përmendet në ajetin paraprak. Kjo na jep të kuptojmë se kjo e mirë (ky hajër) është e madhe dhe në të ka bereqet. Kështu, ndodh që Allahu atij burri t’i japë fëmijë të mirë prej saj, apo në të ardhmen fillon ta dojë gruan e tij etj.

Njeriu në këtë jetë mund të përballet me caktime shumë të dhimbshme (fizike apo shpirtërore), me gjëra që nuk i pëlqen apo i urren, mirëpo ndodh të mos durojë, të kaplohet nga pikëllimi e brenga, të mendojë se ka marrë fund (mendon se ka qenë goditje fatale për të) dhe se i janë mbytur shpresat e i është shkatërruar jeta, e pastaj pas një kohe (jo shumë të gjatë) i qartësohet se pikërisht në atë gjë ka pasur mirësi të madhe për të, gjë që nuk e ka pritur e nuk e ka menduar. Gjithashtu, ndodh që njeriu të përpiqet e të rraskapitet dhe ndoshta shkatërron pasurinë e shëndetin e tij, për të arritur deri te një gjë të cilën e mendon se është e mirë, por befasohet kur i del e kundërta.

Ky parim përfshin shumë gjendje, si: aspektin fetar, aspektin e kësaj jete, aspektin fizik, aspektin shpirtëror, gjëra këto prej të cilave njeriu nuk ka mundësi të shkëputet, porse do të përballet me to.

Kur ne e aplikojmë këtë parim në jetën tonë, kjo e mbush zemrën me qetësi dhe rehati, si dhe është prej shkaqeve që largojnë brengën, ankthin, shqetësimin e pikëllimin, gjëra këto të cilat sot kanë rrëmbyer shumë njerëz, ngaqë u ka ndodhur ndonjë gjë e pakëndshme apo e dhimbshme në jetë.

Shembuj të aplikimit të këtij parimi

─ Ngjarja e Musait alejhi selam. Kur ka lindur, Allahu e ka frymëzuar nënën e tij që ta hedhë në ujë. A i ka pëlqyer kjo asaj? Pa dyshim se jo. I është dashur ta hedhë në ujë, një foshnje të pambrojtur, pastaj atë foshnje do ta marrë një armik i Allahut dhe armik i tij (Musait) për ta rritur në shtëpinë e vet. Çfarë mendime i kanë ardhur në ato raste asaj? “Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën…” Kasas 10. Mirëpo, me kalimin e kohës ajo ka parë se përfundimi dhe rezultati ka qenë i lavdishëm.

─ Ngjarja e Jusufit alejhi selam. Ky parim është në përputhje të plotë me jetën e Jusufit dhe babait të tij Jakubit alejhimusselam. Ata janë përballur me sprova të mëdha dhe në fund gjithçka është kthyer në mirësi dhe në favor të tyre. Disa nga selefi kanë këshilluar për personin që është në pikëllim e brenga që të lexojë suren Jusuf.

─ Kur nuk ke fëmijë. Sa e sa njerëz nuk kanë fëmijë (nuk ka qenë e caktuar) dhe mërziten shumë e u ngushtohet zemra (kjo është e natyrshme dhe nuk qortohen), mirëpo muslimanit nuk duhet t’i vazhdojë pikëllimi e t’ia rrëmbejë lumturinë e jetës (duke mos bërë jetë normale). Ndodh që Allahu disa t’i privojë prej fëmijëve si mëshirë ndaj tyre. Sikur të kishin fëmijë, ndoshta kjo do të bëhej shkak për devijimin e tyre, apo për probleme e të ngjashme.

─ Ngjarja e Ummu Selemes radijAllahu anha. Para se t’i vdiste burri (Ebu Seleme radijAllahu anhu), ajo e ka dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem duke thënë: “Kur muslimanin e godet ndonjë sprovë dhe thotë: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! O Allah më shpërble në sprovën time dhe ma zëvendëso me diçka më të mirë!”, veçse Allahu do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë.” Kur i ka vdekur burri ka thënë: “Ku ka burrë më të mirë sesa ai (që t’i zëvendësohet)?!” Ajo ka treguar: “E kam thënë këtë lutje dhe Allahu ma ka zëvendësuar me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem.” Pas vdekjes së Ebu Selemes është martuar me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem (i cili është më i miri prej njerëzve).

Muslimani nuk duhet ta kufizojë lumturinë e tij vetëm në një aspekt, në një pikë, në një rrethanë, në një person, e që nëse i ikë apo e humbet, të mendojë pastaj se jeta e lumturia e tij ka marrë fund. Allahu nuk ka bërë që lumturia e muslimanit të jetë e ndërlidhur plotësisht me dikë përveçse me Allahun. Çdo gjë tjetër e kësaj jete mund të zëvendësohet (tërësisht ose pjesërisht).

Njeriu duhet të përpiqet për arritjen e të mirës, porse nuk është përgjegjës nëse nuk e ka arritur rezultatin. Ai duhet të mbështetet tek Allahu dhe të marrë shkaqet, e pastaj nëse ndodh e kundërta e asaj që ka dëshiruar, atëherë le të sjellë ndërmend këtë parim “mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju”.

Disa dobi që nxirren nga ky parim

-Zgjedhja e Allahut për ty është më e mirë sesa zgjedhja jote, sepse Ai është më i Mëshirshëm për ty sesa ti për veten tënde.

-Allahu është el Aliim (i Gjithëdijshmi) dhe el Hakiim (i Gjithëurti). Kur mediton për këta dy emra, zemra jote do të jetë e qetë përballë caktimeve të Allahut.

-Duhet dorëzim ndaj gjykimeve të Allahut dhe durim, sepse kjo është arma më e fortë.

-Sado që të jetë e tmerrshme dhe e frikshme ajo që të godet, nuk duhet të harrosh lutjet (nga suneti) me të cilat largon brengat dhe pikëllimet.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit