Parim kuranor: Njeriu dëshmon kundër vetvetes

 

Njeriu dëshmon kundër vetvetes

Allahu thotë: “…vërtet që njeriu dëshmon kundër vetvetes, edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta”. Kijame 14-15. Me fjalë të tjera: ai më së miri e njeh vetveten e tij. Ky parim na mëson se si duhet ta trajtojmë veten tonë, se si duhet të jetë sjellja jonë ndaj vetes sonë, e po ashtu është mjet dhe rrugë që na mundëson trajtimin e sëmundjeve të rrënjosura brenda, në shpirt e zemër. Andaj, rrjedhimisht, na mundëson të pastrojmë vetët tona.

Et-tezkije – pastrimi, dëlirja, është parim madhështor në fenë Islame. Allahu në suren Shems është betuar me njëmbëdhjetë betime për të, “Për Diellin dhe shkëlqimin e tij dhe për Hënën që e përcjell atë! Për ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit) dhe për natën kur e mbulon atë! Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar! Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar! Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë…” Shems 1-9.

“vërtet që njeriu dëshmon kundër vetvetes, edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta”- njeriu pa marrë parasysh se sa përpiqet të debatojë, të polemizojë dhe të diskutojë për veprat e fjalët e tij, të cilat thellë në veten e tij e di se janë të kota, apo të gabuara, dhe i paraqet shfajësimet e arsyet e tij, prapëseprapë ai e njeh më së miri veten e tij, ai e di se çfarë ka thënë e çfarë ka bërë, edhe nëse mundohet të fshehë vetveten para të tjerëve, edhe nëse mundohet të shfajësohet para tyre. Njeriu është argument ndaj vetvetes, fjalët e veprat e tij dëshmojnë për të.

Defektet në zbatimin e këtij parimi

Trajtimi jo i duhur i teksteve fetare. Shembull: ka të atillë që në zemër nuk ndihen mirë ndaj një teksti fetar, të qartë, në të cilin nuk ka mospajtime mes dijetarëve, ndjejnë një shtrëngim ndaj këtij teksti (ajet, hadith) dhe mundohen të gjejnë diçka që t’i ikin gjykimit të tij, ngase nuk është në përputhje me tekat e dëshirat e tyre. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sa e sa shtrëngime e gjendje të rënda në zemër kanë disa njerëz karshi disa teksteve fetare, saqë dëshirojnë të mos kishin ardhur fare (në Kuran e sunet).” Njeriu e njeh vetveten më së miri, mirëpo ai duhet të dorëzohet e të nënshtrohet ndaj teksteve fetare.

Marrja me të metat e të tjerëve, e jo me të metat personale. Disa njerëz e njohin veten dhe i njohin mirë të metat e tyre, por prapëseprapë kjo nuk u sjell dobi dhe nuk e aplikojnë këtë parim siç duhet, mirëpo angazhohen me të metat e të tjerëve. Ata tregohen të shkujdesur ndaj gabimeve të veta. Katade (Allahu e mëshiroftë!) ka sjell një komentim tjetër të ajetit që sollëm më lartë, ai ka thënë: “Sheh shumë të metat e njerëzve, ndërsa harron të metat e veta.” Kjo është shenjë e dështimit të personit dhe gjendjes së tij të keqe. Njëri nga selefi ka thënë: “Sinqeriteti (vërtetësia) më i mirë është kur pranon (në veten tënde) të metat që ke.” 

Shfaqje të tjetërsuar. Disa njerëz e dinë se janë gabim, në fjalë e vepër, megjithatë polemizojnë e debatojnë duke u munduar të shfaqen se e kanë mirë, ata mundohen të tregojnë se e kanë mirë kur thellë në vetët e tyre e dinë se e kanë gabim, qoftë në fjalët apo veprat e tyre.

Disa dobi që nxirren nga ky parim

– Njeriu duhet të hulumtojë thellë në zemër duke parë se ku i ka të metat e gabimet, e pastaj aq sa të mundet të shpëtojë veten prej tyre (e jo t’iu dorëzohet atyre). Kjo është lloj lufte me vetveten. Ai më së miri e njeh veten e tij, më së miri e kuron, e edukon dhe e trajnon atë. Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kam pasur të meta të shumta në veten time, mirëpo duke e ushtruar vetveten (në largimin e tyre) dhe duke lexuar këshilla, hadithe e urtësi (të Pejgamberëve dhe të njerëzve të urtë) kam arritur t’i largoj disa (tërësisht) e disa kanë mbetur (pak a shumë).”

Përderisa njeriu e njeh veten e tij, më mirë se çdokush tjetër, kjo na bën të kuptojmë se nëse vjen dikush dhe e lavdëron, ndoshta më shumë sesa që e meriton, atëherë nuk do të mashtrohet. Nga ana tjetër, vjen dikush dhe ia ulë autoritetin apo e ofendon, atëherë nuk duhet t’i kushtojë vëmendje kësaj sepse ai e njeh veten e tij se nuk është i tillë. Nëse i vjen dikush dhe e qorton, atëherë nuk duhet ta marrë për tragjike, por duhet të mundohet ta shfrytëzojë për të mirë duke u përpjekur të pastrojë ato akuza apo defekte për të cilat qortohet, kjo në mënyrë që të arrijë përsosmërinë njerëzore.

– Kur e njeh veten tënde më së miri, atëherë kjo ta mundëson që të pranosh gabimet dhe gjynahet që ke. Këtë pozitë nuk mund ta arrijë çdokush. “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit” Araf 23. “Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit”. Hud 47.

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit