Pasimi i dëshirave/tekave dhe ilaçi
Pasimi i dëshirave dhe tekave është prej sëmundjeve të rrezikshme, e cila çon deri në vdekjen e zemrës. Arsyeja është se shejtani hyn te njeriu përmes portës së dëshirave dhe tekave të tij. Ai ia zbukuron ato dhe e shtynë sa më shumë t’i veprojë e pasojë. Pastaj njeriu kalon në një gjendje në të cilën nuk njeh asgjë tjetër përveçse dëshirat dhe epshet e tij, edhe nëse përmes tyre arrin zemërimin e Allahut (nuk i kushton vëmendje kësaj), pastaj bëhet skllav i dëshirave të tij, andaj do, urren, jep e nuk jep për hir të tyre. Ato i favorizon dhe u jep përparësi. Nuk ka gjë që i do më shumë sesa ato.
Dëshirat e tekat janë armiku më i madh kundër njeriut, në anën tjetër edhe shejtani i cili është armik i hapur për të, gjithashtu (armik është) dhe shpirti i tij i cili e nxit të bëjë keq.
Një njeriu të tillë i vjen poshtërimi e dënimi në këtë botë dhe tjetrën. Allahu kur i përshkruan njerëzit e sëmurë me pasimin e dëshirave dhe tekave të tyre thotë: “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” Furkan 43. Islami ka ardhur të na urdhërojë ta pasojmë atë dhe na ka ndaluar të pasojmë epshet e dëshirat tona (dhe ithtarët e tyre), “Dhe tani, Ne të kemi vendosur ty në rrugën e drejtë të fesë, andaj ndiqe atë dhe mos shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë!” Xhathije 18. Allahu i ka kërcënuar ashpër ata të cilët ndjekin dëshirat e tekat e tyre, “E, nëse ti, pasi të është zbritur dituria, do të ndiqje dëshirat e tyre, atëherë pa dyshim që do të ishe një nga keqbërësit.” Bekare 145. Dhe: “…nëse ti ndjek dëshirat e tyre, pas dijes që të ka ardhur, ti nuk do të kesh as ndihmës, as mbrojtës prej Zotit.” Rad 37.
Atij që shkon pas dëshirave dhe tekave të tij, do t’i vdesë zemra, do të humbasë e do të devijojë. Allahu na ka bërë të qartë këtë, “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” Kasas 50.
۞Pasojat dhe dëmet e pasimit të dëshirave/tekave
Allahu i ka paralajmëruar robërit e Tij prej kësaj sëmundjeje dhe ka treguar se ajo sjell pasoja e dëme të shumta në këtë botë dhe tjetrën. Prej tyre:
─ Mos pasimi i të Dërguarve dhe i të Dërguarit të fundit Muhamedit salAllahu alejhi ue selem, (siç ka ndodhur te beni israilët), “Sa herë që ndonjë i dërguar ju sillte atë që nuk ju pëlqente, ju kapardiseshit, prandaj disa i quajtët gënjeshtarë e disa i vratë” Bekare 87.
─ Devijimi nga besimi i saktë. Te shumica e pasuesve të dëshirave dhe tekave, prej grupacioneve, epshi dhe dëshirat (e tyre apo të të tjerëve) kanë qenë shkaku i devijimit të tyre nga besimi i saktë. “Thuaj: “O ithtarët e Librit! Mos i shkelni kufijtë e së vërtetës në besimin tuaj dhe mos ndiqni dëshirat e një populli, që gaboi më parë, nxori prej udhës së drejtë shumë njerëz dhe vetë u shmang nga udha e drejtë”. Maide 77. Andaj, ai që dëshiron të shpëtojë prej devijimit dhe humbjes, duhet që akiden e tij ta bazojë mbi parimet e Kuranit dhe sunetit sipas kuptimit të selefit.
─ Devijimi nga rruga e shpëtimit, që është rruga e besimtarëve (janë për qëllim sahabët). Allahu thotë: “Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit…” Nisa 115.
─ Mos të gjykuarit drejtë dhe mosdëshmimi i saktë (ai do të gabojë në këto). Allahu thotë: “Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur.” Maide 48.
─ Shtrembërimi i dëshmisë së vet. Allahu thotë: “Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju.” Nisa 135.
─ Përçarja dhe ndarja mes njerëzve. Kjo sepse secili do dhe urren për shkak të dëshirave dhe tekave të veta. Gjithmonë përçarja e ndarja në këtë umet ka ndodhur për shkak se njerëzit kanë shkuar sipas dëshirave dhe tekave të tyre. Ithtarët e tekave kanë ndjekur argumentet muteshebih (të paqarta). Kur njerëzit i ndjekin argumentet e paqarta, kjo do të çojë në ndjekjen e dëshirave dhe tekave të tyre dhe do të ketë urrejtje e përçarje mes tyre, pastaj devijojnë dhe i devijojnë të tjerët. Allahu thotë: “Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet.” Ali Imran 7. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njerëzit do të ndjekin dëshirat e tekat e tyre dhe ato do të përhapen te pasuesit e tyre ashtu siç përhapet (shumë shpejt) sëmundja e tërbimit te i sprovuari me të e cila nuk lë nyje veçse depërton në të.”
─ Përhapja e fesadit në tokë, e pastaj kjo i dërgon njerëzit në shkatërrimin e plotë. Allahu thotë: “Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to. Ne u kemi dërguar atyre Këshillën (Kuranin), por ata shmangen nga ajo.” Muminun 71. Çdo shkatërrim e fatkeqësi që zbret në umetin islam apo në botë në përgjithësi, është për arsye se njerëzit e kundërshtojnë të vërtetën, Këshillën, Kuranin, dhe ndjekin dëshirat e tekat e tyre. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë tri gjëra të cilat nëse përhapen në mesin tuaj ju shkatërrojnë”, prej tyre: “…pasimi i dëshirave dhe tekave…”
۞Ilaçi për sëmundjen e pasimit të dëshirave/tekave
Ilaçi për këtë sëmundje është pasimi i sheriatit, fesë së Allahut. Allahu thotë: “Dhe tani, Ne të kemi vendosur ty në rrugën e drejtë të fesë, andaj ndiqe atë dhe mos shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë!” Xhathije 18. Pasimi i sheriatit, do të thotë pasimi i Kuranit dhe sunetit.
Në Kuran e sunet gjejmë (gjërat që kanë të bëjnë me ilaçin):
–Allahu na ka urdhëruar të kundërshtojmë dëshirat dhe epshet që bien në kundërshtim me fenë e Tij, “Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” Shems 7-10. Dhe: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” Naziat 40-41.
-Allahu na ka urdhëruar të kërkojmë mbrojtje prej të keqes/pasojave të dëshirave e tekave tona. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka kërkuar mbrojtje duke u lutur: “O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti prej moraleve e sjelljeve të këqija (e të shëmtuara), prej veprave të këqija dhe dëshirave e tekave të këqija!”
-Allahu na urdhëron të kërkojmë mbrojtje prej shejtanit. Kur njeriu kërkon mbrojtje tek Allahu prej shejtanit dhe e Ai e mbron, atëherë ia mbyll atij (shejtanit) derën e dëshirave dhe tekave (nuk e lë të depërtojë tek njeriu përmes kësaj dere). Allahu thotë: “Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu…” Araf 200. Dhe: “Dhe thuaj: “O Zoti im, kërkoj të më mbrosh nga nxitjet e djajve, dhe kërkoj mbrojtje tek Ti, o Zoti im, që të mos i kem pranë meje.” Muminun 97-98.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.