Pendimi (teube) është një prej adhurimeve më madhështore të zemrës. Këtë adhurim do ta trajtojmë përmes ngjarjes së Kab ibn Malikut, e cila ka ndodhur në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Kabi nuk kishte marrë pjesë në betejën e Tebukut, duke mbetur në Medine, edhe pse shpirti e ka nxitur për t’iu bashkëngjitur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe shokëve të tij. Pastaj është pikëlluar dhe penduar shumë për këtë mëkat që kishte bërë. Andaj vendos të shkojë te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe të shfaqë pendimin e tij, e jo të bënte sikur hipokritët të cilët gjenin justifikime të ndryshme por që realisht ishin gënjeshtarë në ato justifikime (sepse arsyeja pse nuk kishin marrë pjesë ishte hipokrizia në zemrat e tyre).
Të lexojmë dialogun mes Kabit dhe Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, transmetuar te Buhariu dhe Muslimi. Kabi tregon:
“Kur erdhi Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem prej beteje, unë shkova tek ai dhe i dhashë selam. Ai buzëqeshi por me buzëqeshje të atij që është i zemëruar/hidhëruar me tjetrin. Më tha: “Eja!” Dhe vazhdova të eci derisa u ula para tij. Më pyeti: “Cila është arsyeja që mbete mbrapa dhe nuk na u bashkove në betejë? A nuk është e vërtetë se ti kishe një kafshë me të cilën do të mundje të vije të na bashkëngjiteshe në betejë?” I thash: “Gjithsesi. Unë kam pasur me çka të vija, por pasha Allahun u ula tek ti dhe nëse do të isha ulur te ndonjë tjetër njeri prej banorëve të tokës, do të gjeja justifikime për ta nxjerr veten sepse unë kam forcë të debatoj, mirëpo Allahu e di dhe unë e di se nëse sot të gënjej dhe të justifikohem rrejshëm dhe ndahesh pastaj i kënaqur prej meje, atëherë kam frikë se shumë shpejt Allahu do të jetë i zemëruar me mua dhe do të më ndëshkojë për gënjeshtrën. Unë e di që nëse të flas me të vërtetën, atëherë shpresoj me këtë të fitoj faljen e Allahut. Dhe pasha Allahun, nuk kam pasur ndonjë arsye (fetare) që më ka ndalur të të mos bashkëngjitëm në betejë. Nuk kam qenë ndonjëherë më i fortë dhe më i fuqishëm për të udhëtuar sesa kësaj here, por kam mbetur mbrapa nga neglizhenca etj.” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tha: “Ky e tha të vërtetën. Ngrihu dhe shko derisa të gjykojë Allahu për ty.” Dhe u largova.”
Prej këtij momenti, veçse ka filluar sprova për Kab ibn Malikun radijAllahu anhu. Ai ka pasur situata e pengesa aq të mëdha sa gati nuk e kanë dobësuar vendosmërinë e tij në këtë pendim të sinqertë që ka bërë. Mirëpo, pendimi i sinqertë dhe i vërtetë dhe qëndrueshmëria në këtë rrugë, pas suksesit dhe inspirimit që ia ka dhënë Allahu, kanë bërë që ai t’i tejkalojë pengesat si një trim dhe hero sa herë që është ballafaquar me to.
Të përmendim disa prej këtyre situatave dhe pengesave:
» Përderisa Kabi ka qenë në pritje të gjykimit të Allahut, i kanë ardhur disa kushërinj prej fisit Beni Seleme duke i thënë: “Pse nuk shkon te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem të arsyetohesh sikur hipokritët dhe pastaj ai të kërkojë falje për ty dhe Allahu të të falë?” Kanë vazhduar ta qortojnë dhe ta nxisin gati sa nuk e ka bërë, por Allahu e ka forcuar të qëndrojë përballë kësaj sprove.
» Bojkotimi prej muslimanëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka ndaluar muslimanët në Medine që t’iu flasin tre personave që nuk kanë marrë pjesë në betejë, njëri prej të cilëve ka qenë edhe Kabi. Kështu njerëzit janë larguar prej tyre dhe kanë ndryshuar qëndrimin për ta saqë toka iu është dukur ndryshe- e panjohur. Kjo ka zgjatur për 50 ditë radhazi.
» Bojkotimi prej shokut të dashur. Kabi ka kaluar fshehurazi murin e kopshtit të Ebu Katades i cili ishte djali i xhaxhait të tij dhe njeriu të cilin ai e ka dashur së shumti. Ai i ka dhënë selam, por ebu Katade nuk ia ka kthyer. I ka thënë: “O Ebu Katade, të betohem në Allahun! A e di ti se unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e tij?!” Mirëpo, ai ka heshtur. Kabi ia ka përsëritur dhe ai ka heshtur, dhe pasi i ka thënë për të tretën herë, Ebu Katade ia ka kthyer: “Allahu dhe i Dërguari i tij e dinë më mirë!” Kur e ka dëgjuar këtë i kanë rrjedh lot dhe është larguar.
» Ftesa e mbretit. Kur mbreti i Gasasinëve, një fis arab i krishterë, ka dëgjuar për ngjarjen e Kabit atëherë ia ka shkruar një letër mesazhi duke i thënë: “Më ka arritur lajmi se shoku yt (Muhamedi salAllahu alejhi ue selem) i ka ftohur raportet me ty. Por, Zoti nuk të lejon të qëndrosh në një vend ku je i poshtëruar dhe i nënçmuar. Andaj, bashkohu me neve, se ne të përkrahim!” Kur e ka lexuar letrën Kabi, ka thënë: “Edhe ky është një provim prej Allahut (se a jam i sinqertë)!” Andaj, e ka marrë letrën dhe e ka ndezur zjarrin me të.
» Largimi prej bashkëshortes. Kur kanë kaluar 40 ditë (prej 50 ditëve) atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka dërguar dikë te Kabi që t’i thotë: “Largohu prej bashkëshortes!” Edhe kjo një sprovë shumë e madhe. Pastaj Kabi i ka thënë asaj të shkojë te familja e saj të qëndrojë me ta derisa Allahu të gjykojë për çështjen e tij.
Dhe kur janë plotësuar 50 ditë, Allahu ka zbritur ajetin 118 të sures Teube me të cilin ka treguar se ia ka pranuar pendimin Kabit: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën mbrapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.”
Pasi ka zbritur ky ajet, Kabi ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem fytyra e të cilit ka shkëlqyer prej gëzimit dhe i ka thënë: “Përgëzohu për ditën më të mirë në jetën tënde, prej që të ka lindur nëna!”
Andaj, kjo ngjarje na mëson se pendimi është prej veprave më të mira e më të vlefshme të zemrës.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.