Për të sprovuarit me virusin Korona

  • Për të sprovuarit me virusin Korona

(Këshilla)

-Njeriu duhet të dijë se çdo gjë që e ka goditur nuk ka pasur mundësi të mos e godasë. Çdo gjë që e ka goditur prej fatkeqësive kjo ka qenë e shkruar, e caktuar. Ky besim në Kaderin e Allahut e qetëson besimtarin dhe e rehaton shpirtin e tij. Para se të na godasë një gjë, në këtë rast ne marrim shkaqet, masat mbrojtëse, e nëse sprovohemi me të atëherë e dimë se kjo paska qenë caktim. Përderisa është caktim aty ka mirësi. Çdo gjë që Allahu cakton për ne aty ka mirësi, dhe mjafton si mirësi nga goditja me fatkeqësi fshirja e mëkateve. Nëse e shohim sprovën me këtë sy, do ta kuptojmë se ajo është mirësi për ne, dhe rrjedhimisht nuk do të mërzitemi shumë apo të pikëllohemi për sprovimin me të, por do të tregohemi të durueshëm ngase Allahu nuk cakton kot një gjë e pa qëllim, në çdo gjë që cakton ka urtësi e dobi.

-Të mos ketë mendim të keq për Allahun. Dihet se shejtani mundohet që njeriut t’ia prishë mendimin ndaj Allahut, duke i pëshpëritur “Allahu të sprovoi, e ndërsa ti je besimtar i mirë i cili kryen adhurime dhe largohesh prej gjynaheve, e megjithatë prapë të sprovoi!” Këto janë vesvese të cilat besimtari duhet t’i largojë prej mendjes dhe zemrës së tij. Allahu i sprovon besimtarët e mirë. Sa më besimtar i mirë aq më shumë sprovohet.

-Të mos ndihet keq a të ketë turp pse është infektuar me këtë virus. Kjo sprovë është sikurse sprovat e tjera. Janë sprovuar edhe njerëz më të mirë sesa ne. Ka pasur nga sahabët që kanë vdekur nga murtaja.

-Të tregojë durim. Është obligim të ketë durim gjatë sprovës. Tërë këto që përmendëm më lartë e ndihmojnë njeriun që të ketë durim:

-me zemër: të mbajë mendim të mirë për Allahun,

-me gjuhë: duke mos folur fjalë akuzuese ndaj kaderit, si: “Pse më sprovoi Allahu?”, “Pse veç mua?” Këto fjalë që dalin në këto raste janë prej mëkateve të mëdha, por të flasë fjalë në përputhje me kënaqësinë e Allahut. Durimi është adhurim, dhe për durimtarët do të ketë shpërblim pa masë.

-Nëse Allahu ka caktuar shërim për të prekurin me këtë virus, atëherë shërimi do të vije, dhe kjo gjendje sprove e vështirësie nuk do të zgjasë përgjithmonë. Gjatë kohës sa është duke e pritur lehtësimin, me këtë është në adhurim. Pas vështirësisë do të vije lehtësimi- siç dhe ka ardhur në Kuran.

-Nëse Allahu ka caktuar që të vdesësh, edhe kjo është mirë për besimtarin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se epidemitë janë mëshirë besimtarët, pra Allahu ua shlyen mëkatet përmes kësaj epidemie, e nëse vdesë atëherë llogaritet prej dëshmorëve. Shumë prej dijetarëve kanë thënë se hadithet që flasin për murtajën, se kush vdes prej saj llogaritet dëshmor, përfshijnë çdo virus që përngjanë me murtajën sa i përket shkaktimit të vdekjes, përhapjes me të madhe. Andaj, kush vdesë prej muslimanëve si pasojë e virusit korona atëherë llogaritet dëshmor. Ai që vdesë si dëshmor do të ketë shpërblime të mëdha tek Allahu.

-Në përgjithësi, besimtari në këto rrethana të tanishme, duhet të përmirësojë besimin në kaderin e Allahut. Nëse e bën këtë atëherë dhe ballafaqimi me situatën do të jetë më i lehtë për të.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit