Përmbyllja e librit
Autori thotë: “Këtë libër do ta përmbyllim inshaAllah duke përmendur një çështje të madhe dhe të rëndësishme, edhe pse kuptohet nga ajo që kemi përmendur më lart (prej fillimit deri në fund), mirëpo do ta veçojmë duke folur rreth saj për shkak të rëndësisë së saj dhe për shkak se shumë njerëz gabojnë në të. Andaj, themi se, nuk ka mospajtime rreth asaj se teuhidi patjetër duhet të jetë me zemër, me gjuhë dhe me vepër, nëse ndonjëra prej tyre mungon atëherë personi nuk është musliman.
Kështu që, nëse dikush e kupton dhe e njeh teuhidin, por nuk punon me të, ai është jobesimtar kryeneç, siç ka bërë Iblisi, Faraoni dhe të tjerë të ngjashëm. Këtu gabojnë shumica e njerëzve, duke thënë: “Teuhidi është i vërtetë dhe ne e kuptojmë atë që po na thërret (i kanë thënë autorit), madje dëshmojmë se kjo është e vërteta, mirëpo ne nuk kemi mundësi të punojmë me të sepse te banorët e vendit tonë nuk lejohet të punohet me teuhid, por duhet të punohet në përputhje me traditat e veprat e tyre.” Sjellin edhe arsyetime të tjera. Por, i mjeri nuk e di se shumica e kokave të kufrit e njohin të vërtetën. Ata e kanë njohur, mirëpo nuk e kanë braktisur përveçse për ndonjë arsye (të ndryshme). E Allahu në Kuran nuk e ka arsyetuar (dhe e ka qortuar) një grup të muslimanëve në kohën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të cilët kanë vazhduar të banojnë në Meke e nuk kanë bërë hixhret në Medine (për arsye të dunjasë), siç thotë: “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: “Ku ishit?” Ata përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm në Tokë”. (Engjëjt) do t’u thonë: “A nuk qe Toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të?” Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim!” Nisa 97.
Nëse dikush punon me teuhid me veprat e jashtme, pa e njohur/kuptuar atë, dhe kur e pyet: “A e beson këtë teuhid?” përgjigjet: “Nuk e besoj (me zemër)”, ai është sikurse dyfytyrëshi. Ky është edhe më i keq sesa jobesimtari i pastër, siç thotë Allahu: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit” Nisa 145.
Kjo është një çështje shumë e gjatë, mirëpo ajo sqarohet nëse mediton rreth saj kur dëgjon se çfarë flasin njerëzit. Sheh se në mesin e njerëzve e dinë të vërtetën, por nuk punojnë me të (veprojnë shirk bashkë me idhujtarët), sepse frikësohen se u pakësohet dunjaja (rrizku, interesat, respekti i njerëzve etj.), apo për kompromise e lajkatime. Ka prej tyre që punojnë me teuhid me të jashtmen (si banorët e vendit), por jo me të brendshmen, e nëse i pyet se çfarë besoni me zemër, ata nuk e njohin me zemrën e tyre të vërtetën (teuhidin).
E ke obligim të kuptosh dy ajete prej Librit të Allahut të Lartësuar. I pari është: ““Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar”. Teube 66. Kur të arrish të kuptosh mirë atë se disa prej sahabëve që kanë luftuar së bashku me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem kundër romakëve kanë bërë kufër për shkak të një fjalë të thënë për humor apo për t’u tallur, atëherë të bëhet e qartë se ai që e thotë fjalën e kufrit apo punon me kufër prej frikës së pakësimit të pasurisë, apo pozitës, apo këtë e bën për të lajkatuar dikë, atëherë kufri i këtij është më i madh sesa i atij që e thotë fjalën e kufrit për humor.
I dyti është: “Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit, (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim. Ndërsa ata që ia hapin zemrën mosbesimit, do të kenë mbi vete zemërimin e Allahut dhe një dënim të madh. Kjo, sepse ata e duan më shumë jetën e kësaj bote, sesa jetën e botës tjetër…” Nahl 106-107. Allahu askënd prej njerëzve nuk e arsyeton nëse e thotë fjalën e kufrit apo vepron veprën e kufrit, përveç atij që është i detyruar për këtë, por duke ia bashkëngjitur faktin se zemra duhet të jetë plotë besim, e bindur. Personat që nuk janë të detyruar të thonë fjalën e kufrit kanë bërë kufër pasi kanë qenë besimtarë, pavarësisht nëse e veprojnë kufrin nga frika prej të tjerëve, apo lakmisë për dunjanë, apo lajkatimit e afrimit ndaj dikujt, apo për dashurinë e madhe që kanë ndaj atdheut, familjes, fisit e pasurisë, apo për humor e tallje me të tjerët dhe arsye të tjera. Ajeti tregon për këtë nga dy aspekte: 1. Allahu thotë: “përveç atij që është i detyruar”, përjashton vetëm këtë person, dhe është e njohur se personi detyrohet të thotë fjalën e kufrit apo të bëjë veprën e kufrit, ndërsa sa i përket besimit të zemrës askush nuk mund ta detyrojë të besojë kufrin apo të mohojë të vërtetën. 2. Allahu thotë: “sepse ata e duan më shumë jetën e kësaj bote, sesa jetën e botës tjetër”, tregon qartë se kufri që kanë bërë dhe dënimi që u vjen prej Allahut nuk është për shkak se e kanë besuar fjalën e kufrit (kur e kanë thënë), apo injorancës, apo urrejtjes ndaj fesë, apo dashurisë ndaj kufrit (sepse të gjitha këto janë të qarta-nëse dikush e thotë fjalën e kufrit me këto arsye), mirëpo për arsye se kanë dashur jetën e kësaj bote ndaj jetës së ahiretit (kanë dashur të përfitojnë ndonjë gjë/interes të kësaj dunjaje andaj i kanë dhënë përparësi dunjasë para fesë).[1] Allahu e di më mirë.”
1213 H.
Hamdi i takon Allahut Zotit të botëve dhe salatet e selamet janë mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!
[1] Shumë njerëz bëjnë kufër për arsye sepse e duan dunjanë, pasurinë, pozitën, duan të arrijnë diçka prej interesave të kësaj bote. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Shpejtoni të bëni vepra të mira para se të vijnë kohë kur do të ketë fitne të shumta sikur pjesët e errëta të natës, saqë njeriu zgjohet besimtar dhe ngryset jobesimtar, apo ngryset besimtar dhe zgjodhët jobesimtarë, (për shkak se) i tilli e shet fenë e tij për një dobi/qëllim të kësaj dunjaje.”
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.