Plotfuqishmëria e Allahut – Cilësi e Tij

Plotfuqishmëria e Allahut – Cilësi e Tij

Allahu thotë: “Në të vërtetë, fuqia i takon vetëm Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.” Munafikun 8.

Allahu e sjellë këtë ajet si kundërshtim ndaj fjalëve të hipokritëve (dyfytyrëshve) të cilët kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe sahabët dolën prej Medine për në betejë, ata e tradhtuan atë (u kthyen në gjysmën e rrugës). Thanë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!” Munafikun 8. E kanë pasur për qëllim vetveten kur kanë thënë “të fuqishmit”, ndërsa e kanë pasur për qëllim Pejgamberin salallahu alejhi dhe sahabët me fjalën “të dobëtit”. Dhe Allahu u kundërpërgjigjet me këtë ajet, se jo që ata nuk janë më të fuqishmit por ata nuk kanë fare fuqi dhe e gjithë fuqia e krenaria i takon Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe besimtarëve.

Si të arrijmë të jemi të ngritur e të fuqishëm? Kjo arrihet duke iu bindur Allahut dhe të Dërguarit. Fuqia, lavdia dhe krenaria u takon ithtarëve të besimit (besimtarëve). Allahu thotë: “…sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” Ali Imran 139. Shejhul islam ibën Tejmije thotë: “Besimtarit i takon krenaria, lavdia e lartësimi aq sa ka besim.” Nëse ka besim siç e kërkon Allahu, me të brendshmen dhe të jashtmen e tij, aq do të ketë krenari e fuqi. Sahabët e kanë realizuar besimin në nivelin më të lartë, andaj dhe kanë pasur krenarinë e ngritjen më të lartë. Besimtari kudo që është, do ta ndihmojë e lartësojë dhe do ta mbrojë atë, edhe nëse të gjithë banorët e tokës bëhen kundër tij, Allahu do të jetë me të, mirëpo me kushtin e realizimit të besimit dhe kushteve të tij. Nëse hisja e tij karshi kësaj është e paktë, do t’i pakësohet edhe hisja e ndihmës dhe përkrahjes prej Allahut.

Në ajet pohohet plotfuqishmëria e Allahut (el izze) si cilësi e Tij, e cila është e plotë dhe e përkryer nga të gjitha aspektet. Allahu në shumë ajete e quan vetën e Tij “el Aziz – i Plotfuqishmi”, si: “Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Ibrahim 4. Në sahihun e Muslimit kemi hadithin kusdij në të cilin tregohet se Allahu betohet në këtë Cilësi të Tij: “Pasha Fuqinë dhe Madhështinë Time…”

Dijetarët kësaj Cilësie ia japin këto tre kuptime:

  1. Izzetul kadr – Allahu është poseduesi i pozitës më të lartë (askush nuk i përngjason Atij, Ai është më i larti).
  2. Izzetul kahr – Allahu ka ngadhënjyer mbi çdo gjë dhe ka mposhtur çdo gjë.
  3. Izzetul imtina – Allahu është aq i Fuqishëm saqë askush nuk mund ta dëmtojë atë, është i Plotfuqishëm, Atë nuk e arrin mangësia e dëmi.

Allahu tha se fuqia i takon edhe të Dërguarit dhe besimtarëve, mirëpo kjo fuqi nuk është sikur Fuqia e Allahut, sepse fuqia që u takon atyre është e atillë që nganjëherë mund të njolloset me përulje apo dobësi, po ashtu nganjëherë besimtarët munden prej të tjerëve (siç ka ndodhur në betejën e Uhudit). Kurse, Allahu gjithmonë është i cilësuar me Cilësinë e Fuqisë. Allahu është i Fuqishëm, po ashtu edhe besimtarët, porse këtu nuk do të thotë se ka përngjasim. Allahu është i Fuqishëm në kuptimin absolut, ndërsa besimtarët nganjëherë janë të fuqishëm e nganjëherë jo.

***

Allahu thotë: “Ai tha: “Betohem në Fuqinë/krenarinë Tënde se unë do t’i devijoj ata të gjithë, përveç robërve të Tu të sinqertë!” Sad 82-83.

Iblisi betohet pikërisht në këtë Cilësi të Allahut (dhe jo në Cilësi tjera) sepse fjala këtu është për mposhtjen, mundjen, ngase siç dihet Allahu e ka përzënë Iblisin prej Mëshirës së Tij, e ka mposhtur, e ka përulur.

Shejtani arrin t’i mposhtë e t’i devijojë njerëzit përmes dy rrugëve kryesore: 1. Duke ua zbukuruar epshet e ndaluara. 2. Duke iu futur dyshime në fe. Prej kësaj përjashtohen robërit e sinqertë e të përzgjedhur të Allahut, “…përveç robërve të Tu të sinqertë! “ Allahu i ka thënë Iblisit: “Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” Hixhr 42.

Vetë Iblisi i ka kuptuar Cilësitë e Allahut, nga kjo e kuptojmë se ai është më i dijshëm sa i përket Cilësive të Tij sesa disa njerëz të cilët i mohojnë ato.

Lejohet të betohemi në Cilësitë e Allahut.

Dobi që nxjerrën nga ajetet e temës:

-Kur e dimë se Allahu është Falës, i mbulon mëkatet tona dhe është Mëshirëplotë, kjo na bën të kërkojmë falje tek Ai dhe të shpresojmë në faljen e mëkateve tona.

-Kur e dimë se Allahu është Falës dhe e do faljen, kjo na nxitë t’i falim të tjerët (për fajet e tyre).

-Kur e dimë se Allahu është i Plotfuqishëm, nuk duhet të bëjmë një vepër përmes së cilës e kundërshtojmë Atë, si: kamata, plaçkitja e njerëzve etj.

-Kur e dimë se Allahu është i Plotfuqishëm dhe se kush e adhuron Atë, Ai do ta lartësojë, atëherë kjo na bën të ndihemi krenarë me fenë tonë. Ne nuk duhet ta konsiderojmë vetën më të ulët sesa të tjerët për shkakun që jemi besimtarë dhe praktikues. Këtë Allahu nuk e do prej nesh. Ne duhet të ndihemi krenarë e të ngritur me fenë tonë, përveçse para besimtarëve, ndaj të cilëve duhet të jemi të thjeshtë e modestë, ndërsa të lartë para jobesimtarëve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit