Prehja shpirtërore tek Allahu
Ibrahim ibn Edhem thotë: “Shkalla më e lartë që e arrin besimtari është shkëputja prej të gjitha krijesave dhe lidhja me Allahun dhe gjetja e prehjes tek Allahu me zemër, me mendje dhe me të gjitha gjymtyrët. Në këtë mënyrë nuk varë shpresat tek askush tjetër përveçse tek Allahu dhe nuk i frikësohet asgjëje veçse mëkateve të tij.”
Disa prej dijetarëve kanë thënë: “Nëse mbjell në zemrën tënde vetminë me Allahun (për ta përmendur, për ta lutur, për të lexuar Librin e Tij), kjo ka si rezultat gjetjen e prehjes tek Allahu.”
Gjetja e prehjes tek Allahu është ushqim për zemrën. Sa më shumë që forcohet kjo prehje, njeriu do të gjejë ndikimin e saj (më shumë sesa që ndikon ushqimi në trup). Kënaqësia e prehjes tek Allahu arrihet pas një kohe të gjatë të luftimit të nefsit, siç ka thënë selefi: “E kam luftuar nesfsin tim për të fal namaz nate, kjo për 20 vjet radhazi, pastaj jam kënaqur (e kam përjetuar kënaqësinë).”
Shkaqet e arritjes së prehjes tek Allahu:
- Ndjenja se je nën mbikëqyrjen e Allahut (se Ai të sheh, të dëgjon, e di gjendjen tënde). Kur njeriu arrin të realizosh këtë nivel të besimit patjetër se do të arrijë të gjejë prehjen tek Allahu. Forca apo dobësia e kësaj prehje është në varësi të afrimit të besimtarit me Allahun. Sa më afër që është zemra e tij me Allahun, aq më shumë do të gjejë prehje tek Ai.
- Parja e gjurmëve (me zemër) të emrave dhe Cilësive të Allahut në univers. Ibn Kajim thotë: “Fillimi i prehjes tek Allahu është kur njeriu zbulon (kupton) kuptimin e emrave të Allahut. (Kur di kuptimin e emrave dhe Cilësive të Allahut dhe adhuron Allahun përmes tyre) Kështu gjen prehje tek Allahu dhe zemra e tij lidhet me Atë.” Kur njeriu kupton emrat dhe cilësitë e Allahut, kjo do t’ia shtojë dashurinë dhe shpresë tek Allahu dhe shton adhurimet e tjera të zemrës.
- Shtimi i adhurimeve dhe largimi prej mëkateve. Sa më shumë që njeriu afrohet tek Allahu me adhurime aq më shumë i shtohet prehja tek Ai. Ibn Kajim thotë: “Çdokush që i bindet Allahut dhe e adhuron Atë gjen prehjen tek Ai, kurse çdokush që bën mëkate ndjen largësi prej Allahut.” Sa më shumë që shton mëkatet, aq më larg Allahut do të jesh dhe do të ndihesh i vetmuar. Dhe thotë: “Sikur mos të kishte arsye tjetër për lënien e mëkateve përveçse kësaj, do të mjaftonte për besimtarin e mençur.” Ibn Tejmije thotë: “Kush synon lumturinë e përhershme në të dy botët, le të mos i ndahet pragut të adhurimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut.” Andaj selefi kanë pasur mall të madh për kryerjen e sa më shumë adhurimeve dhe kurrë nuk janë lodhur nga adhurimet ngase në to kanë gjetur prehje tek Allahu.
- Zuhdi, moslakmia e jetës së kësaj bote, moslidhja e zemrës për të. Kur njeriu është i bindur se jeta e kësaj bote është kalimtare dhe se kënaqësitë e saj sado që janë të shumta dhe sado që zgjasin do të përfundojnë një ditë, atëherë nuk e lidh zemrën për të ose e ka më të lehtë të mos e lidh zemrën për të. Kush e di se prehja e shpirtit është te lodhja e tij, se krenaria e shpirtit është te përulja e nënshtrimi i tij në adhurimin ndaj Allahut, se jeta e vërtetë është pas vdekjes, pa dyshim do të arrijë të përjetojë se kënaqësia e lumturia është në jetën e zemrës (jo në atë të trupit apo në përjetimet trupore), është në afërsinë tek Allahu.
Prej shenjave që tregojnë se njeriu ka gjetur prehjen tek Allahu është kur personi e fal namazin me përulje.
Hoxhë Lulzim Perçuku (transkriptim).