REALITETI I DUNJASË
- Jeta e kjo kësaj bote është botë e shqetësimeve, lodhjeve, brengave, dhimbjeve, vështirësive dhe është e provimit. Allahu thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë…” Bekare 155. Ne jemi vënë para provës, a po e kalojmë atë apo jo. “…me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Bekare 155-156. Dhe: “(Allahu) Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë…” Mulk 2. Dhe: “Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra.” Hud 7. Të tilla ajete na tregojnë qartazi se në këtë jetë kemi ardhur për t’u provuar, dhe se shumë shpejt do të mbarojë ajo, e duke qenë realiteti i tillë atëherë besimtarit nuk i lejohet të mbështetet në këtë botë, të anojë kah ajo apo të ketë për qëllim arritjen e kënaqësive të saj.
-Këto gjëra që përmendëm patjetër do të godasin njerëzit në jetën e kësaj bote. Sado që dikush arrin pasuri të madhe, apo pozitë të lartë etj., patjetër se do të ketë edhe shqetësime, pikëllime, brenga, dhimbje, lodhje etj. Mirëpo, këto gjëra me të cilat ballafaqohet njeriu, kanë një ilaç, që është: përmendja e Allahut. Besimtarëve Allahu ua ka sqaruar se ku duhet ta kërkojnë ilaçin, ku është burimi i shërimit prej këtyre gjërave. Allahu thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Er Rad 28. Largohen shqetësimet e brengat kur e përmend Allahun (me zemër prezente). Pra, përmes adhurimeve, dhikrit, mbështetjes në Allahun dhe besimit në Kaderin e Tij, patjetër do të largohen shqetësimet e brengat etj. Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur…” Nahl 97.
-Shumë njerëz mendojnë se nëse falin namaz, i përmbahen urdhrave dhe ndalesave atëherë nuk do të kenë as brenga, as shqetësime, as probleme. Por kjo nuk është e vërtetë, siç u sqarua më lartë. Mirëpo, kur beson Allahun, e adhuron Atë dhe kryen adhurime, atëherë këto probleme e brenga i tejkalon, të bëhen të lehta, dhe do të kesh jetë të lumtur e të qetë. Kjo jetë me gjithë vuajtjet, shqetësimet, brengat e dhimbjet prapë është e shkurtë. Andaj, ndonëse njeriut i jepet pasuri, shëndet, pozitë etj., do të vdesë, dhe të tjerët do të dëgjojnë se ka vdekur, apo se e ka humbur pasurinë etj. Ose do të ikë dunjaja prej tij ose ai do ta lërë atë (qëndron mes këtyre dy gjendjeve). Edhe vetë dunjaja do të shkatërrohet një ditë. Njeriu duhet ta zgjojë veten prej “gjumit” dhe mashtrimit me jetën kësaj bote, e cila shumë shpejt do të kalojë.
-Çdo e mirë që e gëzon, përballet me të kundërtën e saj. Vështirësitë e shoqërojnë njeriun para arritjes së qëllimeve, gjatë tyre dhe pas arritjes së tyre (ngase do të ketë frikën se mos po i ikë ajo që e ka arritur). Pra ai që ka për synim jetën e kësaj bote gjithmonë do të jetojë jetë të vështirë, do të ketë lodhje, brenga, shqetësime, pikëllime etj.
-Fitimet në jetën e kësaj bote janë humbje sepse sa më shumë që fiton do të humbasë një pjesë të fesë së tij. Nëse njeriu fiton në një gjë me fitime të mëdha, në anën tjetër do të humbasë adhurime dhe gjëra që kanë të bëjnë me botën tjetër (përveç atyre që Allahu u ka dhënë sukses dhe bën bashkë mes këtyre dy aspekteve).
– Shumë prej njerëzve u është zbukuruar kjo jetë, e shohin të bukur, janë fitnosur e mashtruar pas saj, derisa i ka vrarë në fe e besim. Kështu njeriu nuk ka mundësi të shpëtojë nga kjo veçse atëherë kur kthehet tek Allahu duke kërkuar strehë dhe mbrojtje tek Ai, që ta ruajë nga sprova e kësaj jete. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “(O Allah) Kërkoj mbrojtje tek Ti prej sprovës së jetës së kësaj bote dhe dënimit të varrit!”
– Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur: “Mos bëj që sprova të na godasë në fenë tonë dhe mos bëj që dunjaja të jetë qëllimi (shqetësimi) jonë kryesor!” Buhariu. Pra, mos bëj që të sprovohemi me fenë tonë, ose me gjëra që na pakësojnë besimin, apo na largojnë fenë, ose me gjëra që na bëjnë të braktisim obligimet e adhurimet. Nëse mendojmë nga pak për jetën e kësaj bote kjo nuk prish punë (kur qëllimi dhe shqetësimi është kah ahireti), por nuk duhet të jetë qëllimi kryesor, shqetësimi kryesor dhe gjendja kryesore për të cilën mendojmë.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Derset “Poezi për zuhdin”.