Hyrje – Rëndësia e biografisë së Profetit ﷺ – Fragmente nga jeta e Profetit ﷺ

Pa dyshim se studimi i biografisë/sirës së Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) ka dobi të shumta:

Thotë Zejnul Abidin Alij ibn Husejn ibn Alij ibn Ebi Talib (radijaAllahu anh): “Neve gjersa ishim të vegjël prindërit tanë na e mësonin biografinë e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem), luftërat të cilat i zhvillonte ai (salAllahu alejhi ue selem) ashtu siç na e mësonin ndonjë sure nga Kurani.”

Ndërsa thotë imam Ez Zuhriju (rahimehullah) lidhur me biografinë dhe sirën e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem): “Aty përfshihet dija e kësaj bote dhe dija rreth botës tjetër.”

Andaj gjëja më e mirë që e mësojnë dhe e studiojnë muslimanët, e në veçanti të rinjtë e muslimanëve, po ashtu asaj të cilës i kushtojnë vëmendje studiuesit, autorët e shkruesit e ndryshëm është që ata të angazhohen me studimin e sirës së Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem). Pse është kështu? Sepse kur e bëjmë një gjë të tillë do ta vërejmë që ajo është mësuesi më i mirë, edukuesi më i mirë, është shkolla më burimore/origjinale prej të cilës kanë diplomuar brezi i parë i muslimanëve dhe i muslimaneve, gjenerata më e art e këtij ummeti që nuk janë gjetur e nuk do të gjinden kurrë më në jetën e kësaj bote.

Pra muslimani në sirën e Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) e gjen atë që e kërkon, e gjen përsosmërinë në fenë e tij dhe në dunjanë e tij, aty e gjen imanin, akiden, dijen fetare, veprimin, punët e mira, edukatën, moralin, e di si t’i trajtoj çështjet me urtësi. Vëren se në mesin e brezave të parë të muslimanëve, në kohën e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) kishte imamllarë, kishte udhëheqës, kishte njerëz të drejtë. Aty gjen drejtësi, mëshirë, heroizma, sakrificë, luftë në rrugën e Allahut (subhanehu ue teala). Në sirën e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) e gjejmë shembullin më të përkryer dhe më të lartë njerëzorë, gjejmë vlerat dhe parimet më të larta e më të lavdishme.

Sira e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) është shkollë prej të cilës kanë diplomuar njerëzit më të përkryer në sipërfaqen e kësaj toke, ata ishin sahabët e nderuar, shokët e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem). Pra në mesin e tyre gjejmë halife të udhëzuar dhe udhëzues për të tjerët; gjejmë udhëheqës, i cili kishte arritur shkallë të larta të udhëheqësisë nga përvoja të ndryshme me të cilët ishte përballë në jetën e kësaj bote; aty gjejmë njerëz të urtë, prej zemrave të njerëzve të cilëve buronin dija dhe urtësia; po ashtu në mesin e shokëve të Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) gjejmë dhe tregtarë, njerëz që angazhohen edhe me jetën e kësaj bote, megjithatë nuk e harronin edhe hisen e tyre të ahiretit; aty gjejmë njerëz të cilët merreshin edhe me bujqësi, edhe me zanate e prodhimtari të ndryshme megjithatë punën e tyre e konsideronin ibadet (adhurim) ndaj Allahut (subhanehu ue teala), e konsideronin se kur njeriu përpjekjet në punën e tij atëherë me këtë do ta ngrit veten dhe nuk do t’ua shtrinte dorën njerëzve për të kërkuar prej tyre; gjejmë në mesin e tyre njerëz të pasur, mirëpo që ishin njerëz falënderues ndaj Allahut (subhanehu ue teala), të cilët pasurinë që ua kishte dhënë Ai (subhanehu ue teala) e konsideronin se është amanet e që pastaj atë e shfrytëzonin dhe e shpenzonin në rrugën e Allahut në mirësi të ndryshme e në interesa të përgjithshme të muslimanëve. Gjithashtu në mesin e tyre kishte edhe të varfër, megjithatë ata e dinin se kjo është sprovë prej Allahut dhe ishin tepër të durueshëm madje aq të durueshëm saqë personi i cili nuk e njihte gjendjen e tyre mendonte se ishin njerëz të pavarur e të pasur.

Të gjitha këto vijnë si rezultat i dobive të besimit në Allahun dhe dobitë e besimit në Pejgamberin (salAllahu alejhi ue selem). Andaj ata ishin ummeti më i mirë i dalë për njerëzimin, ashtu siç i përshkruan Allahu në Kuran.

Thotë imam ibn Xheuzi (rahimehullah): “Baza e të gjitha bazave është dija. Një prej shkencave islame më të mira, më të dobishme prej të cilës përfiton muslimani është kur ai e lexon dhe e studion sirën (biografinë) e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem” Pastaj e argumenton me fjalën e Allahut: “Ata që i ka udhëzuar Allahu, andaj edhe ti ndjeke udhëzimin e tyre.”

Andaj duke u bazuar në atë që u tha deri tani, vërejmë se është obligim për çdo zot të shtëpisë që në shtëpinë e tij ta ketë një libër përmbledhës prej librave të biografisë së Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem) e që ai vetë të lexojë në të vazhdimisht dhe po ashtu t’ua lexojë atë edhe anëtarëve të shtëpisë së tij. Këtë lexim ta bëj në baza ditore, në mënyrë që fëmijët e vet të rriten duke e njohur Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), Pejgamberin më madhështor, më të mirë të Allahut (subhanehu ue teala), ngaqë biografia e tij është burimi i pastër për këdo që kërkon mësimin e fesë së Allahut (subhanehu ue teala), është argument i cili na udhëzon drejt çdo gjëje të mirë, është shembulli më i përkryer njerëzorë, ai është një kushtetutë gjithëpërfshirëse për çdo degë të mirësisë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit