Rëndësia e veprave të zemrës

Veprat e zemrës

Veprat e zemrës kanë pozitë të lartë dhe nivel të ngritur tek Allahu. Për këtë janë disa arsye:

» Veprat e zemrës janë prej besimit. Besimi ka pjesën e jashtme (veprat e gjymtyrëve) dhe pjesën e brendshme (veprat e zemrës). Pjesa e jashtme nuk bën dobi nëse nuk e ka pjesën e brendshme të tij.

» Veprat e zemrës janë shpirti dhe thelbi i adhurimeve tona që i kryejmë me gjymtyrët tona të jashtme. Nëse veprave të gjymtyrëve u mungojnë veprat e zemrës, atëherë ato janë sikurse trupi pa shpirt.

» Veprat e zemrës janë baza e Islamit.

» Veprat e zemrës janë origjina e devotshmërisë.

Ti dish dhe të mësosh rëndësinë e veprave të zemrës, t’ua kujtosh të tjerëve dhe t’i zbatosh në jetën e përditshme, kjo është dritë mbi dritë.

 

Rëndësia e veprave të zemrës në jetën e muslimanit

Allahu, të gjithë njerëzit, i ka krijuar për një qëllim shumë madhështor, që është: adhurimi ndaj Allahut të Vetëm, duke mos i shoqëruar asgjë në adhurim, “56. Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Dharijat 56.

Shejhul Islam ibën Tejmije kur e definon (përkufizon) adhurimin thotë: “Adhurimi është emër që përfshin të gjitha ato gjëra të cilat Allahu i do dhe me të cilat është i kënaqur, që janë fjalët e brendshme (të zemrës) dhe të jashtme (të gjuhës), veprat e brendshme dhe të jashtme, si: namazi zekati, agjërimi, haxhi etj., dhe gjithashtu dashuria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, frika ndaj Allahut e bazuar në dije (khashje), kthimi tek Ai me synimet tona dhe me pendim etj.”

Adhurimi ndahet në dy lloje: 1. Fjalë dhe vepra të jashtme, këto quhen vepra të gjymtyrëve. 2. Fjalë dhe vepra të brendshme, që janë të zemrës.

Sa i përket rëndësisë së veprave të zemrës, së pari themi se adhurimi ka dy anë: anën e brendshme dhe të jashtme, që të dyja janë shkak për të arritur shpërblime tek Allahu. Nëse njeriu tregohet i mangët dhe neglizhent në njërën prej tyre, atëherë edhe adhurimi i tij është i mangët (nuk merr shpërblim të plotë). Madje, në disa raste, mangësia në veprat e zemrës e mangëson shpërblimin më shumë, sepse siç kemi thënë adhurimet e zemrës janë baza (origjina) dhe se obligimet e veprave të zemrës janë shumë më të mëdha se ato të gjymtyrëve. Ibën Kajimi rahimehullah ka thënë: “Obligimet e zemrës janë shumë më të mëdha e më të forta sesa ato të gjymtyrëve dhe janë më të konfirmuara. Shumica e njerëzve mendojnë se ato nuk janë prej obligimeve të fesë. Ata mendojnë se thjesht janë vepra të mira e të pëlqyera.”

Pastaj themi se:

» Njeriu do të merret në llogari në Ditën e Gjykimit dhe do të shpërblehet apo të dënohet për veprat e zemrës ashtu si për veprat e jashtme. Allahut thotë: “Vallë, a nuk e di ai se kur të nxirren jashtë ata që gjenden në varre dhe, kur të dalë në shesh ajo që është në gjokse…” Adijat 9-10.

» Veprat e zemrës janë baza, kurse adhurimet e gjymtyrëve i pasojnë dhe i plotësojnë ato. Veprat e zemrës janë më të konfirmuara dhe më të përforcuara, pa i nënvlerësuar aspak adhurimet e jashtme, sepse ka prej tyre të cilat nëse braktisën del prej fesë (siç mendojnë disa prej dijetarëve për braktisjen e namazit), apo ka prej tyre me të cilat përmirësohet gjendja e umetit (siç është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, thirrja në rrugën e Allahut e të tjera).

» Dallimi në vlerë i veprave të jashtme që bëjnë muslimanët është në varësi të dallimit të tyre në veprat e brendshme. Pra, muslimanët dallojnë në shpërblimin që marrin dhe në vlerën e veprave të tyre jashtme, varësisht se si i kanë veprat e brendshme. Ibën Tejmije rahimehullah ka thënë: “Veprat e jashtme dallojnë në vlerë te personi varësisht dallimit të veprave të tij të brendshme, si: besimi, sinqeriteti etj. Për këtë gjen se janë dy persona të cilët falen në një rresht, afër njëri-tjetrit, mirëpo dallimi mes namazit të tyre është si dallimi mes qiellit e tokës (në varësi të asaj se çfarë kanë në zemra).”

» Zemra është vendi ku Allahu shikon. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk shikon pamjet dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.” Muslimi. Këtu përmend së pari zemrën (adhurimet e saj), para veprave.

» Me përmirësimin e zemrave tona, përmirësohen gjymtyrët tona (veprat). Nëse zemra prishet, prishen edhe veprat tona të jashtme. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Në trup është një copë mishi e cila nëse përmirësohet, atëherë përmirësohet i gjithë trupi dhe nëse ajo prishet, atëherë prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra.”

» Kënaqësia dhe prehja në adhurime nuk mund të arrihet përveçse atëherë kur njeriu arrin të realizojë veprat e zemrës. Kushdo që synon të përjetojë kënaqësinë e adhurimeve, atëherë le të përpiqet siç janë përpjekur besimtarët të cilët punojnë shumë dhe janë të parët në vepra të mira, së pari duke i përmirësuar veprat e zemrës.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Seria e ligjëratave: Ramazani 2022 – Në youtube – Qendra “Udhëzimi”.

Madhësia e tekstit