Rënia dhe ngritja në besim

  • Rënia dhe ngritja në besim

-Rënia në besim mund t’i ndodhë besimtarit, porse kjo në disa aspekte, ndërsa rënia e madhe nuk mund t’iu ndodhë të gjithë besimtarëve. Rënia në besim mund t’i ndodhë çdo besimtari, porse i miri e i sinqerti e kupton menjëherë këtë dhe shpejton në korrigjimin e gabimit të tij.

-Imani është besim me zemër, thënie me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë, shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me mëkate. Andaj, nëse dikush vepron mëkate le ta dijë se sa herë i vepron ato, i hiqet një pjesë e besimit, i bie, e nëse pendohet dhe kthehet tek Allahu, kërkon falje dhe vepron një vepër të mirë që t’ia shlyejë mëkatin, atëherë besimi i shtohet dhe i rritet, madje ka mundësi që gjendja e tij të bëhet më e mirë sesa më parë. Kjo është gjendja e besimtarit të sinqertë e të mirë: pasi bën mëkat (e çdokush bie në mëkate e gabime nganjëherë) gjendja e tij bëhet më e mirë ngaqë e kupton gabimin e bërë, pendohet dhe kthehet tek Allahu, ndihet keq për atë mëkat, shton veprat e mira, e kështu ngritët në shkallë më të larta tek Allahu sesa më parë.

-Pakësimi i besimit bëhet për shkak të veprimit të mëkateve. Por, edhe nga braktisja e leximit të Kuranit, braktisja e dijes etj.

-Nga veprat që më së shumti e ngritin besimin është kërkimi i dijes.

-Për të shtuar besimin duhet shtuar veprat e mira gjithashtu. E nëse personi nuk ka vullnet për këtë, atëherë duhet të shtojë istigfarin (të kërkojë falje tek Allahu). Pengesa kryesore për kthimin në rrugën e Allahut janë mëkatet. Andaj, duhet të kërkojë falje e të pendohet, dhe Allahu i jep sukses e ia ndriçon zemrën me besim dhe kthehet tek Ai me vepra të mira.

-Gjithashtu duhet parë arsyet e rënies së besimit, duhet analizuar në pikat e dobëta dhe dyert përmes të cikave i depërton shejtani duke e nxit për mëkate, të cilat pastaj ia ulin besimin. Pastaj t’i mbyllë këto dyer. Nganjëherë ndodhë të jetë arsye humbja e kohës kot. Ndodh që dikush të mos veprojë shumë mëkate porse e kalon kohën në gjëra të kota. Fillimisht kështu nisë sulmi i shejtanit i cili e di se besimtarin e mirë nuk mundet menjëherë ta dërgojë në veprimin e mëkateve, por e nxit që të shikojë gjëra të kota (humor, video të ndryshme të kota). Dhe kështu duke u angazhuar me vepra të kota, ai do t’i lërë anash veprat e mira dhe hap pas hapi shkon drejt mëkateve, ngase nëse nuk angazhohet me adhurime patjetër do të angazhohet me mëkate- kjo është natyra e shpirtit të njeriut. Besimtari, kur e di se ka nisur të bie në këtë gjë atëherë duhet të kthehet te përmirësimi duke mos e lënë veten të bie më poshtë, ngase sa më shumë që do të zhytet aq më vështirë do ta ketë kthimin.

– Duhet kërkuar ndihmën e Allahut në të gjitha çështjet, edhe në këtë gjë. Duhet të dije se asgjë nuk ka në dorën e tij, por e gjitha është në Dorën e Allahut dhe se ndihma e suksesi është prej Tij. Ne duhet ta lusim Allahun për forcim në besim dhe forcim të zemrës sonë, e pastaj të ndërmarrim shkaqet e forcimit në fe dhe të forcimit të besimit. Nëse njeriu e lut Allahun, i mbështetet Atij dhe i ndërmerr shkaqet, atëherë ndihma vjen prej Tij.

-Gjithashtu nganjëherë arsye për rënien e besimit dhe moskryerjen e veprave të shumta të mira janë shoqëria e keqe, qoftë ajo që e takon apo ajo virtuale. Andaj duhet bërë kujdes në zgjedhjen e shoqërisë, që të jenë të atillë me të cilët kur bisedon përfiton në çështjet e fesë, ta kujtojnë ndonjë këshillë etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit