Ruajtja e kohës duke marrë dije

• Myslimani duhet ta ketë parasysh kohën. Atij nuk i është dhënë mirësi më e madhe pas Islamit sesa koha. Allahu betohet në kohën: “Pasha kohën!” Asr 1, sepse shumica e njerëzve e shpërdorojnë kohën e tyre, nuk e shfrytëzojnë në të mira. Për çdo minutë, çdo sekondë, çdo frymëmarrje, çdo rrahje të zemrës, harxhohet një pjesë e kohës sonë, e jetës sonë. Secili e ka të caktuar sa ka për të jetuar. Çdo çast që kalon, ajo harxhohet.

Hasan el Basriu rahimehullah thotë: “O njeri! Ti je i përbërë prej ditëve. Nëse kalon një ditë, ka ikur një pjesë e jotja.” Dhe për të do të japësh përgjegjësi, a e ke shfrytëzuar në të mira a në të këqija, apo në gjëra të lejuara (mubah). E mira më e madhe që e bën njeriu (duke e shfrytëzuar kohën) dhe që është më e lehta, është pajisja me dije. Nuk ka adhurim më të madh me të cilin afrohesh tek Allahu sesa dituria (kjo pas farzeve), nuk ka vepër më të mirë sesa ajo, as agjërim vullnetar, as namaz vullnetar, as lëmoshë vullnetare.
Imam Ahmedi rahimehullah thotë: Me diturinë nuk barazohet asnjë punë e mirë, nëse nijeti është i sinqertë.” E kanë pyetur: “Çfarë është nijeti i sinqertë?” Thotë: “Marrja e diturisë me nijetin për ta larguar injorancën nga vetja dhe nga të tjerët.” Së pari, largimi i injorancës nga vetja, pastaj të mësuarit e të tjerëve ato që di- ky është nijeti i mirë, i sinqertë, në kërkimin e diturisë. Kështu, njëkohësisht e adhuron Allahun dhe e shfrytëzon kohën në mirësi, e kur të dalësh para Allahut, do të kesh përgjigje të saktë dhe korrekte.
Hoxhë Lulzim Perçuku. Derset live.
Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit