Shembuj të shirkut të vogël

Shembuj të shirkut të vogël

  • Kur personi shkon në varreza për të falë namaz aty, për t’u lutur, për të therë kurban, duke i bërë për Allahun, por me mendimin se adhurimi është më i veçantë te varret, atëherë kjo është shirk i vogël (që dërgon te shirku i madh). Është mirë vizita në varreza, kjo është sunet, është përkujtim i vdekjes dhe kur shkon aty atëherë të bëhet lutje për të vdekurit sepse ata kanë kanë nevojë të madhe për lutjet tona, por kurrsesi t’iu lutemi të vdekurve në ato varre, apo të bëjmë adhurime me mendimin se është më veçantë/më mirë adhurimi aty.

 

  • Kur personi betohet në dikë tjetër përveç Allahut. Është edukatë të folurit e fjalëve të vërteta, duke mos pasur pastaj nevojë për përforcim të tyre me betime. Por, nëse është e nevojshme betimi ndonjëherë, atëherë ose duhet të betohet në Allahun ose të heshtë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos u betoni në prindërit tuaj! Kush betohet, ose le të betohet në Allahun ose le të heshtë.” Dhe: “Ai i cili betohet në emër të dikujt tjetër përveç Allahut, ka bërë shirk.” E sa e sa betime ndodhin: në prindër, në familje, në fëmijë, në besë, në Qabe, në bukë etj. Të gjitha këto janë të ndaluara. Kur dikush betohet, me këtë e madhëron atë gjë, e njeriu nuk duhet ta madhërojë askënd tjetër përveç Allahut.

 

 

  • Kur personi thotë: “Çfarë ka dashur Allahu dhe Pejgamberi i Tij”, apo “Çfarë do Allahu dhe ti”, apo “Sikur mos të ishte Allahu dhe ti”, pra vendosja në një nivel e Allahut me krijesën, edhe në shprehje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dëgjuar dikë të thotë: “Çfarë do Allahu dhe ti o Pejgamber!” Dhe i ka thënë: “A je duke më bërë shok me Allahun?! Vetëm çfarë do Allahu.” Andaj, duhet bërë kujdes në këto shprehje. Duhet thënë: “Çfarë do Allahu, pastaj ti”, apo “Çfarë do Allahu, pastaj…”

 

  • Kur personi ia atribuon begatinë krijesave. Allahu e shëron atë përmes mjekut (shkak), ndërsa ai thotë: “Sikur mos të ishe ti unë do të mbaroja”. Allahu e shpëton nga një aksident, ndërsa ai thotë: “Sikur të mos ishte shkathtësia e shoferit, ne do të vdisnim” dhe të tjera të tilla. Këto janë vetëm shkaqe, ndërsa Allahu është Ai i Cili jep shërimin e shpëtimin etj. Jo t’i atribuohet/adresohet shkakut begatia e Allahut.

 

  • Kur personi bën syefaqësi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo gjë së cilës më së shumti ia kam frikën për ju është shirku i vogël.” Kur është pyetur se çfarë është ka thënë: “Syefaqësia (er rija).” E ka komentuar në hadithe të tjera se ajo është: kur njeriu fillon namazin pastaj vjen dikush dhe ai e zbukuron faljen për shkak se është duke e shikuar tjetri. Pra, bërja e disa adhurimeve për ta parë njerëzit (që ta lavdërojnë, të cilësohet me devotshmëri), e që duhen të bëhen vetëm për Allahun. Njeriu kur vepron vepra të mira duhet t’i kërkojë Allahut që t’ia përmirësojë nijetin, që t’i bëjë ato vetëm për hir të Allahut. Duhet vazhdimisht ta luftojë nefsin e tij për t’i bërë veprat për hir të Allahut.

 

Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Madhësia e tekstit