Shembulli i Dritës së Allahut dhe kategorizimi i njerëzve në raport me të-2

Ibn Kajim el Xheuzije

Kategoria e dytë: injorantë e zullumqarë, të cilët kanë bashkuar midis injorancës sa i takon shpalljes me të cilën erdhi Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) dhe padrejtësisë në pasimin e dëshirave të tyre. Në lidhje me ta Allahu i lartësuar thotë: ‘Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).’ (Kurani, 53: 23)

Këta janë dy lloj:

I pari: ata që mendojë se janë të ditur e të udhëzuar, por që në realitet janë injorantë e të humbur. Injoranca e tyre është e shumëfishtë: ata, nga njëra anë nuk e njohin të vërtetën dhe e armiqësojnë atë dhe pasuesit e saj, dhe nga ana tjetër, e mbështesin të kotën dhe e përkrahin atë dhe pasuesit e saj. Ata mendojnë se janë në udhëzim, por që në realitet ata janë të mashtruar. Sa i takon bindjes që kanë për një gjë, por që në fakt është në kundërshtim me realitetin, ngjan me shembullin e atij që shikon mirazhin, i cili të etshmit i lë përshtypjen e ujit, por kur i afrohet e kupton se përshtypja e tij ishte e rreme. Punët dhe dijet e tyre janë si puna e mirazhit, i cili e mashtron njeriun kur është më së ngushti për të.

Madje nuk mjaftohet vetëm me zhgënjimin dhe privimin, siç ndodh me atë që i qaset mirazhit dhe e kupton që nuk është ujë, por kësaj i shtohet edhe fakti që aty e gjen Gjykatësin më të drejtë, i Cili i gjykon atë dije dhe ato vepra që posedon dhe ia paguan ato qofshin edhe sa një thërrmijë. Allahu u qaset veprave që ka bërë, prej të cilave shpreson të ketë dobi, dhe ua kthen në hi e pluhur, meqë nuk ishin kryer për hir të Fytyrës së Tij dhe as sipas sunetit të të Dërguarit të Tij.

Kështu, edhe ato dyshime të kota, të cilat i mendonte si dije të dobishme, i shndërrohen në hi e pluhur. Pra veprat dhe dituria e tyre kthehet në pikëllim për ta.

Mirazh (serab) quhen rrezet e dritës së diellit që reflektohen në një shkretëtirë (të shtrirë) në mes të ditës, të cilat të krijojnë përshtypje e ujit që është duke ecur në tokë. Shkretëtirë (kiatin) quhet ajo tokë e shtrirë, ku nuk ka as male as lugina. Pra, ato dije dhe vepra që nuk i merr prej shpalljes, i krahasoi me mirazhin, të cilin udhëtari e sheh në zheg të madh dhe i qaset. I mashtruar nga përshtypja e tij, aty gjen zjarrin që flakëron. Të këtilla janë dijet dhe punët e pasuesve të së pavërtetës, të cilëve, kur njerëzit të jenë tubuar dhe t’i ketë kapluar etja, u shfaqen ato (dijet dhe veprat) si puna e mirazhit, i cili u lë përshtypjen e ujit dhe kur i afrohen, aty gjejnë Allahu. Aty i marrin rojet e xhehenemit duke i tërhequr zvarrë për në zjarrin e xhehenemit. Aty do t’u jepet ujë i vluar, që ua copëton zorrët. Ky ujë që u jepet janë dijet e padobishme dhe veprat që kryenin për dikë tjetër veç Allahut, të cilat, që të gjitha ua shndërroi (në ujë të vluar) dhe ua dha ti pinë. Ashtu sikurse edhe ushqimi i tyre janë ferrat helmuese, të cilat as nuk mund t’i mbajnë, as nuk ua shuajnë urinë. Ky ushqim pra janë ato dije dhe vepra të kota të kësaj bote, të cilat as të shëndoshin dhe as të shuajnë urinë. Kjo palë janë ata për të cilët Allahu i lartësuar thotë: ‘Thuaj: A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?’ (Kurani, 18: 103-104)

Po kjo palë janë ata që kishte për qëllim me fjalët e Tij: ‘Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.’ (Kurani, 25: 23) dhe po kjo palë janë ata që kanë për qëllim fjalët e Tij: ‘Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.’ (Kurani, 2: 167)

Lloji i dytë i kësaj kategorie janë ata që ndodhen në errësirë, të zhytur në injorancë, aq sa ajo i ka përfshirë nga çdo anë. Janë në një pozitë me kafshët, madje edhe më të humbur se ato. Veprat e tyre – të cilat i kryen me injorancë, madje duke vetëm duke imituar verbërisht dhe ndjekur baballarët e tyre, pa u ndriçuar me dritën (e dijes) së Allahut -, janë po si errësirat, shumësi i fjalës errësirë. D.m.th. errësira e injorancës, errësira e kufrit, errësira e padrejtësisë, errësira e pasimit të dëshirave, errësira e dyshimeve, errësira e hamendjeve, errësira e shmangies nga e vërteta me të cilën Allahu i Lartësuar i dërgoi të Dërguarit e Tij dhe drita të cilën e zbriti me ta, për t’i nxjerrë me të njerëzit nga errësira në dritë.

Me të vërtetë ai që i kthen shpinën udhëzimit dhe fesë së vërtetë me të cilën Allahu i lartësuar e çoi Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), vërtitet në pesë errësira: fjalët e tij janë errësirë, veprat e tij janë errësirë, hyrja e tij është errësirë, dalja e tij është errësirë dhe përfundon në errësirë. Zemra e tij është e nxirë, fytyra e tij është e nxirë, fjalët e tij janë të nxira, gjendja e tij është e nxirë. Dhe kur vështrimi i tij i mekët ndeshet me dritën me të cilën Allahu i lartësuar e dërgoi Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), rrëmbehet të ikë prej saj, meqë drita e Tij gati sa nuk ia fikë shikimin, kështu që ikën drejtë errësirës së mendimeve, të cilat janë më të përshtatshme për të dhe i shkojnë më shumë, siç thuhet:

Lakuriqit drita shikimin ja shoi
Me një pjesë t’territ t’natës ju desh të pajtojë

Dhe kur vjen te mbeturinat e mendimeve dhe llumi i intelektit, vërtitet e insiston në ato mendime), i shfaq ato dhe vazhdimisht i përsërit, rrapëllon e gulçon. Por kur shfaqet drita e shpalljes dhe rrezet e mesazhit (të Pejgamberit), ai futet në vrimë të insekteve.

Fjalët e Tij: ‘në detin e thellë’: luxhijj do të thotë i thellë dhe këtu i referohet thellësisë më të madhe të tij. Fjalët e Tij: ‘i cili mbulohet nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë’, këtu pasqyrohet gjendja e atij që i ka kthyer shpinën shpalljes së Tij. Përplasjen e dyshimeve dhe kotësive në gjoksin e tij, i krahasoi me përplasjen e dallgëve të atij deti, të cilat ngrihen njëra mbi tjetrën. Përemri i parë te ‘i cili mbulohet’ i referohet detit, ndërsa përemri i dytë
te fjalët ‘sipër tyre’ i referohet dallgëve. Pastaj këto dallgë janë të mbuluara nga retë. Pra këtu kemi disa errësira: errësirën e detit të thellë, errësirën e dallgëve sipër tij dhe errësirën e reve sipër të gjitha këtyre, saqë nëse dikush që është ne këtë det e nxjerrë dorën e tij, pothuajse nuk arrin ta shoh fare.[1]

Së pari, Allahu i lartësuar, veprat e tyre, sa i takon humbjes së dobisë dhe dëmit që u shkaktojnë, i krahasoi me mirazhin mashtrues, i cili e gënjen nga larg atë që është duke e shikuar, saqë kur i afrohet pranë, gjen të kundërtën e asaj që kishte pritur e shpresuar. Së dyti, veprat e tyre, sa i takon errësirës dhe territ që përmbajnë, duke qenë se janë të pavlera dhe pa dritën e imanit, i krahasoi me një grumbull errësirash të mbledhura në thellësirat e detit, dallgët e të cilit përplasen dhe janë mbuluar sipër nga retë.

Sa krahasim i rrallë dhe shumë adekuat me gjendjen e bidatçinjëve, të humburve dhe të atyre që e adhurojnë Allahun në kundërshtim me atë me të cilën u dërgua Pejgamberi dhe e zbriti në Librin e Tij.

Ky krahasim i veprave të tyre të kota, është krahasim i përputhshmërisë dhe qartësimit të plotë, dhe i dijeve dhe besimit të tyre të devijuar, krahasim që rrjedhimisht nënkuptohet. Dhe që të dyja, edhe mirazhi edhe errësirat, janë shembull për të gjitha veprat dhe dijet e tyre: mirazh i pa rezultat dhe errësira pa far drite.

Kjo është e kundërta e shembullit të veprave dhe dijeve të besimtarit, të cilat i merr nga drita e pejgamberllëkut; shembulli i tyre është si puna e shiut, i cili i jep jetë tokës dhe njerëzve, dhe si shembulli i dritës, nga e cila burojnë të mirat e dynjasë dhe Ahiretit.

Për këtë, Allahu i lartësuar i përmend këta dy shembuj në më shumë se një vend në Kuran, për miqtë dhe armiqtë e Tij (d.m.th. njërin për miqtë dhe tjetrin për armiqtë e Tij), si p.sh. suren Bekare: ‘Rasti i tyre shëmbëllen me rastin e atyre që ndezin një zjarr dhe, kur ai ua ndriçon ç’kanë rreth vetes, Allahu ua merr dritën, i lë në errësira dhe ata nuk shohin asgjë! Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, prandaj nuk kthehen në rrugë të drejtë.’ (Kurani, 2: 17-18)

Allahu i lartësuar, armiqtë e Tij hipokritë, i shëmbëllen me ata që kanë ndezur një zjarr që i ndriçon dhe përfitojnë prej tij dhe, kur ai i ndriçon dhe nën dritën e tij shohin atë që është e dobishme dhe atë që është e dëmshme për ta, dhe e shohin rrugën duke qenë ishin të hutuar dhe nuk dinin kah t’ia mbanin, si puna e një grupi që janë në udhëtim dhe kanë ngatërruar rrugë dhe duke mbetur kështu, kanë ndezur një zjarr t’ua ndriçojnë rrugën dhe, kur ai ua ndriçon rrugën, e shohin dhe e gjejnë rrugën, fiket ky zjarr dhe mbesin në errësirë, nuk shohin, u mbyllen të tria dyert e udhëzimit, meqë udhëzimi hyn te robi përmes tri dyerve: prej asaj që dëgjon me veshin e vet, prej asaj që shikon me syrin e vet dhe prej asaj që kupton me zemrën e tij. Pra, këtyre u janë mbyllur dyert e udhëzimit: zemrat e tyre nuk shohin gjë, nuk dëgjojnë dhe nuk e dallojnë atë prej së cilës kanë dobi.

Thuhet, meqë nuk patën dobi nga dëgjimi, shikimi dhe zemrat e tyre, u vunë në pozitë me dikë që është i shurdhër, i verbër dhe pa fiqir. Këto dy shpjegime janë të pandara. Dhe duke përshkruar cilësitë e tyre dalluese, thotë: ‘ prandaj nuk kthehen (në rrugë të drejtë).’, sepse në dritën e zjarrit, ata e panë dhe e dalluan udhëzimin dhe, kur u është fikur zjarri, nuk u kthyen te (udhëzimi) që panë dhe dalluan. Allahu i lartësuar tha: ‘Allahu ua merr dritën’, dhe nuk tha u ikën drita e tyre.

Këtu kemi një mister të rrallë i cili është: ndërprerja e ‘meijes’ (përkrahjes) së veçantë, e cila është për besimtarët nga Allahu i lartësuar. Me të vërtetë që Allahu është me besimtarët dhe me durimtarët: ‘Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.’ (Kurani, 16: 128) Pra, marrja e kësaj drite nga ana e Allahut, është ndërprerje e meijes (të qenët e Allahut me dikë prej robërve të Tij) me të cilën i veçoi miqtë e Tij besimtarë. Ai e ndërpreu këtë mes Tij dhe hipokritëve dhe nuk mbetet tek ata, as me ta (meije) pasi t’u jetë marrë drita, kështu që ata nuk kanë hise në fjalët e Allahut: ‘Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!’ (Kurani, 9: 40), as në fjalë e Tij: ‘Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën’ (Kurani, 26: 62)

Medito rreth fjalëve të Tij: ‘ua ndriçon ç’kanë rreth vetes’, si bëri që ndriçimi të jetë jashtë tij, i ndarë prej tij. Po të bashkohej dhe njësohej ndriçimi me ta, nuk do të ikte. Mirëpo ndiçmi ishte pranë, jo i njësuar e i përzier me të. Ndriçimi ishte i rastit, ndërsa errësira vendëse (rrënjësore), kështu që, drita u kthye te vendi i vet, ndërsa errësira te vendi i saj. Pra secila u kthye te rrënjët e veta të cilave u shkon. Pra, kjo është provë e plotfuqishme e Allahut dhe urtësi e jashtëzakonshme, me të cilën u prezantua te njerëzit e mençur prej robërve të tij.

Medito si tha: ‘Allahu ua merr dritën’ dhe nuk tha ua merr zjarrin, në mënyrë që t’i përshtatet fillimit të ajetit. Vërtet që te zjarri kemi ndriçim dhe djegie, por Allahu ua mori ndriçimin, d.m.th. dritën, dhe ua la djegien, d.m.th. zjarrin.

Medito si tha: ‘ua merr dritën’ dhe nuk tha ndriçimin, së bashku me fjalët e Tij: ‘kur ai ua ndriçon ç’kanë rreth vetes’, sepse ndriçimi është shtesë mbi dritën. Dhe nëse do të thuhej: Allahu ua merr ndriçimin, do të linte përshtypjen se ua merr vetëm atë që është shtesë dhe jo bazën. Dhe meqë drita është baza ndriçimit, marrja e saj nënkupton marrjen e asaj që është bazë dhe asaj që është shtesë. Dhe gjithashtu për faktin që kështu shprehet më fuqishëm mohimi i dritës nga ata dhe vërtet që ata janë prej atyre që jetojnë në errësira dhe nuk kanë dritë.

Po ashtu, vërtet që Allahu i lartësuar Librin e Tij, Pejgamberin e Tij dhe Fenë e Tij i quajti Dritë. Udhëzimin e Tij e quajti Dritë. Prej emrave të Tij është Dritë. Namazi është Dritë. Dhe kur Allahu ua merr dritën, d.m.th. që ua merr të gjitha këto.

Medito rreth përputhjes së këtij shembulli me ajetin paraprak: ‘Pikërisht këta janë ata që kanëkëmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.’ (Kurani, 2: 16) Pra, shiko si përputhet shembulli i tyre me këtë tregti që nuk sjellë kurrfarë përfitimi, e cila përfshin në vetvete humbjen dhe pajtimin me të dhe flijimin e udhëzimit në këmbim të saj; mbetjen në errësira, të cilat nënkuptojnë humbjen dhe pajtimin me të, në këmbim të dritës e cila nënkupton udhëzimin dhe dritën. Pra, e flijuan udhëzimin dhe dritën me errësirën dhe humbjen. Sa marrëveshje biznesi e dështuar është kjo; sa mashtruese?!!

Medito në ç’mënyrë Allahu i lartësuar në fjalët e Tij ‘Allahu ua merr dritën’ dritën e përmendi në njëjës, ndërsa në fjalët e Tij ‘i lë në errësira’ errësirën e përmendi në shumës. Sepse e vërteta është një. Ajo është rruga e drejtë e Allahut dhe s’ka rrugë tjetër veç saj që të çon te Ai. Me rrugën e drejtë nënkuptojmë adhurimin e Tij të Vetëm, pa i shoqëruar asgjë në adhurim dhe duke e kryer këtë adhurim ashtu siç e ka ligjësuar Allahu i lartësuar përmes gjuhës së Pejgamberit (salallahu
alejhi ue selem); nuk duhet të adhurohet duke u bazuar në dëshira, bidate e rrugica të atyre, të cilët kanë dalë jashtë asaj me të cilën Allahu i lartësuar e dërgoi Pejgamberin – me udhëzim dhe fe të vërtetë, për dallim nga rrugët e kota, të cilat janë të shumta dhe të degëzuar (të ndara). Për këtë Allahu i lartësuar, të vërtetën e përmend në njëjës, kurse të kotën në shumës, si p.sh. në fjalët e Tij: ‘Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësirat në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësira. Këta janë banorët e Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.’ (Kurani, 2: 257) dhe: ‘Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij.’ (Kurani, 6: 153) Pra, rrugët e humbjes i përmendi në shumës, ndërsa rrugën e së vërtetës në njëjës. Kjo nuk bie në kundërshtim me fjalët e Tij: ‘Me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugët e shpëtimit’ (Kurani, 5: 16) meqë ato janë rrugët me të cilat është i kënaqur, që bashkohen te një rrugë e vetme, rruga e Tij e drejtë, sepse e rrugët përmes të cilave arrihet kënaqësi e Tij, të gjitha i referohen një drejtimi dhe një rruge, e cila është e vetmja rrugë që çon tek Ai.

Është saktësuar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) se ai bëri një vijë të drejtë dhe tha: ‘Kjo është rruga e Allahut’. Pastaj bëri disa vija në të djathtë dhe në të majtë të saj dhe tha: ‘Në këto rrugë, në secilën prej tyre ndodhet një djall që thërret për në to.’ Pastaj lexoi fjalët e Allahut të lartësuar: ‘Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.’ (Kurani, 6: 153)

Është thënë se ky shëmbëllim[2] ka të bëj me hipokritët dhe me faktin se ata ndezin zjarrin e fitnes, të cilin e përçojnë mes pjesëtarëve të Islamit. Pra si shembulli i fjalëve të Allahut: ‘Kurdo që ata ndezin zjarrin e fitnes (luftës), Allahu e shuan atë.’ (Kurani, 5: 64) Fjalët e Allahut: ‘Allahu ua merr dritën’ (Kurani, 2: 16) janë në përputhje me fjalët e Tij: ‘Allahu e shuan atë’ (Kurani, 5: 64)

Dhe zhgënjimi i tyre dhe shkatërrimi i (komploteve) që kurdisin, bëhet duke i lënë ata në errësirat e mëdyshjeve prej ku nuk mund të orientohen për të shpëtuar nga ajo ku kanë rënë. Ata nuk shohin ndonjë shteg, madje janë të shurdhër, memecë e të verbër.

Pavarësisht se ky supozim mund të jetë i drejtë, fakti se ky është qëllimi i ajetit meriton të shqyrtohet. Kontesti i ajetit ka për qëllim diçka tjetër, meqë fjalët e Tij ‘kur ai ua ndriçon ç’kanë rreth vetes’ e kundërshtojnë këtë. Kurrsesi nuk mund të pranohet se ndezësi i zjarrit të luftës ndriçon ç’ka rreth vetës. Po ashtu fjalët e Tij ‘Allahu ua merr dritën’ nuk e pranojnë këtë, meqë ndezësi i zjarrit nuk posedon dritë. Më tej fjalët e Tij ‘i lë në errësira dhe ata nuk shohin asgjë’ nuk e lejojnë këtë, meqë kjo do të thotë se ata, nga njohja e (e së vërtetës) dhe dija për të, të kenë kaluar në errësirën e dyshimit dhe kufrit.

Haseni thotë: Është për qëllimi hipokriti (mynafiku) i cili e pa (të vërtetën) pastaj iu mor shikimi, e njohu dhe pastaj e mohoi, për këtë ata: ‘nuk kthehen në rrugë të drejtë’ (Kurani, 2: 17-18) d.m.th. nuk kthehen tek drita të cilën e braktisën.

Allahu i lartësuar sa i takon pabesimtarëve thotë: ‘Ata janë të shurdhër, memecë dhe të verbër e nuk kuptojnë asgjë.’ (Kurani, 2: 171) Pra, pabesimtarëve u rrëmbehet mendja, meqë nuk ishin prej atyre që kuptojnë dhe nuk ishin prej besimtarëve. Po ashtu edhe hipokritëve u privohet mundësia të kthehen, për arsye se ata besuan dhe pastaj mohuan dhe nuk u kthyen në besim.[3]

Vazhdon…

—————————————————————–

[1] Këtu kam fshirë dy-tre paragraf të cilët trajtojnë një temë gjuhësore dhe mua më rezultojnë të pakapshëm për lexuesin; me ndihmën e Allahut ata do të përkthehen në momentin e duhur!

[2] Është fjala për fjalët e Allahut: ‘Rasti i tyre shëmbëllen me rastin e atyre që ndezin një zjarr…’ (Kurani, 2: 16-17)

[3] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit