Çdo njeri që është goditur nga sëmundja e vetëpëlqimit ka nevojë të përkujtojë këshillën madhështore dhe fjalët e pronarit të kopshtit, i cili e këshillonte shokun e tij që krenohej me bukuritë e kopshtit të vet, siq tregon Allahu në Kuran: “Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: “Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut.” (El Kehf, 39). Sepse vetëpëlqimi është një sëmundje e rrezikshme; e cila nëse e godet njeriun do ta shkatërrojë atë dhe do t’i asgjësojë veprat e tij.
Shumë njerëz janë shkatërruar nga vetëpëlqimi!; qoftë kur ata kanë arritur ndonjë të mirë materiale apo ndonjë pozitë të lartë, me të cilën janë bërë njerëz që e pëlqejnë veten dhe janë bërë mendjemadh ndaj njerëzve, apo qoftë edhe në rastet kur ata kanë arritur një shkallë të diturisë apo ibadetit etj, me të cilën janë vetëpëlqyer duke e parë veten e tyre më lart se të tjerët, gjë që nëse njeriu goditet nga kjo sëmundje shkatërrohet. Prandaj, ai e këshilloi shokun e tij me këtë këshillë të bekuar e madhështore, kur i tha: “Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd:“Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut” (El Kehf, 39) sepse kjo fjalë – siç thonë njerëzit e dijes – e përzë vetëpëlqimin, nëse njeriu e vëren se është dalluar nga të tjerët në ndonjë aspekt dhe e thotë këtë fjalë, atëherë ajo do ta përzë vetëpëlqimin; pse? Sepse kjo fjalë e bën njeriun të ndalojë në realitetin e çështjes, ia bën me dije se të arriturat e tij nuk ndodhin përveçse me dëshirën e Allahut, sepse sikur mos të ishte dëshira kosmologjike e Allahut nuk do të arrije deri aty. Pra çështja është e varur nga dëshira e Allahut, ajo që dëshiron Allahu bëhet e ajo që nuk dëshiron nuk bëhet, dhe njeriu nuk ka fuqi të arrijë diçka që është në interes të tij përveç se me dëshirën e Allahut. Prandaj, kjo fjalë e bën njeriun të ndalojë në realitetin, sepse me të e përkujton mirësinë e Allahut dhe përkujton se ajo mirësi ndodhë me dëshirën e Allahut, si dhe e kupton se sikur të mos dëshironte Allahu nuk do ta arrinte atë mirësi.
Pra, me këtë njeriu kalon nga vetëpëlqimi në falënderim dhe lavdërim ndaj Allahut, nga pëlqimi me vetveten kalon në një gjendje që ai të pranojë se mirësia vjen nga Allahu, të pranojë se sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj tij nuk do të arrinte asgjë.
Gjithashtu, njeriun mund ta godet sëmundja e vetëpëlqimit edhe në çështjet e fesë, sikurse vetëpëlqehet për ibadetin që bën dhe suksesin që ka ndaj të tjerëve, vetëpëlqehet për diturinë, për nxënien përmendësh të Kuranit dhe haditheve dhe, sikurse që thash më herët, kjo është një sëmundje fatale që i shkatërron veprat e njerëzve.
Shërimi nga ky lloj i vetëpëlqimit behët nëpërmjet tri gjërave, të cilat i kanë cekur dijetarët, dhe që janë shumë të rëndësishme:
Çështja e parë: T’ia përkujtojë vetes aspektet e neglizhencës dhe mangësive që gjenden te ai, ku nëse ai vetëpëlqehet për ibadetin që bën, apo për nxënien përmendësh të Kuranit e gjëra të tjera, atëherë le ta rrotullojë faqen në anën tjetër ku qëndrojnë aspektet e neglizhencës dhe mangësive që ka, sepse njeriu është vazhdimisht neglizhent, vazhdimisht i ka edhe anët e mangëta, prandaj nëse fillon t’ia përkujtojë vetes anët e mangësive që ka, atëherë do të preokupohet që t’i përmirësojë ato dhe t’i shërojë të metat në vend se të vetëpëlqehet nga një aspekt i caktuar ku ka arritur sukses.
Çështja e dytë: T’ia përkujtojë vetes se ajo e arritur e tij është mirësi e Allahut ndaj tij, dhe se sikur mos të ishte mirësia dhe mëshira e Allahut nuk do ta arrinte atë gjë, sikurse e cituam ajetin më herë: “Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut”. Pra, ia përkujton vetes mirësinë e Allahut dhe se ajo është mirësi vetëm nga Allahu.
Çështja e tretë: T’ia përkujtojë vetes mangësitë që ka në punët e tij; sepse sado që njeriu të punojë do të ketë mangësi. Nëse ajo me të cilën është vetëpëlqyer është nxënia përmendësh e diturisë, atëherë le t’ia përkujtojë vetes gjërat që nuk ka arritur t’i mësojë përmendësh, apo nëse ajo me të cilën është vetëpëlqyer është ibadeti, atëherë le t’ia përkujtojë vetes ato ibadete që i ka lënë të mangëta e kështu me radhë. Me këto tri gjëra përzihet vetëpëlqimi me lejen e Allahut.
Në përgjithësi njeriu ka nevojë ta shërojë veten, dhe nëse nuk mundohet që ta shërojë veten nga mendjelehtësia, atëherë do të bie në shkatërrim.
Lus Allahun fisnik, Zotin e Arshit madhështor që të na ruajë të gjithë ne, t’i përmirësojë gjendjet tona dhe mos të na lë që të mbështetemi në vetët tona as sa e lëvizim syrin.