Shoqëria e mirë

bc4a19c8-b9e3-40d6-83d7-fbd3e68c2104

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk duhen dy veta për hir të Allahut, veçse më i dashur tek Ai është personi që e do më shumë shokun e tij.” (Es-Silsile Es-Sahiha, 1/811, nr 450).

 

  • Ebu Hazim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e do një vëlla besimtar për hir të Allahut, atëherë pakësoji ndërhyrjet në jetën e tij të kësaj bote!” (Hiljetu El-Evlija’, 3/281).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “T’i ndihmoj një vëllai tim besimtar në ndonjë nevojë të tij është më dashur për mua sesa të bëjë itikaf në këtë xhami – xhaminë e tij në Medine – një muaj.” (Es-Sahiha, 906).

 

  • Umer ibn Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Njeriut nuk i është dhënë diçka më e mirë, pas Islamit, sesa një vëlla i devotshëm besimtar.” (Kutu El-Kulub, 2/178).

 

  • Umer ibn El-Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Prej gjërave që e bëjnë të çiltër dashurinë e vëllait tënd besimtar për ty janë: t’i japësh selam i pari kur ta takosh, ta thërrasësh me emrat që i do më së shumti dhe t’i bësh vend nëpër ndeja.” (Behxhetu El-Mexhalis, 143).

 

  • Dijetari Mukbil El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëllai besimtar në këtë kohë është i barabartë me botën dhe çdo gjë që gjendet në të.” (Es’iletu Esh-Shebab)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur ta shohësh vëllain tënd besimtar në gjendje të rëndë thuaji: “Përgëzohu, sepse çlirimi është afër!” Dhe kur ta shohësh në vështirësi thuaji: “Përgëzohu, sepse lehtësimi është afër!” (Sherh Rijad Es-Salihin, 4/116).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ta përqeshësh vëllain tënd besimtar për shkak të mëkatit që e ka bërë, është mëkat më i madh e më i rëndë sesa mëkati i tij.” (Medarixh Es-Salikin, 1/177)

 

  • Alij ibn Ebi Talib (radijAllahu anhu) thotë: “Shoku nuk konsiderohet shok i vërtetë derisa ta ruajë shokun e tij kur ai nuk është prezent dhe po ashtu pasi të vdesë ai.” (Behxhetu El-Mexhalis, 147)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e sheh se shokët e tu të udhëzojnë e të ndihmojnë drejtë të mirës dhe nëse harron e nuk di, të përkujtojnë e të mësojnë, atëherë mbaje fort shoqërinë me ta. E nëse e sheh se shoku yt është i pakujdesshëm kundrejt teje dhe nuk i intereson a prishet feja jote apo jo, madje ndoshta edhe përpiqet të ta prish fenë, atëherë ruaju prej tij, sepse ai është helm vrasës.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 2/365)

 

  • Imam El-Euza’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shoku për shokun është sikur arni për rrobën; nëse ai (arni) nuk është i ngjashëm me të, e shëmton atë.” (Behxhetu El-Mexhalis, 150)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë): “Nëse shoku yt e di që e ke përgojuar, atëherë shko dhe kërkoji falje! E nëse jo, atëherë përgojimi shlyhet duke kërkuar falje për të dhe duke ia përmendur cilësitë e tij të mira nëpër ato ndeja ku e ke përgojuar, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” (Likau-Babil-Meftuh, 30)

 

  • “Shoku i cili të thërret të shikoni bashkë një serial, apo të dëgjoni ndonjë këngë, apo të përgojoni dikë, ai nuk është shok. Mendo thellë rreth këtyre ajeteve: “Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” (El-Furkan, 28-29).

 

  • Jezid ibn Habib (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk lejoj që një vëlla i imi besimtar të zemërohet dy herë me mua. Përkundrazi, shikoj se çfarë ai urren dhe nuk e bëj më.” Tedhkiretu El-Huffadh, 1/87.

 

  • Eban ibn Selim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Një urtësi që ta dhuron vëllai yt, është më e mirë sesa pasuria, ngase pasuria të bën t’i kalosh kufijtë, ndërsa urtësia të udhëzon në rrugë të drejtë.” Xham’iu Bejan El-I’lm, 263.

 

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur të shfaqet përgojimi, largohet vëllazëria për hir të Allahut. Shembulli i juaj do të jetë sikur diçka e lyer me ari e argjend, mirëpo brendësinë e ka nga druri.” Hiljetu El-Evlija’, 8, 96.

 

  • Umer ibn Hattabi (radijAllahu anhu) thotë: “Sikur ta dinit se çfarë përmban fjala e ndonjërit prej jush për vëllain e tij: “Allahu të shpërbleftë me të mira”, do ta shpeshtonit atë ndaj njëri-tjetrit.” Musannef Ibn Ebi Shejbe, 1/436.

 

  • Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Le të jetë shok i yti ai i cili ta heqë lakminë nga kjo botë dhe të nxitë drejt botës tjetër.” Lemm Ed-Durr El-Menthur.

 

  • Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Besimtari është pasqyrë për vëllain e tij. Andaj, kur sheh në të ndonjë të metë, e përmirëson.”  El-Edeb El-Mufred, 238.

 

  • Imam Fudajl ibn Ijad (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e sheh vëllain e tij në mëkat, pastaj i qesh në fytyrë, le ta dijë se e ka tradhtuar atë.” El-Muxhalese ue Xhevahiru El-I’lmi, 5/115.

 

  • Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në shumicën e rasteve, armiqësia dhe bojkoti ndodh për shkak të paragjykimeve dhe iluzioneve që njeriu i ka ndaj vëllait të tij musliman.” (El-Huda’ ue En-Nu’r, kaseta nr. 23).

 

  • Dijetari i madh bin Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëlla i mirëfilltë i yti është ai që të këshillon dhe që të përkujton. E jo ai që tregohet i shkujdesur ndaj teje, që nuk merret me ty dhe i cili të shtiret. Vëlla i vërtetë është ai që të thërret drejt Allahut dhe që ta qartëson rrugën e shpëtimit, në mënyrë që të ecësh nëpër të. Është ai që të paralajmëron nga rruga e shkatërrimit dhe që të tregon për përfundimin e keq të saj, në mënyrë që t’i shmangesh.” (Mexhmu’u fetaua ue mekalat mutenewwiah, 14/21).

 

  • Imam ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimtari vuan shpirtërisht për gabimin e vëllait të tij besimtar sikur ta bënte ai vetë atë dhe nuk i gëzohet atij gabimi.” (Medarixhus-Salikin, 1/436).

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse ke shok, atëherë ruaje fort atë, sepse gjetja e shokut është e vështirë, ndërkaq ndarja nga ai është e lehtë.” Hiljetu El-Evlija’, 9/122.

 

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk është çdo shok këshillues, mirëpo çdo këshillues është shok.” El-Ahlak ue Es-Sijer, 42.

 

  • Kur banorët e Xhenetit të hyjnë në të dhe nuk i shohin shokët e tyre me të cilët kryenin vepra të mira në dynja, e pyesin Zotin e Madhërishëm: “O Zot, ne kemi pasur vëllezër të cilët faleshin e agjëronin së bashku me ne, mirëpo nuk po i shohim.” Atëherë, Allahu i Lartësuar iu thotë: “Shkoni tek Zjarri dhe nxirrni prej tij këdo që në zemër ka besim sa një thërrmijë.” Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Shpeshtoni shokët besimtarë, sepse ata ndërmjetësojnë në ditën e Gjykimit.” Shoku i vërtetë është ai që të merr me vete në Xhenet. Një ditë, dijetari i madh ibën Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) u tha të pranishmëve: “Nëse nuk me gjeni në mesin tuaj në Xhenet, pyetni për mua dhe thoni: “O Zoti ynë, robi yt filani na mësonte për Ty!” Pastaj filloi të qante.

 

  • Imam ibn El-Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur ta vëresh se shoku yt është zemëruar dhe ka filluar të flasë gjëra që nuk bën të fliten, mos ia zërë për të madhe dhe mos i kërko llogari për to, sepse gjendja e tij është e ngjashme me gjendjen e të dehurit, i cili nuk di se ç’është duke ndodhur. Përkundrazi, duro ndaj shpërthimit të tij dhe mos i kushto vëmendje, ngaqë shejtani e ka mposhtur, natyra (karakteri) i ka gufuar dhe mendja i është mbuluar. Nëse ti mban në vetvete diçka kundër tij, apo i përgjigjesh në bazë të veprës së bërë, atëherë je i ngjashëm me një të mençur që i kundërvihet një budallai, apo me një të kthjellët që e qorton atë që i ka rënë të fikët. Pra, në këtë rast, gabimi është i yti.” (Sajdul-Hatir).

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva